Rreth projektit

LIBURNETIK, në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar dhe me mbështetjen e Shoqërisë Antea Cement sh.a, po zhvillon për të dytin vit radhazi programin “Si të mësosh kompjuterin” në fshatrat e komunës Thumanë. Edicioni i dytë ka përfshirë më shumë fshatra dhe më shumë të rinj të komunës Thumanë. Programi po zhvillohet pranë zyrës së koorporatës Antea Cement sh.a të ngritur në komunën Thumanë.

Këtë edicion u përzgjodhën për të qenë pjesë e programit fëmijë nga fshatrat Borizanë, Shpërdhet dhe Fushë-Mamurras, në bashkëpunim me shkollat përkatëse 9-vjecare që spikatën për aktivizimin e tyre në komunitet e për rezultatet e larta gjatë vitit shkollor 2017-2018. Mes tyre ishin dhe fëmijët e familjeve me vështirësi të mëdha ekonomike të cilët mbështeten po prapë nga kjo koorporatë nëpërmjet një programi të veçantë.

Trajnerët e Organizatës LIBURNETIK, nëpërmjet një programi të hollësishëm arritën të japin baza shumë të mira të paketës “Microsoft Office” dhe më në hollësi duke u ndalur në programet më të rëndësishme siç është “Word”, “Exel” dhe “Powerpoint”. Gjatë punës së tyre, fëmijët, u ndanë në grupe me nga 3 të rinj dhe zhvilluan paralelisht punë kërkimore në formën e një projekti ku ata hodhën çdo detaj që kishin mësuar me programet përkatëse duke u ndalur kryesisht mbi komandatat kryesore si dhe ato që janë më të rëndësishme në punët e tyre që do të zhvillojnë më tej dhe në shkollë.

Shkolla verore po zhvillohet dhe ka nisur gjatë muajit qershor, korrik dhe gusht. Në shkollë marrin pjesë 16 fëmijë të fshatit Borizanë, 23 të fshatit Shpërdhet dhe 20 të fshatit Fushë-Mamurras. Edhe pse kushtet e stinës nuk janë fort të përshtatshme, përsëri vihet re një interes i madh i nxënësve e kjo gjë vihet re më së miri kur kërkohet një feedback i tyre për se si po zhvillohet dhe nëse do të kishin dëshirë që programi të zgjatej në kohë.

Metodat e përdorura në këtë program janë ato të edukimit formal të ndërthurura me atë jo formal. Duke marrë si baze programet të cilat tashmë janë të certifikuara e duke i ndërthurur me punë kërkimore, lojëra si dhe biseda mbi temat sociale bashkëkohore. Këto lloj metodash, tashmë të mirënjohura si pjesë e rëndësishme edukuese për të rinjtë, u japin mundësinë këtyre të rinjve që jo vetëm të mësojnë diçka të re duke u argëtuar por dhe duke pasur mundësinë që kursi të marrë formën dhe natyrën që ata dëshirojnë duke përdorur feedback-et e tyre si një mjet pikërisht për ndërveprim më të madh midis programit dhe këtyre të rinjve.

Në përfundim të punës me çdo grup përkatës, u la një hapësirë e dedikuar për një mini-test mbi njohuritë që ata kanë marrë dhe një format vlerësimi për një feedback sa më të plotë mbi mendimet e tyre se si ishte ndërtuar ky program, nëse duhej të ndryshonte dhe nëse duhej të kishte vazhdimësi. Pikë e rëndësishme për organizatorët dhe trajnerët është të dinë dhe nëse programi ishte argëtues për të rinjtë apo jo.

Në mbyllje të këtij projekt-aktiviteti u zhvillua një event final në formën e një ceremonie jo formale, gjatë të cilit u prezantua puna e kryer dhe u stimuluan me disa çmime disa prej nxënësve me rezultate më të mira të arrira gjatë kursit, ndërveprimet e tyre me grupin si dhe një sërë faktorësh të tjerë të rëndësishëm në syrin tonë.  Gjithashtu u shpërndanë certifikata për të gjithë të rinjtë pjesëmarrës. 

Implementuar

Organizata LIBURNETIK

Partner

Kongresi Rinor Kombëtar

Mbështetur

ANTEA Cement Sh.a