Pse të rinjtë duhen të merren me politikë?
23 Gusht, 2022
Cilës kohë i përket rinia?
23 Gusht, 2022

Qeshu rini, pikërisht se bota nuk është e jotja!

Vargu i famshëm i Migjenit “Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote” është vulosur fuqishëm në kujtesën kolektive të kombit tonë. Aq sa shpresëdhënës, po aq edhe goditës i një realiteti të cunguar, shprehja ngrihet mbi premisat e një të ardhmeje që i përket rinisë. Ideja që prezantohet është se rinisë nuk ka pse t’i duket e frikshme e ardhmja, për sa kohë që ajo e ka vet në dorë ta ndërtojë atë sipas vizionit të saj. Për të realizuar këtë, rinisë i mjafton kreativiteti për t’i dhënë botës fytyrën e vet.

Por sikurse vihet re, ftesa që Migjeni i ka bërë rinisë shqiptare vazhdon edhe sot të ngelet e papranuar. Demotivimi, mungesa e shpresës dhe sidomos dëshira për emigrim kanë kapluar qeniet rinore duke degraduar misionin e tyre, nga ‘të ardhme-formuese’ në ‘të ardhme-frikësuese’. Pasiguritë e një realiteti që ndryshon vazhdimisht në mënyrë arbitrare dhe rrafshimi i mundësive për të shpalosur potencialet e reja, e kanë bërë të ardhmen të frikshme.

Por të kuptuarit se kohët që do vijnë janë të dridhërueshme, nuk ka pse të jetë një fund, veçse një fillim i ri. Fundja, në analizën më cinike të mundshme, kohët nuk kanë ardhur ende; ato janë tani. Dhe tani ne mund të përpiqemi që çka do vijë të jetë më e mirë se çka është. Në vend se të demoralizohemi nga vështirësitë, ato duhet t’i kalojmë prapa kurrizit dhe t’i shndërrojmë në forcën më të madhe shtytëse, që shërben si motivimi kryesor për të ecur përpara.  Për këtë kërkohet guxim për të ideuar alternativa të reja dhe kurajo për të kritikuar gjërat që nuk na pëlqejnë.  Sikurse shprehej dhe shkrimtari i madh gjerman Gëte “E keqja hidhet poshtë duke e tallur.”

Bota nuk është e jona e ndoshta s’ka për të qenë kurrë, por është pikërisht ky fakt që zgjon qëllimin për t’u përpjekur për ta bërë tonën; pa u mërzitur për atë që s’kemi, por duke qëndruar optimist për atë që mund të kemi. Ndaj, qeshu rini, pikërisht se bota nuk është e jotja.