Sipas statistikave nga INSTAT, grupmosha 16-29 vjeç (mosha që përbën juridikisht rininë), zë rreth 22% të shoqërisë sonë. Rreth kësaj shifre, është dhe grupmosha e pensionistëve në Shqipëri. Ndërkohë që padyshim të dyja grupmoshat marrin të njëjtën sasi vëmendjeje (ose mungesë vëmendjeje) nga instancat qendrore të vendimmarrjes, ajo ndaj rinisë jo vetëm ka më shumë vëmendje praktike, por edhe më shumë sy që e shohin me shpresë. Natyrshëm lind pyetja PSE? Pse rinia është një pjesë kaq e rëndësishme e shoqërisë?
Përgjigja e parë vjen në planin ekonomik. Rinia është shtresa e taksapaguesve të ardhshëm, sa më shumë edukim profesional a akademik ata marrin, aq më shumë rritet probabiliteti që të kenë sukses në fushat e ekonomisë, ergo aq më shumë taska do paguajnë. E konsideruar si pjesë e së ardhmes, filozofia e rritjes së vëmendjes ndaj rinisë ndjek idenë se për të pasur një të ardhme të mirë duhet të fillojë përgatitja që në të tashmen, e ndaj rinia merr një vëmendje specifike nga shumë aktorë të shoqërisë civile, politika por edhe agjentë të tjerë të shoqërisë. Megjithatë rëndësia e rinisë as nuk fillon e as nuk mbaron këtu.
Qëmtimi i pyetjes në nivel pragmatik edhe mund ta banalizojë atë. Rinia në fakt rëndësinë e merr nga atributet që ajo përmban. Mjafton të analizojmë shpirtin e një të riu për të portretizuar rininë mbarë. Rebel, anti-konformist, idealist, shpresëplotë por mbi të gjitha i motivuar të ëndërrojë dhe gjithçka. Duket sikur rinia është njëkohësisht dhe pjesa më emocionale e jetës dhe pjesa më e lëvizshme e saj. Ose thënë në fjalët e shkrimtarit Gorki: “Të rinjtë janë lulet e jetës”.
Është pikërisht lëvizshmëria që karakterizon rininë, ajo e cila i jep një shoqërie të tërë gjallëri, elokuencë në veprimtari dhe rrjedhshmëri në mendim. Një valvul e madhe që pompon vazhdimisht risi në makinerinë ku funksion shoqëria, kështu mund të përkufizohet ndryshe rinia. Dhe është në këtë përkufizim, ku del në pah rëndësia e vërtetë e rinisë. E këtillë, ajo i siguron shoqërisë diçka jetike: ndryshimin (fjalë kjo e shkruar në kuptimin më të parë të saj, e cngarkuar romantikisht). Një shoqëri e cila nuk riprodhon vetveten në makineri akoma dhe më efikase, është një shoqëri që natyrshëm ngel në vendnumëro. Rinia, si garant i ofertave inventive, arrin që ta prezantojë shoqërinë me alternativa të reja, të cilat sfidojnë mënyrën e establishmuar të funksionimit të përditshmërisë. Jo pak herë, rinia, a në të tashmen a në të ardhmen, arrin madje edhe t’ia imponojë shoqërisë të tilla alternativa.
Ne e dimë se ku jetojmë dhe e vërtetë është se shoqëria mundet që edhe të rri e shurdhërt, stoike dhe e verbër ndaj këtyre alternativave, madje duke mos krijuar një habitat të shëndetshëm ku t’i kultivojë ato. Por asnjëherë asgjë s’është e thjesht. As të luash rolin që të takon si zakon ta bësh, nuk është e thjeshtë. Megjithatë, kjo rëndësi që rinia ka për shoqërinë është një privilegj, i cili shoqërohet normalisht me përgjegjësinë e tij. Përgjegjësia e rinisë është që duhet të luajë rolin e saj, edhe kur askush tjetër nuk do. The future is now!