Pse rinia është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë?
23 Gusht, 2022
Të dish (ÇFARË) të flasësh!
23 Gusht, 2022

Veçimi i të Veçuarve

Fakti më i mirëpranuar në shoqërinë tonë është ai se qeverisemi nga një regjim demokratik, ose për të qënë më të saktë, është fakti që priremi drejt një qeverisjeje të masës. Dukshëm demokracia është ndër format e qeverisjes që i ka rezistuar më mirë kohës dhe vijon të ketë një reputacion tejet pozitiv, diçka për të cilën i detyrohet sidomos shekullit të XX dhe implementimit të regjimeve totalitare naziste, fashiste dhe bolshevike, që tashmë dënohen rëndë nga memoria kolektive e kontinentit tonë.

Megjithatë do të ishte e kotë ta përkufizonim demokracinë thjesht si një filozofi dhe format qeverisjeje që aplikohet konkretisht një herë në dy vite. Në thelb, ashtu si çdo formë qeverisjeje, demokracia është jo vetëm mënyrë e formimit të veprimtarisë shtetërore, por qëndron edhe në themel të formimit të veprimtarisë shoqërore. Kjo përbën dhe arsyen kryesore pse sistemi ekonomik i tregut të lirë është kaq mikrpitës ndaj qeverisjes demokratike, ose siç do shprehem unë që tani e tutje: bashkëjetesës demokratike. Forma e demokracisë kërkon votën e masës; sistemi ekonomik kërkon  investimin, aftësitë prodhuese dhe kapacitetin blerës e konsumues të masës; sistemi ligjvënës dhe ligjzbatues kërkon bindjen e masës dhe morali e mentaliteti kërkojnë nënshtrimin e masës ndaj tyre. Pra, në tërësi, përpos lobimit të pakicës, është masa ajo që realisht e bën shoqërinë të vendoset në lëvizje. Një fakt kaq lehtësisht i dallueshëm përkthehet në nevojën për ekzistencën e një mase sa më homogjene dhe të standartizuar, pra të një mase sa më lehtësisht të identifikueshme e për rrjedhim, të influencueshme.  Diskutimit lidhur me funksionin e masës si organizim i individëve me qëllim influencimin e tyre i takojnë shumë argumenta, por nuk është ky fokusi i këtij artikulli.

Kriza më e madhe me të cilën na përball bashkëjetesa demokratike është kriza e identitetit individual, kjo pasi në bashkëjetesën demokratike shumica dhe pakica përbëjnë të dyja një masë njerëzish. Dallimi midis këtyre dy masave është vetëm numerik, pra kurrsesi konceptual. Sikundër mund të themi që nga ana ligjore personat me rekord kriminal janë masë e cila i kundërvihet masës së personave pa rekord kriminal e kështu me rradhë mund të vazhdojmë të identifikojmë masa për çdo kategori të veprimtarisë njerëzore nën demokraci. Tani natyrshëm përballemi me pyetjen: në rast se jemi kaq të identifikueshëm si pjesë e masës, atëherë a kemi vërtetë një identitet të veçuar prej saj? A ekziston identiteti individual në bashkëjetesën demokratike?

Një pyetje kaq e hapur merr disa dekada të mira studim për të marr përgjigjen që kërkon, megjithatë një qasje e caktuar ekziston. Qasja e elitarizmit: fryma se masa e cila përbën shumicën është jo vetëm më ‘e tkurrur’ nga ana e aftësive intelektuale por edhe e përçmueshme për shkak të kësaj veçorie e për rrjedhim individi më i ‘bymyer’ e veçon veten nga masat.

Si shembuj konkret në vendin tonë për këtë frymë do të prezantoja rastin e ‘Përputhen’ dhe debatin e zhvilluar përgjatë prillit të kaluar pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve parlamentare.

Prej disa sezonesh televizive tashmë, në kanalet tona mediatike transmetohet programi ‘Përputhen’. Ky program i cili si target group ka kryesisht të rinjtë, jo rrallë herë ka hapur debate mbi atë cfarë rinia e sotme përqas si modele të suksesit. Përgjatë zhvillimit të audicioneve për sezonin e ri rrjetet sociale u mbytën nga story dhe postime moraliste dhe elitariste, madje përbuzëse lidhur me personat që i trajtonin personazhet e programit si personazhe publike të admirueshme. Natyrshëm ajo që u tregua nga videot ishte shqetësuese dhe kurrsesi nuk mund të shpëtojë nga kritikat sociologjike, megjithatë postimet kritikuese ishin po aq shqetësuese. Fryma elitariste, nevoja e individëve për të mos u identifikuar me atë turmë sikundër dhe përbuzja ndaj asaj mase ishin  përmbledhja e asaj që u shfaq në rrjetet sociale. Pikërisht ky dualitet është elementi shqetësues për këtë situatë. Në vend të një diskursi të debatit publik rreth faktit që të rinjtë shqiptar po kequshqehen intelektualisht dhe po qasen drejt metodave të suksesit të cilat janë të pashëndetshme për ta, për ekonominë dhe për shoqërinë në tërësi, të gjithë u fokusuan sesi ka të rinj mediokër dhe ka të rinj që nuk janë mediokër, ku këta të fundit nuk janë masë por vetëm individë. Kjo ka bërë vetëm që mediokriteti të shihet jo si problem, por si identitet që mund t’i përkasë vetëm masës, por kurrsesi disa individëve.

