Rreth Projektit “Re-Debate 4.0 - Rigjallërimi i kulturës së debatit”
Mjetet e komunikimit edhe pse në ditët e sotme janë të shumta dhe të larmishme, në Shqipëri vihet re sërish mungesa e hapësirave për debat nga qytetarët, për qytetarët dhe problemet e tyre. Hapësira e debatit është “pushtuar” nga politika apo çështjet e saj dhe nga “ekspertët” që inkurajojnë modele në dukje elitare, por që kanë humbur perspektivën e përfshirjes së aktorëve të interesit për të diskutuar çështje me dhe në interes të publikut të gjerë.
Formatet e debateve televizive dhe debati parlamentar nuk janë aspak modele të mira për edukimin e qytetarëve, sidomos të rinjve, me vlerat e një shoqërie të hapur, tolerancës dhe bashkëpunimit. Përkundrazi, përgjithësisht ato ndjekin strategjinë e anatemimit të kundërshtarit me një ligjërim negativ.
Programi i Debatit e ka filluar aktivitetin që prej vitit 1995, si një program i themeluar nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe përfaqësinë e Peace Corps në Shqipëri. Ky program synonte të ndihmonte të rinjtë debatues të zhvillonin aftësitë komunikuese, të menduarit kritik, të inkurajonte tolerancën dhe respektin mbi idetë e ndryshme si edhe të promovonte rritjen e interesit tek të rinjtë mbi ngjarjet aktuale. Vlera të cilat janë dhe mbeten nevoja të vazhdueshme edukuese në brezat e rinj përballë modeleve të munguara apo të gabuara në shoqërinë shqiptare.
Ekziston ende një hendek i madh midis potencialeve të të rinjve dhe aftësive e shprehive të tyre për të debatuar duke përdorur të menduarit kritik. Kjo lloj qasjeje ka një rëndësi të vecantë, pasi të menduarit kritik konsiderohet nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (Programme for International Student Assessment, PISA), si një nga kriteret kryesore që duhet të kenë të rinjtë në lidhje me linjën e ekonomisë së re globale të shekullit të XXI.
Gjatë zbatimit të programit dhe përpjekjeve të bëra në vitin 2012 dhe 2013 nga OSFA, ishte evidente që edukimi dhe kurrikulat shkollore, ofrojnë pak hapësira për të nxitur të menduarit kritik në nivelin e arsimit parauniversitar. Rreth 45% e mësueseve në 16 shkollat e mesme që u përfshinë në projekt, tashmë zbatojnë formatin e debatit të ofruar nga OSFA si pjesë e zhvillimit të orës së mësimit në klasë si element dhe vlerë e shtuar e mësimdhënies dhe të nxënit. Ndërkohë, nxënësit pjesëmarrës vlerësuan maksimalisht përfshirjen në debatet e zhvilluara dhe përdorimin e të menduarit kritik, si një vlerë të shtuar të edukimit të tyre.
Për më tepër, formatet e debateve të përdorura si nga International Debate Education Association (IDEA) dhe nga OSFA, synojnë të edukojnë tolerancën për mendimet e ndryshme dhe bashkëpunimin midis të rinjve, duke shërbyer për të dhënë një kontribut në edukimin e elitave të ardhshme.
Organizata LIBURNETIK e mbështetur nga OSFA merr përgjegjësinë dhe nderin për zbatimin e këtij projekti, i cili gjatë këtij edicioni do quhet “Re – Debate 4.0” - Rigjallërimi i kulturës së debatit. Ky projekt është një mundësi për të mbështetur zhvillimin e shoqërisë civile dhe prezantimin e të rinjve me alternativa të të menduarit dhe të organizuarit, për ata që kultivojnë të menduarit kritik, etikën në komunikim, tolerancën dhe vlerat e qytetarisë aktive.
Formati i propozuar për aplikim është ai i IDEA (i përbërë nga dy debate me nga 8 minuta secili), një format që është i përshtatshëm për moshën dhe tejet interesant për të rinjtë e shkollave të mesme. Formati siguron përfshirje të madhe të të rinjve në debate, krijon shumë dinamizëm dhe nxit shumë mirë shpirtin e skuadrës dhe kërkimin mbi çështje me interes për ta.
Qëllimi dhe objektivat specifike të projektit
Qëllimi kryesor: Projekti synon promovimin e kulturës së debatit në Shqipëri tek të rinjtë e shkollave të mesme, kultivimin e të menduarit kritik, etikën në komunikim, tolerancën dhe vlera të qytetarisë aktive.
Debatet do zhvillohen në rang kombëtar në 14 qytete, të cilët do përfaqësohen nga 27 shkolla të mesme.
Qytetet dhe shkollat e përfshira:
1. Qyteti i Tiranës: “Sami Frashëri”; “Ismail Qemali”; “Qemal Stafa”; “Petro Nini Luarasi”; “Andon Zako Çajupi”; “Harry Fultz”.
2. Qyteti i Kamzës: “Ibrahim Rugova”; “Isa Boletini”.
3. Qyteti i Durrësit: “Gjergj Kastrioti”; “Naim Frashëri”.
4. Qyteti i Shkodrës: “28 Nëntori”; “Jordan Misja”.
5. Qyteti i Lezhës: “Hydajet Lezha”; “Ishull-Lezhë”.
6. Qyteti i Burrelit: “28 Nëntori”.
7. Qyteti i Rrëshenit: “Gjimnazi Rrëshen”.
8. Qyteti i Vlorës: “Halim Xhelo”; “Ali Demi”.
9. Qyteti i Fierit: “Janaq Kilica”; “Perikli Ikonomi”.
10. Qyteti i Lushnjes: “18 tetori”.
11. Qyteti i Korçës: “Themistokli Gërmenji”; “Raqi Qirinxhi”.
12. Qyteti i Elbasanit: “Dhaskal Todri”; “Kostandin Kristoforidhi”.
13. Qyteti i Gramshit: “Shefqet Guzi”.
14. Qyteti i Gjirokastrës: “Asim Zeneli”.
Nëpërmjet këtij projekti synohet të përcillet rëndësia e të menduarit kritik në të paktën 435 të rinj të shkollave të mesme, duke iu dhënë një mundësi atyre për t’u shprehur për çështje të rëndësishme me të cilat përballet shoqëria jonë.
Metodologjia
Për zbatimin e këtij projekti është angazhuar një staf prej 9 personash, të rinj me eksperiencë në punën me nxënësit e shkollave të mesme, me komunikimin dhe në lidhje me trajtimin e këtyre lloje aktiviteteve nën optikën e formimit jo formal dhe formatit të debateve IDEA. Re-Debate 4.0 është një projekt që kërkon një koordinim të mirëfilltë, përfshirjen e burimeve të konsiderueshme njerëzore (staf+vullnetarë), trajnime dhe hulumtime.
LIBURNETIK përmes mbështetjes së OSFA ka siguruar një bashkëpunim zyrtar me Ministrinë e Arsimit për mbështetjen e projektit të debatit në 27 shkollat e mesme si një aktivitet jashtë kurrikular. Një bashkëpunim i tillë është vital për realizimin me sukses të projektit.