Dëgjojmë çdo ditë që e ardhmja është rinia, ndryshimi do të vijë nga rinia, rinia këtu e rinia atje…
Në një moshë më të vogël, mendoja dhe e besoja këtë, mirëpo tani, pavarësisht dëshirës së madhe për ta besuar, jam pesimiste.
Kam njohur goxha bashkëmoshatarë e më të rritur me intelekt, me botë, me dëshirën dhe vullnetin për të bërë mirë për vendin e tyre, por a mjafton ?
Koha do të tregojë nëse mjafton apo jo, por mbetem pesimiste për sa kohë, një pjesë e madhe e të rinjve (të cilët qëndrojnë në Shqipëri) me apo pa vetëdije, shkojnë pas turmës e ndjekin shembujt të cilët janë e kundërta e atyre që mund të sjellin të mirën për këtë vend.
Është e trishtë të shohësh të rinj, të cilët me dëshirë kanë zgjedhur t’u indokrinohen ide të gabuara që mund të sjellin çdo gjë, veç ndryshimit të këtij vendi !!
Unë nuk kam asgjë kundër të qenurit pragmatist me masë e dëshirës për të arritur gjëra në këmbim të asaj çfarë bëjmë, siç nuk jam aq idealiste sa të them që të kemi interesin e shumicës prioritet, por besoj që bota është rrumbullake dhe veprimet që ne bëjmë sot, kanë pasoja në mos të drejtpërdrejta tek ne si individë, tek brezat e ardhshëm.
Thënë këtë, nëse duam që rinia të bëjë ndryshimin, nuk duhet të lërë mënjanë dëshirën për ta bërë këtë vend, për pak benefite që mund të ketë duke ndjekur parti apo individë të caktuar, sepse ne nuk kemi nevojë për riciklim, por për ndryshim…