Nuk ka shoqëri të përkryer. Të gjitha kanë probleme, të mëdha apo të vogla. Dhe zakonisht pas këtyre probleme fajësohet sistemi arsimor i cili dështon së krijuari një qytetar model, ku si i tillë konsiderohet personi i cili i bindet ligjit, është i mirë për komunitetin dhe jep shembull të mirë bashkëqytetarëve të tjerë. Duke lënë mënjanë pjesët “i mirë për komunitetin” dhe “shembull i mirë për bashkëqytetarët e tjerë” – pasi mendoj se fjala “i mirë” është në rastin më të mirë relative dhe në rastin më të keq boshe – dëshiroj të analizojmë pak pjesën “person që i bindet ligjit”.
Nuk kam asnjë problem me ligjin, përkundrazi e shikoj si të domosdoshme për të vënë rregull në mënyrë që të shmanget kaosi dhe shoqëria të përparojë. Ajo me të cilën kam problem është fjala “bindet”. Qytetari model është ai që “i bindet” ligjit, jo ai që “e kupton” ligjin, jo ai që e “analizon” ligjin e as ai që “ngre pyetje” për ligjin. Ti bindësh diçkaje do të thotë ta pranosh atë pa e vënë në dyshim, pa ngritur pyetje, pa u menduar. Krejt e kundërta e qëllimit të arsimit.
Para se të vazhdoj më tej dëshiroj të citoj Martin Luther King-un i cili ka thënë: “Arsimi ka për qellim të aftësojë njeriun për të peshuar provat, të dallojë të vërtetën nga të pavërtetën, realen nga jo realen, faktet nga trillimi. Kështu, arsimi duhet të ketë për qellim si të mësojë individin të mendojë në mënyrë intensive dhe si të mendojë në mënyrë kritike. Inteligjenca plus karakteri, ky është qëllimi i arsimit të vërtetë.” Sistemi arsimor në Shqipëri, si dhe në shumë vende të tjera të botës perëndimore apo lindore, vazhdon të ndjek modelin tradicional të të mësuarit fakte. Edhe pse faktet janë të nevojshme për krijimin e dijes nuk duhet të harrojmë se “faktet” janë shpesh të debatueshme, nëse jo krejtësisht gabim. Pa iu futur historisë – e cila shkruhet nga fitimtari, apo siç ka thënë Napoleon Bonaparti: historia është gënjeshtrat për të cilat biem dakord – po jap vetëm shembull e materies, e cila gabimisht mësohet nëpër shkolla se ekziston vetëm në 4 gjendje. Nëse faktet janë gabim, çfarë ndodh me teoritë e pa vërtetuara apo opinionet e shprehura? Me keqardhje vërej se të rinjtë po “ushqehen” me përgjigje të gatshme që merrem si të mirëqena, rrugëzgjidhje të parapërgatitura që duhen ndjekur devotshmërish dhe informacione që duhet përvetësuar. Shumë pak rëndësi i kushtohet mendimin individual dhe krijues, edhe më pak liri i jep i ofrohet individit për të shpalosur potencialin e tij të vërtetë.
Jam i mendimit se një prej gjërave që duhet të synojë shkolla është të mundësojë individët të mendojnë në mënyrë kritike. Lidhur me këtë të fundit ka disa përkufizime por unë do ti referohesha si: aftësia e të vëzhguarit, analizuarit, vlerësuarit një situatë, problematike, çështjeje, etj. në mënyrë të pavarur, objektive dhe origjinale me qellim nxjerrjen e një përfundimi të caktuar. Individi që në moshë të hershme duhet të mësohet të jetë i vëmendshëm për të dalluar hollësitë të cilat “nuk shkojnë”. Ai duhet
vlerësojë në mënyrë individuale dhe objektive situatat duke bërë dhe kërkime nëse është e nevojshme në mënyrë që të dalë tek një përfundim i caktuar, ku përfundimi është e vërteta. “Është më mirë të debatosh një pyetje përpara se ti japësh një përgjigje, sesa ti përgjigjesh përpara se ta debatosh,” ka thënë Joseph Joubert. Këtë debat, individi e ka për detyrë ta bëj vetë përpara se të dal në përfundime apo të pranojë çfarë i serviret (e gatshme) nga të tjerët. Jo vetëm kaq, por këtë debat ai duhet ta bëj dëshirë dhe ndërgjegje të plot.
Mendimi kritik ka nevojë për një serë aftësish që duhet të zotërojë individi. Dëshira për të zbuluar të vërtetën, të qenit mendje hapur, krijues, organizativ, kurioz janë vetëm disa prej veçorive që duhen përmendur. Zhvillimi i këtyre aftësive dhe veçorive, përveç se do të zhvillonte mendimin kritik, do të zhvillonte edhe karakterin e individit, diçka mesë të nevojshme për një shoqëri të shëndetshme siç ka thënë dhe Martin Luther King-u.
Pyetja që rrjedh natyrshëm është: përse nuk i mësojmë nxënësve të menduarit në mënyrë kritike kur është diçka kaq e mirë; nuk mundemi apo nuk duam? Përgjigja ime është: pak nga të dyja. Edhe nuk mundemi, edhe nuk duam. Përtej kufizimeve metodike të trashëguar që prej komunizmit, a është gati shoqëria shqiptare (dhe jo vetëm) të rrisë individë të cilët do të sfidojnë apo refuzojnë sistemin aktual duke kërkuar diçka më të mirë? A është gati sistemi arsimor të prodhojë individ të cilët do të jenë të aftë
të shikojnë, të ngrënë pyetje dhe të shpallin luftë të hapur kundrejt parregullsive të shoqërisë? Apo është e preferuar të vazhdohet me synimin e të krijuarit qytetarë model të cilët do ti bashkohen sistemit si ingranazhe në një makineri të mirëkurdisur? Mos ndoshta shoqëria është jo e përkryer pikërisht sepse synon krijimin e këtyre “qytetarëve model”?