Rreth Projektit “Re-Debate 5.1 Rigjallërimi i Kulturës së Ndërveprimit dhe Aktivizmit”


Kampionati i debateve ka një traditë të gjatë dhe mbahet mend nga shumë breza për shkak të pjesmarrjes të shumë personaliteteve. Projekti i debatit e ka filluar aktivitetin që prej vitit 1995, si një projekt i themeluar nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe përfaqësinë e Peace Corps në Shqipëri.

Ky projekt, sikurse edhe gjatë edicioneve të shkuara, synon të ndihmojë të rinjtë debatues të zhvillojnë aftësitë komunikuese, të menduarit kritik, të inkurajojë tolerancën dhe respektin mbi idetë e ndryshme si edhe të promovojë rritjen e interesit tek të rinjtë mbi ngjarjet aktuale. Ndër vlerat që synon të përqafojë ky projekt janë dhe mbetet nevoja e vazhdueshme edukuese në brezat e rinj përballë modeleve të munguara apo të gabuara në shoqërinë shqiptare.

Në ditët tona, megjithëse mjetet e komunikimit janë të shumta dhe të larmishme, sërish në Shqipëri vihet re mungesa e hapësirave për debat nga qytetarët, për qytetarët dhe problemet e tyre. Hapësira e debatit është “pushtuar” nga politika apo çështjet e saj dhe nga “ekspertët” që inkurajojnë modele në dukje elitare, por që kanë humbur perspektivën e përfshirjes së aktorëve të interesit për të diskutuar çështje me dhe në interes të publikut të gjerë. Po ashtu ka një hendek të madh midis potencialeve të rinjve dhe aftësive e shprehive të tyre për të debatuar duke përdorur të menduarit kritik. Të menduarit kritik, konsiderohet nga  Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (Programme for International Student Assessment, PISA), si një nga kriteret kryesore që duhet të jenë të pajisur të rinjtë në ekonominë e re globale të shekullit të XXI.

Këtë vit projekti përveç promovimit të kulturës së debatit tek gjimnazistët, synon edhe një rritje ndërveprimi dhe aktivizmi rinor në nivel lokal me fokus angazhimin e tyre dhe komunitetit në përmirësimin e politikave në arsim, por dhe në sektorë të tjerë për një zhvillim më të mirë të Shqipërisë në të ardhmen.

Projekti Re-Debate 5.1 ka si qëllim jo vetëm zhvillimin e kampionatit të debateve, por edhe përzgjedhjen dhe formimin e 3 grupeve rinore që në nivel lokal, në 3 qytetet e tyre do mund të organizohen e do të ndërmarrin nisma të ndryshme e të bëhen promotorë aktivizmi.

Pandemia COVID-19 paraqiti një sfidë të madhe për projektin, por pas një reflektimi dhe falë entuziazmit dhe angazhimit të vetë të rinjve përfitues dhe mbështetjes nga grupi i punës u mundësua përshtatja dhe realizimi me sukses i projektit edhe online, që do të vazhdojë në të njëjtat kushte edhe këtë vit.

Projekti do të zbatohet gjatë periudhës shtator 2020 – gusht 2021 në nivel kombëtar dhe do të përfshijë më shumë se 1500 nxënës. Të rinjtë do të trajnohen nga ekspertë në fushën e debatit.

Të gjitha aktivitetet do të zhvillohen online nën formën e një Kampionati (Tournament), në tre faza :

  • Faza e parë do të zhvillohet me trajnimet;
  • Faza e dytë do të zhvillohet me debatet në rang qyteti;
  • Faza e tretë përfundimtare me debatet në nivel kombëtar me skuadrat e kualifikuara.

LIBURNETIK me mbështetjen e OSFA, pas suksesit të tre edicioneve të zbatuara gjatë këtyre viteve, do të vazhdojë me të njëtin entuziasëm dhe përgjegjësi Re-Debate 5.1 duke ju përshtatur kushteve të vështira të pandemisë. 

parallax background