Të gjithë e dimë që Durrësi është një nga qytetet më të lashta që vendit tonë,me mbi 3 mijë vjet histori. Nga të gjithë legjendat, faktet dhe gjetjet arkeologjike, ne dimë se Durrësi është i mirënjohur si një pikë e rëndësishme strategjike, me një histori të pasur dhe me një trashëgimi e cila pavarësisht tërmeteve, përmbytjeve, regjimeve, ia ka dalë të rezistojë për t’u shfaqur para syve tonë sa herë ne ecim në qytet apo gërmojmë një grusht dhe.
E megjithatë, Durrësi nuk i ka rezistuar politikës së 30 viteve të fundit. Të gjithë jemi dëshmitarë të shkatërrimit të një qyteti madhështor, e transformimit të tij total.
Nuk na duhet të paguajmë ndonjë biletë për të parë çdo ditë pikat historike të qytetit. Jemi të lidhur ngushtë me këto vende dhe na vjen keq sa herë që në themelet e një pallati që do të ndërtohet, ne varrosim copëza të vogla të qytetit tonë të lashtësisë për të ndërtuar disa gjigandë betoni të cilët janë të vetmet gjëra në qytet që tashmë bëjnë hije.
Ne na vjen keq kur shohim se si pikat arkeologjike “të mbrojtura nga shteti”, dhunohen nga njerëz të cilët pa të keq hyjnë me forcë në këto vende dhe shkatërrojnë tashmë “brenda kornizave ligjore” jo vetëm trashëgiminë, por dhe krenarinë për atë çka na bën unikë në botë, e na lënë vetëm me një nostalgji të vakët, e cila gjithnjë ndihet fatkeqe.
Këto vende të mrekullueshme dhe nga më të rëndësishmit e Ballkanit në disa raste, po shkatërrohen dita-ditës sepse askush nuk po i mbron dhe as po i kushton vëmendje. Dhe këtu qëndron dhe problemi. Humbur në vazhdën e neglizhimit dhe harresës, tashmë edhe vetë banorët e Durrësit kanë harruar se shtëpia e Fan Nolit qëndron e përhumbur në një cep të qytetit, e nuk e dinë aspak se nën dhëmbët e një gjigandi prej betoni, fshihen segmente të portit antik të qytetit, atje ku ankoroheshin anijet e mahnitshme Liburne, krenare të shikonin brigjet e një vendi të mrekullueshëm.
Në secilin në këto vende ku dikur qëndronte një polic dhe vazhdon me sa dimë që të jetë e detyrueshme, tani pa frikë mund të thuash se shikon një roje nën petkun e tregtarit, që për pak para lejon kuriozët të luajnë me trashëgiminë e qytetit. Vendet që duhet të ishin të hapura për publikun në mënyrë që t’i falnin pak krenari të rinjve që po emigrojnë me grushte, tani fshihen të pluhurosura, gati sikur po vrapojnë vetë nga drita e promovimit nën kauzën e turizmit.
Kemi dhe monumentet e kulturës. Nuk ka qenë asgjë tjetër përveç një çështjeje kohe përpara se ato të kthehen në pika strategjike për ndërtime të reja. Të paktën asnjë nga këto gjëra nuk shihen përtej sezonit veror. Qyteti mbetet i qytetarëve, të cilët e dinë se dhe po të ngrenë zërin, askush nuk do t’i dëgjojë. Dritat fiken, vendet mbyllen, stafet e kujdesit përgjumen, dhe në dimër të gjithë e harrojnë se Durrësi është një qytet madhështor i historisë.
Dhe askush nuk gjykon askënd, sepse të gjithë po ikim.
Nuk ka rëndësi ajo për çka ne, banorët e Durrësit, e dimë të gjithë. Amfiteatri i Durrësit duhet të ishte për ne si Koloseu i Romës. Sheshi i Tregut, që ne e njohim të gjithë, është bërë një lulishte ku njerëzit mund dalin për të luajtur me top ose për të trajnuar qentë e tyre. Termat janë bërë liqene të vogla me ujë. Torra është një kafene e braktisur. Vila e Zogut është një kështjellë me fantazma. ”Ushtari i Panjohur” është një tablo gjigande. Dhe themi se turistët e kanë lënë pak Durrësin në harresë, sa herë nuk arrijmë numrat që duam.
Nëse duhet të bëjmë dicka duhet ta bëjmë shpejt. Një nga pikat më të rëndësishme të Mesdheut të lashtë, po kthehet në një shaka të lashtë.