Filozofi gjerman i shekullit të XIX, Friedrich Nietzsche ka lënë pas për botën një trashëgimi të paçmueshme mendore. Aftësia më e njohur e tij stilistike, ishte përmbledhja e një perandorie të tëre mendimesh, në fjali të shkurtra. Ndër këto fjali, apo citate të tij, është dhe: “Një mësues i mirë mëson nga nxënësit e tij”. Padyshim që konteksti në të cilin është shprehur Nietzsche aso kohe ndryshon nga i sotshmi, megjithatë gjenialiteti i një mendimi të mirë qëndron tek fuqia për t’i rezistuar kohës.
Pra, ç’na tregon ky citat ne sot? Në radhë të parë se mësimi është proces. Si i tillë ai nuk ka një struktë vertikale, ku shkon nga lartë poshtë, por përkundrazi, një strukturë horizontale, ku lëvron nga mendja që jep, për të shkuar sërish aty, i transformuar. Në radhë të dytë, kjo shprehje e filozofit gjerman na përshfaq faktin se mësimi nuk është i ngurtë, por fluid. Si i tillë ai nuk duhet t’i nënshtrohet një metodike që ndrydh kreativitetin, lirinë, shprehinë apo inovacionin. Dhe në radhë të tretë, nga ky citati i Nietzsche arrihet përfundimi se mësimi është i pandalshëm, i palimitshëm dhe i papërfundueshëm, ngaqë ai që mëson, duhet dhe vet të mësojë. Vazhdimisht!
Interpretime dhe përfundime të tjera nga ky citat mund të nxirren pafund. Por janë pikërisht këto 3 kryesoret që ndihmojnë analizën e gabimeve të kryera nga veprimtaria e mësim-dhënies në Shqipëri. Sistemi arsimor këtu, mbetet prodhuesi kryesor i “kulturës vertikaliste”, simbol i idesë se e mira e atyre që ndërveprojnë poshtë hallkave të hierarkisë shoqërore, duhet të pritet dashamirësisht nga veprimtaria e ushtruar nga hallkat e sipërme të shoqërisë.
Këtë kulturë e ka krijuar një proces mësimor tërësisht vertikal, ku mësuesi i imponohet nxënësit me autoritet e dhënë nga titulli. Kjo jo vetëm që shkakton një lloj stanacioni mendor tek mësuesit, të cilët në rehati të plotë me veten, ndihen të pakonkurueshëm, por shkakton dhe një lloj pezmatimi tek nxënësi, i cili që në vogëli trashëgon mendimin se autoriteti duhet respektuar edhe kur është në gabim. Për më tepër që, i strukturuar vertikalisht, procesi i mësimdhënies në Shqipëri është i ngurtë; përqendrohet kryesisht në dije të diktuar arbitrarisht dhe të mësuar përmendësh. Kjo e bën nxënësin të dëshirojë thjesht një notë të mirë, por jo të kërkojë një mendim të mirë, duke venitur dëshirën për të lëvruar kreativitetin, e rrjedhimisht, duke shtypur çdo mendim të tjetërt, aq i dëshirueshëm në një ambient ku secili duhet të udhëhiqet prej ambicies për përmirësim.
Si përfundim, e tillë metodikë, tejçon mesazhin e gabuar se mësimi është një proces i limituar që ndalet me të përfunduar shkollimi. Kështu prodhohet një shoqëri pa marrëdhënie me mendimin kritik, e bindur, që e braktis vendin si zgjidhje, jo si zgjedhje; një shoqëri e egër dhe cinike, ku ofendohet pa menduar dhe paragjykohet pa gjykuar; një shoqëri e pamotivuar ku dëshira për përmirësim mungon.
Por për të mos e pasqyruar realitetin si të zi, kur në fakt ai është më ngjyra, kjo shprehje e filozofit Nietzsche, përveçse mund të përdoret për të analizuar në vija të trasha situatën e mësimdhënies në Shqipëri dhe rrjedhojat që ajo ka në shoqëri, mund të përdoret dhe si një ftesë. Ftesë jo për sistemin, por për njerëzit që e përbëjnë atë, që të udhëhequr nga mendimi e analiza kritike, të ndezur nga qëndrimi anti-konformist, dhe të ndriçuar nga dëshira për një realitet më të mirë, të përpiqen të rrëzojnë “kulturën vertikaliste”. Kjo është një ftesë që e përhap mësimdhënien e mësimnxënien në një dimension të ri, përtej kufijve të shkollimit, në konture që diktohen vetëm nga nevoja për të menduar ndryshe; ngaqë po nuk u mendua ndryshe, nuk është duke u menduar fare!