Rrallë herë janë shifrat aq alarmante sa nuk kanë nevojë të analizohen. Në vendin tonë edhe shifrat e kanë gjetur mundësinë të shfrenohen zhurmshëm. Sipas një studimi nga KRK për vitin 2019, 84% e të rinjve në Shqipëri nuk janë aspak të interesuar për politikën. Vetëm 8% e tyre janë të angazhuar në ndonjë parti dhe pjesa tjetër janë të interesuar por jo të angazhuar. Kambanë alarmi kjo, që siç e do dhe shprehja, bie për të gjithë.
Normalisht që vakumi i lënë nga të rinjtë në politikë mbushet nga antitezat e vlerave që ato përfaqësojnë. Nëse të rinjtë janë idealistë, inovatorë dhe anti-konformista, realiteti politik pasqyron të gjitha të kundërtat e këtyre: pragmatizëm të dëmshëm, vjetërsi e padobishme dhe konformizëm të paarsyeshëm. Këto antiteza, të lëna të pakonkurueshme për një kohë të gjatë, kthehen në standardin e përditshmërisë politike, duke helmuar kështu gjithçka për të cilën politika qëndron. E zhveshur nga vlerat, ajo rrëmbehet nga të shtrembëtat që shembin mundësinë e krijimit të një të ardhme të mirë. Sikurse thotë dhe Kadare në librin e tij ‘Mosmarrëveshja’: “Kombi futet në varr kur antivlerat bëhen vlera.”
Pikërisht kur artikulohet ky problem, lind përgjigja e pyetjes së shtruar në fillim. Të rinjtë duhet të merren me politikë sepse angazhimi i tyre është antidoda që i përgjigjet sëmundjes së ambientit politik shqiptar. Pjesëmarrja nuk kërkon ndonjë akt heroik të ndonjë të riu të veçantë, me fuqi të mbinatyrshme intelektuale dhe vullnet të pabesueshëm guximtar. Përkundrazi, është më e thjesht se kaq. Çka na kërkojnë kohërat është një angazhim i gjithanshëm i një gjeneratë të re e cila nuk pranon t’i nënshtrohet modelit të vjetër të politik-bërjes.
Idetë, nëse nuk rinovohen, qullen dhe shndërrohen në kopjen më të shëmtuar të vetvetes. Për të krijuar një qarkullim sa më të rrjedhshëm idesh, mjedisi politik duhet ushqyer nga të rijnë të cilët hapin hapësira për kritika ndaj gjërave që nuk shkojnë, mënyra të reja organizimi, mendim të ri politik, por mbi të gjitha kurajo të freskët për t’i dhënë politikes një standard që frymëzon ndryshim.
Për t’i shtuar zjarrm imagjinatës vjen në ndihmë pyetja: Çdo ndodhte nëse 84% e të rinjve do ishin të interesuar mbi politikën? Një grup shoqëror kaq i ndezur minimalisht do mund ta presiononte vendimmarrjen të ishte më korrekte me përgjegjësitë e saj dhe të ishte më e sinqertë ndaj premtimeve që jep. Maksimalisht, kjo vendimmarrje zhgënjyese do tkurrej në minimumin e vet dhe vakumi që të rinjtë lënë sot në politikë s’do ekzistonte. Ajo që do ekzistonte, do ishte pak më shumë shpresë e pak më shumë prosperitet. Pak më shumë normalitet!