Nostalgji për qytetin tim
23 Gusht, 2022
Integrimi Rinor Europian
23 Gusht, 2022

Rinia Shqiptare Drejt 2030

Si individë, ne nuk mund të bëjmë ndryshime të mëdha, por mund të bëjmë veprime të vogla që do të kontribuonin në arritjen e objektivave tona të përbashkëta. Si të rinj, ne përballemi me një përgjegjësi më të madhe ndaj punës së dedikuar për secilin nga Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe kjo sepse e ardhmja është më afër nesh si të rinj.

Unë besoj se ajo që nënkuptojnë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm është një e ardhme ku të gjithë trajtohen si të barabartë, mbahen të sigurt dhe të shëndetshëm, ku burimet tona përdoren në mënyrë të zgjuar dhe që gjithashtu fokusohet në përmirësimin e mbrotjes mjedisore e rritjes ekonomike. Fatkeqësisht, nga ne është e perceptuar si një axhendë ndërkombëtare për të cilën duhet të shqetësohet vetëm qeveria.

Fusha e shkencave shoqërore shpesh përballet me një sfidë që konsiston në ndryshimin e mentalitetit, por shumica e strategjive të krijuara nuk duket të jenë të suksesshme, e sidmomos për grupe të caktuara moshore, shtresa sociale apo ekonomike, e për shumë grupe interesi. Të rinjtë janë me mendje të hapur, ata pajtohen se bota po ndryshon, dhe më e rëndësishmja, ata pranojnë se ka pasoja për veprimet e tyre dhe se ata do të ndikohen prej tyre. Të tillë, ata përfaqësojnë një nga pak komunitetet që kanë potencialin për të sjellë ndryshime aktuale në situatë, edhe pse mund të vuajnë mungesën e aktorëve mbështetës në procesin e avokimit. Kjo është arsyeja pse ata duhet të jenë objektivi kryesor në procesin e shkëmbimit të informacionit në lidhje me OBZh -të.

Unë besoj se arsyeja kryesore pse OBZH -të kanë rëndësi për të rinjtë në Shqipëri është sepse ne jemi të etur për të mësuar dhe arritur. Situata në lidhje me emigracionin e të rinjve është një faktor që demonstron qartë vullnetin e të rinjve për një jetë më të mirë, punësim, arsimim. Siç mund të kuptohet, ajo që po ndodh është se energjia që duhet investuar për të përmirësuar situatën në Shqipëri në të vërtetë po i kushtohet një drejtimi “të gabuar”.

Gjatë nëntorit të vitit 2019, gjatë një vizite në Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Tokio, një raport mbi ecurinë e punës në përmbushjen e Axhendës 2030 u prezantua në emër të vizitës së përfaqësuesve nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Mali I Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina). Nga 17 SDG, asnjë nuk ishte arritur në atë kohë në Shqipëri. Objektivat  karakterizoheshin nga sfida të mbetura, domethënëse dhe të vështira për t’u tejkaluar. Rekomandimi kryesor i dhënë të rinjve ishte bashkëpunimi në ËB6 në mënyrë që të arrihet përparim në arritjen e SDG -ve. Por, lind një pyetje; si mund të bëjë diferencën një grup i shoqërisë, i cili nuk përfaqësohet siç duhet nga instancat e qeverisjes dhe që nuk ka mbështetjen ekonomike, politike dhe ndoshta shoqërore?

Përgjigja duhet të gjendet në një nga virtytet e qytetarisë aktive, avokimit. Ne duhet të pranojmë se sfida kryesore e jo vetëm të rinjve në Shqipëri e shteteve e tjera të ËB6, por edhe brezave të tjerë, është krijimi i edukimit të demokracisë. Nëse ne jemi të gatshëm të jemi realistë në këndvështrimin tonë, ne duhet të pranojmë se aktualisht, të rinjtë nuk kanë mjetet për të bërë ndryshime të rëndësishme, dhe kjo sepse Shqipëria ende duhet të vendosë një grup standardesh bazë në sistemet e saj, (arsim, shëndetësi, etj.). Nëse avokimi u mësohet të rinjve, situate mund të ndryshojë, por gjithsesi, arsimi duhet të investohet me inovacion dhe jo vetëm nga ana logjistike, por dhe ajo ideologjike. Pa arsimin e duhur, ne nuk mund të kemi një avokim efektiv.

Arsimi është një faktor kyç në arritjen e OBZH -ve, dhe megjithatë, ai ka nevojë për një ndryshim total në Shqipëri. Të rinjtë janë produkti më i fundit i sistemit arsimor dhe kanë më shumë gjasa të krijojnë një opinion të vlefshëm për gjërat që duhet ndryshuar. Shumica e kurrikulave apo edhe qasja ndaj mësimdhënies janë të stilit të vjetër dhe rezultuan të jenë joefektive në tregun global, apo edhe në kontributin në arritjen e Axhendës 2030. Nëse të rinjtë duhet të vendosin, ata do të donin të zëvendësonin lëndët e vjetra dhe të panevojshme me aftësitë e jetës, shëndetin, modulet e mbrojtjes së mjedisit, menaxhimin e burimeve, të cilat janë në thelb gjëra me të cilat përballemi në jetën e përditshme. Nëse të rinjtë do të fuqizohen në këto fusha, ata do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi që mbështet edhe disa nga objektivat e Këshillit të Evropës; promovimi i dialogut ndërkulturor (i cili ndihmon në procesin e pajtimit në Ballkanin Perëndimor), edukimin mbi të drejtat e njeriut, pjesëmarrjen, qytetarinë aktive, etj.

Rekomandimi për të punuar si rajon në arritjen e  Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm mund të jetë një detyrë e vështirë për ne. Mentaliteti dhe stigma ende ndikojnë në marrëdhëniet midis vendeve. Megjithatë, marrëdhëniet janë të ndryshme midis të rinjve në këtë fushë. Me ndihmën e dialogut ndërkulturor, të rinjtë mund të krijojnë një miqësi që mund të ndryshojë marrëdhëniet e brezave të ardhshëm. Edhe pse lufta ka mbaruar në Ballkan, mbizotërojnë marrëdhëniet e dobëta apo jo korrekte diplomatike. Investimi në pajtim nënkupton zgjidhje për më shumë se një OBZH; rritja ekonomike, paqja, partneritetet për qëllimet, etj.

Rinia gjithashtu përfaqëson pjesën më të madhe të popullsisë që është e interesuar dhe bën veprime për ndryshimet klimatike, dhe kjo nuk mund të lihet pa u theksuar. Ndonëse në nivel global ndotja që prodhohet nga Shqipëria është tërësisht e pakonsiderueshme, ne sërish përballemi me sfida të cilat reflektojnë në shëndetin e qytetarëve; ndotja e ajrit dhe ajo e ujërave, ndryshimet klimaterike, prishja e habitatit për ndërtimin e veprave shtetërore duke penalizuar biodiversitetin apo ekonominë lokale, etj.

Pra ka shumë për të folur në lidhje me Axhendën 2030, por ajo që është më e dukshme, nuk është vetëm fakti se të rinjtë duhet të avokojnë vazhdimisht për zbatimin më me seriozitet të kësaj axhende. Ju ftoj t’I hidhi një sy Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm. Jam e sigurt që aty do të gjeni qindar gjëra të cilat mund t’I bëni dhe vetë!

Kështu, vërtet bëheni ndryshimi që do të donit të shihnit në vendin ku jetoni!