Të dish (ÇFARË) të flasësh!
23 Gusht, 2022
Fëmijët në situatë rruge
23 Gusht, 2022

Ka ardhur koha ta ribëjmë arsimin. Është gati e pamundur të mendoni ndryshe

Debate në lidhje me këtë çështje është bërë prej vitesh një pikë e nxehtë diskutimi në aktualitetin shqiptar, e sidomos për të rinjtë. Tashmë, rinia me një akses më të madh në informacionin që ndahet në rrjete sociale, është e aftë të bëjë një reflektim mbi situatën e arsimit shqiptar, çfarë mundet dhe çfarë duhet të jetë.

Mua më pëlqen të mendoj se çdo brez i dalë nga bankat e shkollës mund të të thotë ekzaktësisht se çfarë nuk shkon me të. Edhe pse në vitet e fundit kemi parë inovacione të ndryshme, duket se qëndrimi ndaj arsimit shqiptar mbetet po i njëjti, dhe përfundimet e atyre që mbarojnë studimet nuk kanë asnjë ndryshim nga viti paraardhës.

Në bazën e problematikave në arsim, sipas të rinjve në vendin tonë, qëndrojnë tre çështje kryesore; kurrikulat e keqpërshtatura ose të panevojshme, mungesa e trajnimit të mësuesve dhe gjithashtu mungesa e praktikave, (të treja këto janë të mbështetura nga konsultimet e kryera me të rinjtë gjatë turit të Delegatëve Rinorë në OKB dhe eksperienca të tjera nga puna me të rinjtë). Secila nga këto problematika ndikon në mënyrë të dukshme në ecurinë shkollore të studentëve e gjithashtu edhe në tranzicionin organik nga bankat e shkollës në tregun e punës.

çështja e kurrikulave mendoj se mbetet problemi kryesor me të cilin të rinjtë duhet të përballen sot. Duket se ato çka jemi të detyruar të mësojmë deri në gjimnaz, janë kurrikula gati të pandryshuara që nga ato të zhvilluara prej nevojave që paraqiste shoqëria rreth periudhës së zhvillimit të Luftës së Dytë Botërore. Tashmë, pas 12 vitesh të mësuari intensive në ciklin 9-vjeçar  dhe atë të mesëm, më mbetet të them se në mënyrë ironike unë nuk mbaj mend asnjë nga formulat për të cilat kam bërë aq shumë provime, dhe më e keqja është se në jetën e përditshme nuk më është dashur të përdor shumë nga informacionet që kam marrë përgjatë viteve të shkollës. Nxënësit bombardohen çdo ditë me shumë të dhëna të panevojshme dhe sapo ato dalin nga bankat e shkollës, kuptojnë se ata nuk janë gati për asgjë nga ato që i pret. Është fakt që shumica e të rinjve nuk dinë t’i drejtohen institucioneve për të zgjidhur problematikat që kanë a të shkruajnë një letër zyrtare, nuk i njohin të drejtat e tyre kushtetuese apo ato të njeriut, dhe u mungojnë shumë aftësi praktike të cilat humbasin mundësinë t’I mësojnë kur dhe mësuesit neglizhojnë lëndë mësimore si Edukata Qytetare, TIK, Arte, modele të tjera kurrikulare, etj.

E kështu, dalim në problemin e dytë madhor, I cili është mungesa e trajnimit të stafit akademik në shkolla. Fatkeqësisht, roli I mësuesve është shpesh I keqinterpretuar, dhe nuk nxjerr në pah dhe problematikat me të cilat ata hasen në punë. Ata marrin gjithashtu një arsim me kurrikula të prapambetura, dhe trajnimet që I ofrohen për kredite janë thjesht procedura të cilat përsëriten çdo vit, me po të njëjtat tema të cilat nuk ofrojnë asnjë risi në përputhje me sfidat me të cilat përballen mësuesit sot. Përpos kësaj, ata japin mësim në kushte të vështira, me mungesë të theksuar të mjeteve dhe stafit ndihmës, me dhjetëra dokumenta të cilat duhet t’I përditësojnë nga dita në ditë në mënyrë deri diku të pakuptimtë. Kështu, si mund të pritet nga një mësues të implementojë metoda moderne të mësimdhënies dhe të përcjellë informacionin që nxënësit kërkojnë të kenë? Pa përmendur faktorin mentalitet, I cili ka krijuar një kulturë orientimi drejt lëndëve shkencore dhe neglizhim total ndaj lëndëve shoqërore, duke I hequr të drejtën studentëve të përfitojnë disa aftësi për të cilat do të kenë nevojë përgjatë gjithë jetës.

Për sa I përket praktikave? Duket se ky standard qëndron shumë larg realitetit me të cilin duhet të përballemi.  Me investime të ulëta, mund të thuhet me plot gojë se nxënësit që mbarojnë gjimnazin apo studentët që mbarojnë studimet universitare përgjithësisht nuk janë aspak të përgatitur me anën praktike të profesionit të tyre apo se çfarë I pret në tregun e punës.

Pa u përpjekur për ta thënë me fjalë të tjera, sistemi arsimor me të cilin jemi rritur nuk është shpërblyes, por përkundrazi, ndëshkues, sepse askujt nuk i mësohet se prioritet është dija, por nota që marrim. Edukimi tashmë nuk është i perceptuar si një proces rritës dhe zhvillues, por thjesht si një fazë reformimi në të cilën duhet të kalojmë të gjithë, për të mësuar normat e shoqërisë shqiptare, ku një pjesë e madhe I dedikohet një sistemi të korruptuar I cili është I predispozuar të na përndjekë gjithë jetën.

E megjithatë, ka ende shpresë. Brezi I të rinjve shqipëtarë, siç u përmend edhe më sipër, di se çfarë kërkon nga arsimi në vendin tonë, dhe me anë të mjeteve dhe vetë-aksesueshmërisë së informacionit, ka treguar se ka dëshirën të sjellë një ndryshim në vendin tonë. Kështu, na mbetet të avokojmë shumë për ndryshimin që duam të arrijmë, me anë të qëllimeve të qarta, ndërmarrjeve konkrete dhe dialogut të përhershëm mes palëve.