Nuk është i padëgjuar fakti që shumë njerëz jetojnë për t’u dukur, për t’u shqetësuar si duken në sytë e të tjerëve apo për të patur qëllim jete “perfeksionin” fizik.
Mendoj që nuk ka asgjë të keqe të ndikohesh nga mjedisi i jashtëm dhe të reflektosh për t’u bërë një person i përkryer… Por ekziston një hendek midis dëshirës për të qenë të përsosur dhe asaj për t’u dukur i përsosur.
Për fat të keq ka njerëz sipërfaqësorë, të cilët si lupë për të gjetur të metat tek vetja, përdorin sytë e të tjerëve. E për fat të keq, shumë njerëz kanë prioritet të dukurin “perfekt”, pra “perfeksionin” fizik.
Që këtu lind një problem i madh që është keqkuptimi dhe keqinterpretimi i bukurisë, e megjithatë le të trajtojmë bukurinë fizike, në të cilën ndikojnë më së shumti motivet sociale, si “pjesa më e nevojshme për të ndërhyrë”…
Në çdo kohë ka ekzistuar dëshira për t’u dukur sa më mirë, por zhvillimi i teknologjisë dhe përdorimi në masë i rrjeteve sociale, ka bërë që njerëzit të jenë më të ndjeshëm për mënyrën si shoqëria i shikon, pasi janë në lidhje më direkte me mendimet e saj.
Ndikimi social në vetperceptim shpie në probleme dhe paqëndrueshmëri emocionale, të cilat shfaqen si pasojë e dëshirës për t’u ndjerë të përsosur në sytë e “audiencës”, përpara së cilës “ reklamohen”.
Patjetër që bukuria fizike është një element që e bën një person më të dëshiruar në shoqërinë sipërfaqësore dhe virtuale të ditëve të sotme, mirëpo kjo dëshira për të qenë më i dëshiruar në shoqëri është shkaktare e vuajtjeje psikologjike e fizike. Mendoj që personat të cilët ndikohen nga motivet sociale deri në atë pikë sa mendimet e tyre bëhen vorbull dhe nuk arrijnë më të krijojnë një imazh të qartë të vetes janë të cekët dhe pa personalitet.
Ndërkohë që fëmijëve po u bëhen shumë fushata sensibilizuese për të reduktuar përdorimin e rrjeteve sociale, si indikatorë negativë në formimin e personalitetit, shohim të rritur që ndikohen nga motive të dobëta deri në atë pikë sa arrijnë tjetërsim fizik dhe emocional të vetes, për shkak të dëshirës për t’u dukur bukur.
Natyrshëm lindin pyetjet: Si mund të sensibilizohen fëmijët ndërkohë që po shtohet numri i të rriturve, muret e personalitetit të së cilëve lëkunden sa herë fryn erë? Si mund të ndryshohet perceptimi i së bukurës? Si mund të ndihmojmë të paktën brezat e ardhshëm për të arritur krijimin e personalitetit deri në një moshë të caktuar? E çfarë mund të bëjmë për t’i treguar njerëzve se ‘perfeksioni’ gjendet në mënyrën si Ti ndihesh e jo në mënyrën si të tjerët na shohin?!