Paralelisht në përmbyllje të zgjedhjeve qëndrore të vitit 2021 pati një diskurs të madh mbi masën ‘fshatare’ të korruptueshme dhe masën ‘mbetje politike të regjimit hoxhaist’. Ndonëse të dyja këto demografi votuesish janë tejet shqetësuese dhe reale në një nivel të caktuar, debati mori një diskurs tejet të shëmtuar dhe pesimist. Qasja e parë ishte ndarja veri-jug, dhe qasja e dytë elitariste: sulmi ndaj parimit “një qytetar një votë“. Ndonëse nuk dua t’i hyj historisë juridike të këtij parimi, më duket pak komike sesi po e vendosim në pikëpyetje domosdoshmërinë e zbatimit të tij. A priori, me ç’të drejtë do i ulim vlerën e votës dikujt kur ai po voton për diçka që do afektojë po atë? Së dyti, në rast se marrim qasjen elitariste, sipas së cilës vlera e votës do të përcaktohet nga arritjet intelektuale me çfarë bazash do ta aplikojmë këtë në vendin tonë? Minimalisht prisja që të rinjtë ta kuptonin që ligji është mbi të gjitha akt formal, i cili vepron po në mënyrë formale, pra në bazë të provave. Atëherë më thoni, në rast se zbatojmë këtë formulë a jemi të gatshëm të rrisim vlerën e votës për pedagogët dhe burokratët ndaj të cilëve kemi bërë mjaft kohë që po protestojmë? Sepse ligji epërsinë intelektuale atyre do ua njoh.

Në skenarin tjetër, e zëmë se parashikimi im është i gabuar dhe formaliteti ligjor minon të drejtën vetëm për personat që nuk kanë as arsim fillor, apo vetëm për masën fshatare a nuk përbën në thelb kjo një formë segregimi të shëmtuar elitarist? Patjetër që përbën sepse në vend të vihemi në lëvizje që masa të edukohet dhe ndryshojë ne thjesht e identifikojmë atë dhe përpiqemi t’i veçohemi. Është realisht komike sesi diskursi në vend të luftës ndaj korrupsionit apo kandidatëve që korruptojnë u fokusua te të korruptuarit. Gati gati sikur korruptimi i tyre nuk tregon sesi për ata nuk përbën dallim kush fiton zgjedhjet sepse nuk do të përmirësohet nën asnjë mënyrë niveli i tyre i mirëqenies. Zgjidhja qenka t’i veçojmë sikur nuk janë mjaftueshëm të veçuar ende.

Për ta përmbyllur, në bashkëjetesën demokratike njeriu në kërkim të identitetit individual mohon identitetin e tij kolektiv. Shembujt e mësipërm janë thjesht majë ajsbergu, sepse në thellësi të tij qëndron  thjesht fakti që njeriu tashmë e identifikon veten me mendimet dhe qëndrimet e tij në vend ta identifikojë atë me veprat për të ndryshuar masën. Qasja elitariste, ashtu siç është provuar përgjatë periudhave të ndryshme historike, sidomos në politikat imperialiste, ndërton vetëm barriera ripërsëritëse dhe të pathyeshme me kalimin e kohës. Veçoi të rinjtë se ndjekin përputhen, ata do përfundojnë duke e parë si pjesë të pandashme të vetes së tyre, sepse asaj mase të krijuar i përkasin dhe për rrjedhim nuk do të ndryshojnë asnjëherë. Sikundër uli vlerën e votes një të paarsimuari ai thjesht do të veçohet akoma më shumë nga jeta dhe edukimi politik dhe do të jetë po më lehtësisht i korruptueshëm.

Ajo që duhet të gjithë të kuptojmë është që të paturit një identitet si masë nuk do të thotë të paturit një identitet statik dhe të pandryshueshëm dhe pikërisht kjo është hapësira ku krijohet identiteti individual. Në vend të debatit kush është më lartë e kush është më poshtë, duhet të zhvillohet debate si do të bëjmë të mundur që të jemi të gjithë në përmirësim të vazhduar. Patjetër të paturit mendime dhe qëndrime është e rëndësishme, por të paturit një identitet individual në bashkëjetesën demokratike kërkon dicka më shumë se kaq, kërkon veprim. Ashtu sikundër zinxhiri që të forcohet nuk kërkon që të këputet por që t’i forcohet hallka e tij më e dobët.