Zona Gri
23 Gusht, 2022
Pse rinia është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë?
23 Gusht, 2022

NEETs

Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 në vitin 2020, numri i të rinjve të papërfshirë në arsim, punësim dhe trajnim, pësoi një rritje të menjëhershme. Kur një fenomen merr përmasa të mëdha, bëhet e vështirë gjetja e metodave për zgjidhjen e tij. E njëjta gjë vlen për NEETs, andaj është i rëndësishëm parandalimi i kësaj problematike duke e trajtuar atë që nga zanafilla dhe duke zbuluar arsyet, pas të cilave qëndron largimi i të rinjve nga sistemi arsimor, endja si të papunë dhe mosangazhimi në trajnime.

Ngjarje traumatike që ndodhin në fëmijëri, të tilla si abuzimi, braktisja, sëmundjet e shëndetit mendor të prindërve, divorci, përdorimi i substancave, burgimi dhe dhuna familjare, sjellin si pasojë një vetëbesim të ulët, cenueshmëri, arritje të dobëta paraprake dhe një rrjet të ngushtë mbështetjeje. Këta të fundit janë faktorë që lidhen drejtpërdrejtë me NEETs. Stafi shkollor ka një rol thelbësor në identifikimin dhe trajtimin e këtyre faktorëve, në mënyrë që të ndihmojnë të rinjtë në rrezik dhe t’i drejtojnë te një e ardhme më e sigurt.

Si rezultat i përjashtimit social, veçanërisht të përjashtimit nga shkolla, mobiliteti i ulët social është një problem ekzistent në shumë familje të shoqërisë tonë dhe shkolla duhet të jetë mjedisi ku mund të rregullohet kjo disbalancë. Drejtuesit e shkollave duhet të ndërgjegjësohen për koston sociale dhe ekonomike që mbart përjashtimi i nxënësve në terma të shëndetit, kualifikimeve, punësimit dhe kriminalitetit. Ata duhet të rishikojnë masat disiplinore apo etikën e sjelljes, si dhe të fokusohen në rezultatet pozitive dhe sjelljet e dëshiruara, në mënyrë që nxënësit të kenë shanse të larta dhe të barabarta për sukses. Në shumicën e rasteve, sjelljet e papërshtatshme të nxënësve lindin nga frika dhe nga një sfond cenueshmërie. Këta nxënës duhet të mbështeten dhe përfshihen më tepër, ndërsa stafi shkollor nëpërmjet praktikave të caktuara duhet të inkurajojë te nxënësit sjelljet e duhura. Të gjitha këto masa duhet merren, me qëllim që nxënësit e përjashtuar të mos bëhen pjesë e kategorisë NEETs. Përgjithësisht, përjashtimi nga shkolla çon në një izolim më të mëtejshëm nga shoqëria.

Ndodh që stafi i mësuesve të mos jetë i aftë në identifikimin e shkaqeve të vështirësive në sjellje, në përmbushjen e nevojave sociale, emocionale dhe atyre të shëndetit mendor të nxënësve të tyre. Si rrjedhojë, është e domosdoshme që mësuesit të trajnohen në lidhje me zhvillimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve, me qëllim që të iniciojnë ndërhyrjen e duhur dhe të përshtasin strategjinë e të mësuarit. Gjithashtu, shkollat në partneritet me agjenci të jashtme mund të kontribuojnë në riintegrimin e të rinjve në komunitetin e tyre. Këto shërbejnë si metoda që nisin me nivelin shkollor për parandalimin e përfshirjes së të rinjve në grupin NEETs.