Fenomeni NEETs dhe Drop Out, këndëvështrimi i një të riu
17 Gusht, 2022
NEETs
23 Gusht, 2022

Zona Gri

Ligji: Akti formal të cilit i është njohur natyra detyruese dhe i është mirëpranuar në kuadër të pushtetit të monarkut në mesjetë ose në kuadër të vullnetit të sovranit në kohërat moderne.  Ndonëse një mjet qeverisjeje, shtet-formimi dhe shtet-organizimi që ka hasur aplikim dhe përsosje për shumë shekuj, legjislacioni vazhdon të ketë të njëjtin funksion dhe mbi të gjitha një ndër matësit e efektivitetit dhe suksesit të tij vazhdon ende të mbetet zbatimi dhe bindja civile e envokuar nga ligjet pjesë e tij.

Në parim çdo ligj është i detyrueshëm dhe a priori kjo është edhe cilësia që i jep ligjit efektin harmonizues dhe bashkërendues të veprimtarisë së shoqërisë njerëzore në çdo fushë të organizimit dhe funksionimit të saj, megjithatë a mund të shprehemi vërtetë se roli detyrues i ligjit është tipar tipikisht harmonizues? Natyrisht që jo. Në thelb ligji mbetet vetëm një mjet, pra nuk mbart një synim në vetvete, synimi ose objektivi është diçka me të cilën ai pasurohet në bazë të faktorëve të ndryshëm, pjesë te formulimit dhe miratimit të tij. Historia njerëzore ka dëshmuar vazhdimisht ligje jo efektive apo edhe më keq, ligje abusive. Në fakt ligjet abusive janë  thuajse të paevitueshme, pasi konceptet mbi të drejtat e njeriut janë vazhdimisht në zhvillim dhe pasurim duke ju bashkangjitur edhe diversitetit të formacioneve shoqërore sot, të cilat nxisin nevojën për ligje sa universale aq edhe specifike.

Të pasuruara nga eksperiencat e shumta historike, shtetet e sotme njohin të drejta si e drejta e protestës apo e drejta e peticionit, të cilat demokratizojnë procesin e bindjes ligjore pa cënuar sigurinë publike. Këto forma paqësore të mosbindjes civile janë vërtetuar tejet efektive dhe mëse të parrezikshme për palët e përfshira, sikundër në disa raste jo të rralla janë vërtetuar dhe tejet shqetësuese për palët qeverisëse autokratike, duke degraduar në dhunë policore të panevojshme dhe cënim të të drejtave të njeriut.

Patjetër edhe në vendin tonë mosbidnja civile është pjesë e sjelljes qytetare, disa herë në dakortësi me të drejtat kushtetuese dhe herë të tjera në një linja më të palegjitimuara. Ajo që veçanërisht përbën përshtypje  në rastin e protestave të vendit tonë është fakti se një pjesë e tyre nuk zhvillohen për të shpallur kundershtinë ndaj një ligji abuziv ose jo të përshtatshëm dhe në kohezion me zhvillimet që afektojnë popullatën. Në fakt një pjesë e mirë e protestave të zhvilluara sidomos dy vitet e fundit në vendin tonë kanë patur si funksion bindjen ligjore, pra sensibilizimin dhe kërkesën qytetare për zbatim të ligjeve dhe mosshkelje të parimeve të legjitimitetit e kushtetutshmërisë. Protesta të kesaj tipologjie mund të përmendim protestën për shembjen e Teatrit Kombëtar, protestën për vrasjen e një të riu nga një efektiv i policisë  përgjatë zbatimit të masave të diktuara nga pandemia e COVID19, protestën përpara Ministrisë së Brendshme për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor pas aksidenteve të shumta në akse të ndryshme të vendit apo protestat mbi rastet e përdhunimit të cilat janë një miks midis kërkesës për zbatimin e ligjit dhe kërkesës për përmirësimin e ligjit.

Patjetër që vendi ynë nuk është i vetmi vend me një tipologji të tillë të së drejtës për të protestuar, por sërish nuk mund të shprehemi që po hasim një model tërësisht të importuar nga jashtë. Përkundrazi do të sugjeroja ta shikonim si një tipologji e cila buron tërësisht nga realiteti politik dhe ligjor në vendin tonë.  Dukshëm mund të jemi duke folur për një keqinterpretim të konceptit të mosbindjes civile, megjithatë po flasim për protesta që u referohen nevojave tejet specifike të qytetarëve, të cilat për më tepër dëshmojnë për metoda qeverisjeje të cilat ose neglizhojnë ligje ose nuk i fuqëzojnë mjaftueshëm ato.

E ndonëse ndodhemi në një zonë gri, ku nuk mundemi ende ta cilësojmë qartë në rast se kemi të bëjmë me një zgjerim të konceptit të protestës apo me një keqinterpretim të tij ndodhemi përpara faktit që shteti ynë ka nevojë për bindje civile po aq, ose akoma më tepër seç ka nevojë për mosbindje civile. Një nevojë e cila vlen si për të qeverisurit ashtu edhe për qeverisësit.