Legjendat thonë se brenda realitetit tonë, gjendeshin dikur botë të tjera. Një ndër këto botë, thonë, ishte dhe Bota e Budallenjve.
Kur kjo paralele e realitetit u mbi popullua, banorëve të saj, Budallenjve, iu desh të zhvendoseshin për në botën tonë. Sipas legjendave gjithmonë, sfida më e madhe që kishin hasur për të nisur këtë proces, ishte gjetja e një vendi ku do t’u rezervohej një mirëpritje e ngrohtë.
Një Budalla kishte thënë se në Shqipëri s’do hasnin asnjë problem për t’u rehatuar, se “tolerancën ndaj nesh atje e kanë të ngulitur në kulturë.” Budallenjve iu duk ca e çuditshme që një vend të priste mirë njerëz nga një realitet tjetër, sidomos ngaqë e dinin se zhvillimi në botën ku do shkonin, arrihej me mendim kritik, debat të arsyeshëm, logjikë konstruktive dhe inovacion, cilësi që ata nuk i kishin.
Por ngaqë ishin budallenj, ç’bëri i pari Budalla, e bënë të gjithë. Dhe, siç e thonë përrallat që tregohen mbi këtë ndodhi, nuk është se bënë gabim.
Se sapo erdhën në Shqipëri Budallenjtë, shqiptarët, a ndoshta se nuk donin të përziheshin me ta, a ndoshta se ua kishin frikën, a ndoshta se e kishin të pamundur t’i konfrontonin, i lanë Budallenjve hapësirë dhe nuk i rezistuan hiç në asgjë.
“Hapi rrugën Budallait” njëri, “Budallait duhet t’i lirohet rruga” tjetri, dhe Budallenjve iu hap rruga vërtet; derisa rrugë për të tjerët nuk ngeli më.