Shqipëria ka nisur një rrugëtim i cili është drejtuar në Bashkimin Europian. Kjo prek në mënyrë të drejtpërdrejtë popullsinë e re. Po sa është kjo popullsi?
Nuk ka të dhëna të sakta se sa është popullsia e të rinjve në Shqipëri (ligji për rininë citon se i ri quhet një individ nga 18-29 vjeç), edhe pse Ligji për Rininë ka hyrë në fuqi qe prej shkurtit 2020. Edhe po të kishte nuk besoj se do ishin të sakta pasi mbi 80% e të rinjve në çdo studim deklarojnë se ose duan të ikin ose do të ikin jashtë vendit për një të ardhme më të mirë.
Po ku e le kjo deklaratë Shqipërinë në lidhje me Bashkimin Europian dhe pse shifrat e largimit janë për tu shqetësuar?
Mendoj se përgjigja është e thjeshtë. Kur e sheh në aspektin social, duket se të rinjtë nuk po presin politikën që ti anëtarësojë në Bashkimin Europian ama po gjejnë vetë mundësi që të ‘anëtarësohen’ pa një proces socio-politiko-ekonomik. Ata, çdo ditë e më shumë, po largohen drejt vendeve tashme pjesë e Bashkimit Europian dhe po integrohen atje me qellim për të krijuar një jetë më të mirë, për një standard jetese më të mirë apo qoftë dhe sepse nuk ju pëlqen fytyra e atyre që ne kemi në parlament. Kjo nuk është çështja. Çështja është se këta të rinj, me pamundësinë që kanë për të krijuar një jetesë të sigurt dhe se si e duan ata në këtë vend, po arrijnë që anëtarësimi i Shqipërisë të jetë në mos i ngadaltë, i pasigurtë.
Nëse ky trend do vazhdojë të jetë në rritje dhe për 10 vjeçarin e ardhshëm atëherë i gjithë thelbi i procesit të anëtarësimit mendoj se është i kotë dhe siç thotë populli “është pa bereqet”. Gjithë ky proces ka në qendër të rinjtë dhe bëhet në emër të së ardhmes por nëse kjo e ardhme ikën bashkë me të tashmen atëherë është punë pa bereqet.
Një miku im thotë se ne jemi shumë të mirë të cilësojmë problemet por jo zgjidhjet, ndaj unë po guxoj ta jap një zgjidhje:
Qeveria, pushteti lokal, institucionet dhe çdo entitet i cili kërkon që të mbijetoj në këtë proces duhet të nisin me politika të cilat sigurojnë të rinjtë të qëndrojnë. Kur flas për politika nuk jam duke ju referuar mbylljes së kufijve dhe kërcënimeve të ndryshme me expulse e tipologji të tilla. Jam duke ju referuar atyre politikave të cilat i bëjnë të rinjtë të ndihen të sigurt. Jam duke folur për politika që zhvillojnë arsimin dhe e bëjnë më cilësorin në Ballkan, se po të themi Europë atëherë ndoshta po ëndërrojmë shumë. Jam duke folur për politika të cilat nxisin sipërmarrjet rinore. Politika të cilat i bëjnë të rinjtë të investojnë në vendin e tyre dhe që i bëjnë ta shohin Bashkimin Europian si një partner në zhvillimin e biznesit të tyre në terma eksporti.
Duhen krijuar politika të cilat krijojnë siguri ekonomike, shtet social, dhe jo lajme apo bullizime për të rinjtë të cilat nuk punojnë në vend sepse i kemi parë të gjithë rrogat 4000 euroshe të Korçës apo ato të Elbasanit.
Të rinjtë nuk hanë më ajër të skuqur dhe të jeni të sigurt se as nuk pranojnë hi syve, ndaj nëse doni të dini nëse një politikë e krijuar për të rinjtë është e bëshme apo jo ju mjafton që të shihni sesi reagojnë të rinjtë ndaj asaj politike. Mjafton të shihni nëse keni mbështetjen e të rinjve apo ata po vazhdojnë të ikin dhe ju lutem mjaft me Turin dhe varkën e tij.
Nisni të mendoni që të bëni integrimin me të rinjtë për të rinjtë ndryshe siç e keni parë, të rinjtë do shkojnë ta bëjnë vetë atë proces me ndryshimin e vetëm se Shqipëria mbetet pas dhe nuk ecën me ta paralelisht.