Të dhënit mësim padyshim që është një art më vete e një disiplinë e fortë e të qenit I mençur, por nëse ky art realizohet me të gjitha ngjyrat, atëherë pse e dëgjojmë kaq shpesh fjalinë “Kush e shpiku shkollën” e mundësisht me ndonjë ofendim nga mbrapa?
Ka një arsye, fare të thjeshtë, sepse mbase jo të gjithë ata që janë pjesë e sistemit janë artista e nëse janë arti I tyre është mjaft sipërfaqësor. Gjithmonë kam menduar se faji është I shpërndarë e gjendet pak a shumë kudo, por tashmë mendoj se faji qëndron vetëm në dy vende: tek sistemi dhe tek metodologjia. Pork u dallojnë këto nga njëra- tjetra?
Sistemi është mënyra e organizimit të arsimit dhe “fjalori” gjigand që shpjegon çdo term e sqaron çdo pikëpyetje në lidhje me problemet që lindin e mënyrën e zgjidhjes së tyre në mënyrë sa më efiçente. Ndërsa metodologjia është mënyra sesi ata persona të cilët transmetojnë dijet e përkthejnë fjalorin dhe ja transmetojnë nxënësve, pra për të qenë më të saktë, sistemi ëstë receta e një gatimi e metodologjia është mënyra sesi shefi I kuzhinës e gatuan.
Ka raste që një recetë totalisht të komplikuar e të bezdisshëm, një shef I mirë do ta sillte në pjatë në mënyrë të mrekullueshme, por mos harroni që edhe një shef I keq, një recetë të thjeshtë do ta sillte në pjatë sërish mjaft të shijshme e të servirur bukur. Tani thjesht imagjinoni sikur edhe receta, edhe shefi të ishin të një klasi shumë të lartë, atëherë padyshim që kjo do të ishte e mira e të mirave. Pikërisht kështu e shoh unë arsimin në vendin tonë, por jo vetëm.
Receta që ne kemi për të gatuar mësime të vlefshme për nxënësit tanë është totalisht e komplikuar, e lodhur, vjetëruar e me shumë faqe të grisura rrugës, por ndryshe nga një restorant ku të gjitha hanë nga duart e të njëjtit person, jo të gjithë kanë fatin ta marrin pjatën e tyre të dijes nga I njëjti individ. Kjo falë Zotit kur shefi është I keq, e totalisht keqardhje kur shefi është I mirë. Në një situatë të tillë ku metodologjia e mësuesit vendos gjithçka mbi sasinë e cilësinë e nxënies së një nxënësi, atëherë duhet të jetë sistemi ai që vjen I reformuar e shumë më konkret.
Prej kohësh ne I jemi shmangur reformimit të politikave të vjetra, të cilat kanë deformuar mënyrën sesi shefat tanë të kuzhinës bëjnë artin e tyre e klientët tanë të uritur për dije shijojnë ushqimin e tyre të së ardhmes. A jemi ne të gatshëm të japim akoma instruksione të gabuara e të lëmë fëmijët tanë të ushqehehen keq? Nëse jo, atëherë duhet të fillojmë të mendojmë për të ardhmen e arsimit, që askush të mos mallkojë më duke thënë “kush e shpiku shkollën”.