Më shumë se të gjithë ne duhet të jemi ata që kanë parasysh se çfarë ndodh kur shteron intelektualiteti. Në fund të ditës, një flluskë është, shpohet e zhduket në ajër pa lënë gjurmë. Kjo I ka ndodhur vendit tonë ndër vite. Flluska jonë është shpuar vazhdimisht duke mbushur flluskat e Europës e duke pasuruar flluskat e botës. Po me ne ç’do bëhet?
Fatmirësisht intelektualiteti, profesionet dhe zgjuarsia janë fuqi e pashterueshme. Përsa kohë të ketë njerëz, do të ekzistojnë krahas nesh, por duhet ta pranojmë se duhet vite punë për të krijuar profesionistë të zotët mjaftueshëm për të përmirësuar vendin. Ndërkohë që çdo vit na ikin mijëra të tillë e ne vakësohemi dita- ditës, taksat e shqiptarëve nuk shkojnë për asgjë tjetër veçse për të shkolluar disa njerëz, të cilët këmba këmbës zhduken nga Shqipëria e punojnë kudo në botë e kështu investimi jonë në burime njerëzore profesionale humbet. Ne humbim mjek, inxhinierë, jurist etj, por mbi të gjitha në tërësi të situatës ne humbin intelektualë, të cilët në një formë a në një tjetër japin sadopak kontributin e tyre në zhvillimin e vendit.
Por le ta pranojmë, që askush nuk rri aty ku nuk është I dëshiruar. Kjo do ishte e tepërt dhe për hir të çdo idealizmi. Nën syrin auto-kritik edhe ne duhet të pranojmë që kemi investuar vazhdimisht në mënyrë të pavetdijshme që pikërisht këta persona ti mbajmë larg. Njerëzve të thjeshtë këta njerëz ju duhen, por zërat kritik ndaj sistemit janë mjaft të rrezikshëm, sidomos kur dinë se çfarë flasin.
Nëse ne vazhdojmë të jemi të pakujdesshëm ndaj këtyre largimeve do të ngelim një trup pa tru, I cili nuk e di se ku shkon, çfarë bën e si e bën. Diversiteti I mendimeve, të cilat vijnë nga njerëz me horizont të zhvilluar bën të mundur që ideologji të mrekullueshme të ndryshojnë e të përmirësohen, lëre pastaj ideologji të kalbura të shtetformimit siç ne vazhdimisht kemi.