Të mendosh ndryshe
13 Shtator, 2022
A zgjedhin të rinjtë shqiptarë të përdorin mendimin kritik?
13 Shtator, 2022

A është rinia e ardhmja e vendit?

Komediani im i preferuar George Carlin në një prej stand up-eve të tij ka thënë se politikanët tradicionalisht fshihen pas tri gjërave: flamurit, Biblës dhe fëmijëve. Duke lënë mënjanë Biblën, pasi Shqipëria është një vend laik dhe “feja e shqiptarit është shqiptaria”, politikanët shqiptar flasin gjithmonë për mënyrën sesi mbrojnë interesat e vendit dhe sa shumë rëndësi kanë për ta fëmijët. Ndërkohë që zgjedhjet po afrojnë, do të dëgjojmë çdo ditë edhe më shpesh njërën krahë të thotë se ka punuar fortë për të rinjtë dhe krahun tjetër të thotë se nuk është bërë mjaftueshëm. Të dyja do të përfundojnë duke lakuar të njëjtën shprehje: Rinia është ardhmëria e vendit!

Problemi më i madh me këtë shprehje është se eliminon rininë nga e tashmja. Duke iu referuar gjithmonë të rinjve si e ardhmja, në mënyrë indirekte thuhet se ata nuk janë e tashmja, ose më saktë, nuk janë pjesë e rëndësishme e saj. Por a mund të thuash diçka të atillë kur të rinjtë janë një prej pjesëve më të rëndësishme të ekonomisë dhe ekonomia është lokomotiva e një shteti. Të rinjtë janë konsumatorë ndërkohë që shumë prej tyre punojnë e paguajnë taksa. Çfarë do ti ndodhte ekonomisë së shtetit nëse për një muaj asnjë person 16-25 vjeç nuk do të punonte dhe asnjë qindarkë nga persona 0-25 vjeç nuk do të shpenzoheshe? Çfarë do të ndodhte nëse për një vit asnjë student nuk do të paguante tarifën e shkollimit, librat, faturën e konviktit, qiranë e shtëpisë, daljet e pasdites dhe fundjavës, etj.? Nuk është nevoja të kesh studiuar për ekonomi për të kuptuar dëmin e konsiderueshëm që do i shkaktohej ekonomisë dhe rrjedhimisht shtetit. Kështu pra mendoj se rinia nuk është thjesht e ardhmja e një vendi por ajo është dhe e tashmja dhe si e tillë duhet të trajtohet nga vendimmarrësit dhe politik-bërësit.

Ky është një shkrim  që doja ta shkruaja prej kohësh. Pastaj, duke lexuar librin “Ferdydurke” nga Witold Gombrowicz u ndesha me këtë shprehje: “Fëmijët nuk janë ardhmëria sepse ata thjesht një ditë do të bëhen të rritur, por ngase njerëzimi po i afrohet gjithnjë e më shumë atyre, pasi fëmijëria është imazhi i ardhmërisë.” Kjo shprehje shkruar nga Milan Kundera në parathënie vijon me komentin e Franseco M. Cataluccio sipas të cilit: “Të gjitha regjimet politike, por në mënyrë të veçantë ato totalitare, i kthejnë shtetasit e tyre në fëmijë dhe përmbushin dëshirën që kanë njerëzit për të gjetur një kuptim, për të gjetur një Baba, duke siguruar me hir apo me pahir, të gjitha mundësitë për t’i rikthyer në fëmijë.”

Këto shprehje, të cilat përpos të tjerave dëshmojnë shijen time (të shkëlqyer) për librat, më zhytën në mendime. A është vërtetë rinia ardhmëria e vendit? Si fillim duhet thënë se vendimmarrjet e një shteti merren nga të rritur. Sado rëndësi që të kenë të rinjtë në ekonomi, vendimet për ta do të merren gjithmonë nga njerëz më të mëdhenj në moshë, pra të rritur, të cilët (supozohet) din çfarë po bëjnë e çfarë po ndodh në Shqipëri e në botë. Pra, me fjalë të tjera, të rinjtë nuk janë e tashmja për sa kohë ato nuk janë pjesë e vendimmarrjes. Por demokracia i jep të gjithë njerëzve të drejtën për tu shprehur lirshëm, do të thoni disa prej jush dhe unë do ju përgjigjem se demokracia është sistemi politik ku secili mund të thotë çfarë ndjen lirshëm por askush nuk ka për ta dëgjuar, dhe do e mbyll këtu debatin mbi demokracinë.

Dakord, të rinjtë ndoshta nuk kanë aq fuqi tek e tashmja por ato një ditë, pra në të ardhmen, do të kenë fuqinë e vendimmarrjes. Një ditë ato do të bëhen udhëheqësit e këtij vendi. Problemi është se kur të rinjtë të kenë pushtet ato nuk do të jenë më të rinj por të rritur. Nuk e di nëse pushteti korrupton njeriun apo tregon fytyrën e vërtetë të tijen, ajo që di është se shqiptarët, grekët, amerikanët e (thuajse) çdo komb tjetër në botë është i zhgënjyer nga pushtetarët e vetë ndër vite. Persona që dikur kanë qenë të rinj me ideale. Në Greqi, dhe i referohem Greqisë pasi kam njohuri të mira për atë shtet, flasin shpesh për brezin e “Polytechnio-s”, brezin që përmbysi diktaturën e djathtë të Georgios Papadopoulos më 1973/74. Rinia e asokohe që solli demokracinë, vite më vonë erdhi në pushtet dhe mori vendime të cilat ishin kundër parimeve dhe idealeve për të cilat kishin luftuar. Meqë jemi tek tema e rinisë që ndryshoi sistemin, çfarë u bë me brezin e 91-ishit që solli demokracinë në Shqipëri? Erdhi ndonjë prej tyre në pushtet dhe nëse po, luftoi për lirinë dhe demokracinë për të cilat ngriti zërin asokohe? Këtyre pyetjeve më mirë ti përgjigjeni vetë…

Për mos ta zgjatur më, mendoj se rinia është ardhmëria e vendit por kjo nuk garanton se kjo e ardhme do të jetë më e mirë. Nëse rinia rritet me gënjeshtra, parimet (e gabuara) e brezit të kaluar, anti-vlerat dhe korruptohet, atëherë keq më vjen por ardhmëria nuk do të jetë shumë ndryshe nga kjo e sotmja. Thonë se historia përsërit veten. Them që ajo gjithmonë do të bëj rrathë për sa kohë që rinia nuk të arsimohet, edukohet dhe rritet në mënyrën e duhur. Cila është kjo mënyrë? Të mësojë që e mira e përbashkët është mbi interesat personale. Të mësojë që njeriu duhet të këtë disa parime, vlera dhe ideale të panegociueshme, që nuk shiten pasi ato janë mbi individin. Të mësojë të mendojë në mënyrë kritike, të vlerësojë e të marr vendimet e duhura. Të mësojë të dojë përgjegjësinë dhe të mos i druhet asaj. Më e rëndësishmja, të mësojë të mos ketë frikë për të folur e për të kritikuar shkarravinat e shoqërisë, e më vonë për të punuar që ti ndreq ato. Rinia është dhe e tashmja e një vendi. Një tashme e cila fatkeqësisht do të jetë gjithnjë e dobët, nëse ajo mbetet apatike për çfarë ndodh në shtëpinë tonë të vogël në Ballkanin Perëndimor.