Nis “UNI Debate” – Skena e Mendimit Kritik për të Rinj Universitarë në Shqipëri
16 Dhjetor, 2024
PËRSE DUHET TË VINI NË VLORË
28 Janar, 2025

Startojnë trajnimet e “UNI Debate” në Universitetin e Tiranës: Studentët e Shkencave Sociale marrin fjalën e parë

Projekti kombëtar “UNI Debate: Skena e Mendimit Kritik” ka nisur zyrtarisht rrugëtimin e tij me zhvillimin e trajnimit të parë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt formimit të një gjenerate studentësh të aftë për të menduar ndryshe, për të debatuar dhe për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.

Në këtë trajnim morën pjesë 20 studentë të përzgjedhur nga fakulteti, të cilët gjatë dy ditëve intensive u angazhuan në aktivitete praktike për zhvillimin e aftësive të komunikimit, argumentimit dhe mendimit kritik, të ndërtuara mbi metodologjinë e debatit Lincoln-Douglas, një nga format më të njohura ndërkombëtare të debatit akademik.

Trajnimi u zhvillua nga një skuadër ekspertësh të Shoqatës LIBURNETIK, të cilët ofruan module interaktive që përfshinin:

  • Strukturën e një debati akademik dhe rolet përkatëse;

  • Teknikat e ndërtimit të një argumenti logjik;

  • Aftësitë e të dëgjuarit aktiv dhe refuzimit të kundërshtimeve;

  • Ushtrime praktike dhe simulime reale debati.

Ky ishte vetëm stacioni i parë i projektit, që do të vazhdojë me trajnimet në 6 universitete të tjera publike në qytetet Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër, duke përfshirë gjithsej 160 studentë universitarë të moshave 18-26 vjeç.

“Ky projekt synon të krijojë një kulturë të re diskutimi mes të rinjve. Nuk është vetëm për të fituar një debat, por për të mësuar si të mendosh, si të dëgjosh, dhe si të ndërtosh argumente të bazuara në fakte, jo në zhurmë,” – u shpreh një prej trajnerëve gjatë aktivitetit.

“UNI Debate” është një iniciativë e Shoqatës LIBURNETIK dhe mbështetet financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët (MSHRF) në kuadër të granteve shtetërore për rininë.

Pas fazës së trajnimeve, projekti do të kulmojë me debate publike universitare, ku studentët do të testojnë njohuritë e tyre përmes përballjeve konstruktive mbi çështje me rëndësi sociale, politike dhe qytetare.