Siç e dimë, njeriu në fillim bën zgjedhje dhe më pas ato konvertohen në veprime të kryera nga ai. Në qoftë se fillimisht nuk do të zgjidhte ta bënte, veprimi thjesht nuk do të behej. Ose të paktën kështu ndoshta ndodh në 80 % të rasteve. Ndërsa 20%-shi i mbetur, i perket faktorëve ndikues në moskryerjen e tij. Dhe duke qenë se procesi i të menduarit në vija të përgjithshme ndodh si te të gjithë njerëzit ashtu edhe te të rinjte pyetja që unë shtroj është; Sa zgjedhin të rinjtë shqiptarë të përdorin mendimin kritik?
Një shembull konkret. Përpara meje në autobus dy djem afërsisht të moshës time, po flisnin mbi një temë shumë të prekshme në kohët ku jetojmë dhe padashje dëgjova, ose më saktë më vrau veshin nje copëz nga biseda e tyre ku djali i parë thoshte: Punë dreqi me këto pushtetarë që kemi, të gjithë për të vjedhur e kanë mendjen. Ndërkohë që djali i dytë i kthehet: Shiko se X-i vidhte, po të paktën popullin e linte rehat. Ndersa Y-i mirë se vjedh, po s’lë rehat as popullin, këtu qëndron e keqja.
Nuk e di saktësisht sa kohë mund t’i duhet trurit të një njeriu që të perceptojë, analizojë dhe të gjykojë saktësisht mbi dicka që dëgjon por në një fraksion sekonde unë arrita në një përfundim therës (për të cilin do të doja shumë të gabohesha), të fjalisë po aq therëse që sapo kisha degjuar; “Një mendje e pa vënë në punë”.
Nuk thonë kot, që gjërat më të padukshme janë pikërisht ato që kemi përpara syve. Po shtroj një pyetje aq retorike saqë s’ka ku bëhet më: Përse quhen pikërisht të rinjtë e ardhmja e një vendi? Dhe po jap një përgjigje aq të dukshme, saqë po na vret sytë: Sepse vetëm mendjet e të rinjve, mund të sjellin risi që e cojnë një vend përpara! Atëherë shtroj pyetjen të cilës do të doja të mos dija t’i përgjigjesha por që fatkeqësisht mendoj se e di. Pse përpara meje kam dy të rinj, mendja e të cilëve duhet të ketë aq risi sa për të çuar një komb përpara, të cilët mendojnë kaq me kaq cungim. Përgjigjia është sepse ato zgjedhin, e theksoj ZGJEDHIN të mendojnë kështu.
I kthehem sërish 20%-it të faktorëve ndikues të moskryerjes së veprimeve apo mendimeve dhe mundohem të gjej arsyet pse këta dy të rinj nuk zgjedhin të përdorin mendimin kritik dhe nuk lodhem për të gjetur të paktën një prej tyre! Janë rritur në ambiente me njerëz ku e drejta e fjalës ishte e cunguar dhe mendimet ishin të detyruara të kyçeshin në mënyrë që të mos konvertoheshin në fjalë të lirë, duke sjellë pasoja të rënda. Dhe kur dicka imponohet me dhunë për një kohë shumë të gjatë, në përfundim të kësaj kohe, dashur apo padashur mësohet të kyçen mendimet, kalon koha e shprehjes së tyre dhe papritur, nuk je më i ri dhe as mendimet e tua nuk janë më risi.
Por, rritja në këtë ambient i justifikon një pjesë të të rinjve të sotëm deri në njëfarë pike, konkretisht mendoj 0.01 % nga 20%. Po 19,99-i % i mbetur? I përket zgjedhjeve që ato bejnë. Pra në rastin konkret, moszgjedhjes për të menduar në mënyrë kritike, për të analizuar apo reflektuar mbi një çështje të caktuar. Për të mos ndryshuar ideologjinë që u është indoktrinuar nga të tjerë dhe në fund të ditës për të mos dalë në konkluzionin se në fakt, e lë apo se lë popullin rehat, nuk është në rregull që një pushtetar të vjedhë dhe një i ri që është edhe qytetar të jetë shumë në rregull me ketë gjë për aq kohë sa është i lenë rehat.
Në fund të këtij shkrimi, po jap edhe përgjigjen e pyetjes që kam shtruar në titull: Sa zgjedhin të rinjtë shqiptarë të përdorin mendimin kritikë? Do të thoja që është një ndarje e ndërmjetme, por ku padyshim dominon fakti që shumica prej tyre mendojnë kritikisht pothuajse fare. Gjë kjo, që i bën ato gati-gati të verbër nga ç’ndodh përrreth, sepse siç thotë dhe Niçja: “Ke qenë i pranishëm keq në jetë në qoftë se nuk e ke parë dorën që, në menyrë të ëmbël, vret“. Në rastin tonë, kjo dorë po vret të ardhmen! Ilustrimi i mësipërm është vetëm një nga shumë raste.