Rinia e sotme përbën një nga asetet më të vlefshme humane që kemi. Por, nëse një farë nuk e ushqen me ujë, dritë dhe gjitha ingredientët e duhura, jo vetëm që nuk rritet, por madje edhe vyshket në moment. Gjeneratat e humbura të Shqipërisë janë pikërisht një shembull jo i mirë, i mënyrës sesi një brez duhet të rritet, të edukohet e të formohet.
Rryma të ndryshme mendimi janë krijuar kohëve të fundit duke i dhënë mundësinë më të artë të zgjedhjes të gjithë të rinjve dhe jo vetëm, mundësinë e të mbajturit një ane dhe të kundërshtuarit të një ane tjetër. Por, nëse ke dhe nuk di nuk je i pasur. Në fund të fundit kujt i është dashur të dijë në një vend me probleme shumë më thelbësore. Sot, këto probleme akoma ekzistojnë, por ka ardhur koha për të vlerësuar edhe “të diturit” e gjërave.
Disa akoma thonë “kujt i duhet debati”, “nuk ke për të nxjerrë gjë në dritë” etj, etj. Është e vërtetë që mbetet çështje zgjedhjeje, por në një botë moderne konsiderohet si kusht për të kuptuar ekzistencën. Në një vend ku çdo problem është zgjidhur me shamata dhe zhurmë prej kohësh, të dëgjosh tjetrin duket si “mission impossible”. Por, kohët kanë ndryshuar dhe nuk ke pse të bësh grevë urie, vetëm sepse dikush mendon ndryshe nga ty. Por, madje madje, mund të debatoni teksa konsumoni dicka, sepse asnjë problem nuk zgjidhet me barkun bosh.
Teksa shohim Europën të zhvillohet mbi koncepte shumë largpamëse, kultivimi i kulturës së përgjithshme të debatit, nuk do zgjidhte çdo problem, por të paktën do ta fuste në një rrugë të drejtë konceptin qytetar mbi zgjidhjen e problemeve. Jo çdokush është gati të fiki televizorin dhe mos të ndjekë më shembujt e këqij të sagës së vjetër të “debatuesëve” shekullorë, por ata që janë gati ta bëjnë duhet ta bëjnë nga momenti në moment. Ka ardhur koha që të gjithëve ti duhet debati, e në mos debati, vlera e të diskutuarit me argumenta dhe logjikë të ftohtë.
E kur të dëgjoni lajme të këqija për konflikte e probleme, mos më thoni që nuk ju thashë, se fajin e ka vetëm mungesa e kulturës së të debaturit dhe të mirëkuptuarit për probleme qe ne vetëm i zgjasim e i zgjasim, ndërkohë që një person me dy baza kulture do ta zgjidhte mjaft lehtë me pak fjalë. E nëse nuk dëgjoni lajme, do shikoni komshinjtë të zihen për ndonjë gjë krejt të parëndësishme, sepse në fund të fundit kush ngrin zërin më shumë ka të drejtë.
E është pikërisht ky mentalitet që nuk ka pse të ekzistojë më. Jo të gjithë do debatojnë duke shkruar argumenta të mirëndërtuara e pastaj t’i lexojnë, por të paktën duhet të krijohet kultura e të pasurit të drejtë edhe pa bërtitur. E nëse dëgjoni dikë që i janë ngritur nervat e po bërtet, më mirë largohuni e shpëtoni kokën. Në fund të fundit të gjithë e dimë atë shprehjen, “hapi rrugën…”.
Kohëve të fundit kemi filluar realisht të kuptojmë se demokracia nuk vjen me fjalë, po nëse pikërisht këto fjalë i organizon bukur dhe me kuptim mbase edhe ndodh ndonjë magji. Gjithmonë e kam ditur që magjia fshihet te fjalët, po vonë e kam kuptuar që është mënyra sesi fjalët vendosen ajo që realisht bën punën më të madhe. Po për shëndetin tuaj, kurrë mos harroni të jeni të kujdesshëm ndaj “buçitësve”. Janë pikërisht ata që bëjnë zhurmën më të madhe dhe japin kuptimin më të vogël.