Rreth projektit

Gjatë viteve të fundit është vënë re një rënie e vazhdueshme e numrit të votuesve të rinj. Ky fenomen, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, vazhdon të rritet nga shumë faktorë. Faktorë që lidhen me rritjen e numrit të të rinjve shqiptarë që vendosin të largohen nga vendi dhe të emigrojnë apo ulja e nivelit të besimit në Partitë politike dhe përfaqësuesit politikë, politikanët. Duke bërë një analizë të thjeshtë shohim se në shkallë kombëtare rreth 60% e qytetarëve të rinj kanë të drejtën e votës. Koalicioni fitues zakonisht arrin që të marrë70% të votave, që do të thotë se ata janë të legjitimuar për të formuar qeverinë e re vetëm përmes 42% të atyre që kanë të drejtë vote, ose nga një numër qytetarësh që janë më pak se gjysma e të gjithë qytetarëve që kanë të drejtën e votës.

Ajo që duket qartë është fakti se qeveria dhe struktura e saj duket se formohet jo nga shumica e shtetit. Duke nisur nga këto u pa e nevojshme nga ana jonë që të krijohej një program aktivitetesh  për të rritur ndërgjegjësimin dhe për t’i inkurajuar ata në ushtrimin e pushtetit vendimmarrës dhe vullnetit përmes votës.

Përmes këtij projekti ne sollëm në vëmendjen e të gjithëve rëndësinë që ka kutia e votimit, të shprehnin vendimin e tyre përmes votës dhe ta konsideronin procesin e votomit si një detyrë civile për të gjithë. Inovacioni i këtij projekti shtrihet tek lloji i aktiviteteve që u zhvilluan për të përcjellë mesazhin tonë. Ajo që ne donim që të arrinim ishte e shtrirë në këto pika:

  • Sensibilizimin e qytetarëve të rinj për të marrë pjesë në zgjedhje dhe të shprehin zgjedhjen e tyre me anë të votës;
  • Zvogëlimi i numrit të votuesve që japin votën në shkëmbim të parave.
  • Promovimi i mentalitetit të të marrit parasysh dhe të kuptuarit të programeve të partive politike.
  • Zhvillimi i qasjeve të reja në lidhje me votën si për shembull zgjedhja për të besuar në një program politik apo social dhe jo në militantizëm.

Aktivitetet e zhvilluara ishin të katër llojeve të ndryshme:

  • Fushata me video sensibilizuese,
  • Shpërndarja e kartolinave me mesazhe ndërgjegjësuese
  • Fushata në media dhe në median sociale
  • Krijimi i instalacioneve artistike bashkëkohore

Aktiviteti i parë që u zhvillua ishte ai i videove me mesazhe të ndryshme nga të rinjtë.  Në total u realizuan 3 video ku secila video përcillte nga një mesazh të caktuar mbi rëndësinë që ka vota dhe fuqinë që mbart ajo.

Përsa i përket aktivitetit të dytë një grup të rinjsh dolën në terren në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, përkatësisht Durrës, Korcë, Vlorë, Gjirokastër, dhe Fier dhe shpërndanë disa kartolina me mesazhe sensibilizuese mbi votën dhe pse ne duhet të votojmë.

Aktiviteti tjetër kishte të bënte me shpërndarjen e informacionit dhe të tre aktiviteteve të tjera në median sociale dhe në kanalet televizive.

Së fundi aktiviteti i katërt ishte ai i krijimit të instalacioneve artistike. Një grup artistësh krijuan 5 instalacione që u vendosën në 5 qytete që ishin Durrësi, Korca, Vlora, Gjirokastra dhe Fieri.

Instalacioni i parë u vendosën në qytetin e Durrësit dhe ky instalacion ishte një dorë e madhe tek e cila mbështetej një dorë e vogël, për të simbolizuar se jemi ne ata që vendosim, ne e kemi fuqinë e votës. Ky instalacion ishte në ngjyrë jeshile për të simbolizuar shpresë.

Instalacioni  i dytë u vendos në qytetin e Korçës. Instalacioni i dytë paraqiste një kuti votimi gjigande dhe ishte i përkthyer në instalacion vendi i fshehtë i votimit. Aty paraqitej dhoma në të cilën futen votuesit. Ndryshe nga vendi i fshehtë që ata ndeshin në procesin e votimit real, ata gjendeshin përpara një flete votimi me përmasa të mëdha. Fleta e votimit ishte e ndarë në dy anë. Në njërën ishin shkruar frazat: Unë nuk hesht- Unë votoj- Unë jap votën time të lirë. Në anën tjetër ishin frazat: Unë hesht- Unë nuk votoj- Unë jap votën time te korruptuar. Përpara fletës se votimit do jene te instaluara tri shufra te cilat kishin nga 3 shenja ‘tick’ secila. Qytetarët duhej të zgjidhnin me anë të “tick-ut”.

Instalacioni i tretë u vendos në qytetin e Gjirokastrës dhe ky instalacion ishte në formën e një kutie votimi por i mbyllur nga të gjitha anët dhe ishte plot ngjyra që të tërhiqte vëmendje. Në trupin e tij ishin gdhendur thënie të ndryshme për korrupsionin dhe për votën, për detyrat e çdo qytetari.

Instalacioni i katërt ishte në formën e dy gjysmave të limonit, ky instalacion u vendos në qytetin e Vlorës dhe pati si qëllim që ti tregonte qytetarëve që ne jemi ata që vendosim dhe nuk duhet të lejojmë asnjë që të na shtrydhë.

Instalacioni i fundit u vendos në qytetin e Fierit. Ky instalacion ishte në formën e një kutie votimi, shumë të veçantë. Kjo kuti nuk ishte prej druri si kutia normale e votimit, por ishte me pasqyra. Qëllimi i këtij instalacioni ishte që ne të shikonim veten në pasqyrë dhe të votonim për atë që na përfaqëson ne.

Rezultatet që ne arritëm në fund të projektit erdhën nga realizmi me sukses i aktiviteteve.

Në fund ne arritëm që të kishim një publik më të informuar mbi rëndësinë e votës. Arritëm që të kishim të rinj më të informuar mbi programet e koalicioneve të ndryshme politike. Ata filluan të vinin në pikëpyetje nëse përfaqësoheshin vërtet nga njerëz që kishin të njëjtat vlera si ata. Në fund të projektit ne arritëm që të kishim të rinj të informuar dhe jo militantë partiakë.

Implementuar

Implementuar nga Organizata LIBURNETIK në bashkëpunim me European Movement Albania, Citizens Channel dhe Kongresi Rinor Kombëtar.

Mbështetur

Friedrich Ebert Stiftung

Materiale nga Fushata