Në aspektin botëror, koncepti i fëmijëve në situatë rruge është i parë në perspektiva të ndryshme. Në vendet e zhvilluara, ata shihen si një nënkategori fëmijësh të braktisur të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpia. Ata janë shpesh subjekte të abuzimit, aktiviteteve kriminale, dhe në rastet më te këqija, viktima të vrasjes. Ky fenomen është më tepër i zakonshëm për zonat e mëdha urbane ose vendet në zhvillim.
Debati mbi përkufizimin për termat mbi femijët në situatë rruge vazhdon ende. Ai që përdoret nga të gjithë është ai i UNICEF-it, jo me pak kritika. Fëmijët në situatë rruge përbejnë një problem aktual. Pavarësisht se mekanizmat ligjorë dhe ndihma prej organizatave me anë të fushatave të ndryshme është e madhe, duket se vënia në zbatim është e vështirë dhe nuk i prek të gjithë të rinjtë në nevojë.
Të bësh një ndarje të qartë se çfarë janë e çfarë nuk janë fëmijët në situatë rruge është pjesë e një debati i cili vazhdon prej një kohe të gjatë. Nëpër fjalore, sipas një konceptimi më të vjetër, fëmijët në situatë rruge do t’i shihnim si fëmijë të pastrehë të cilët jetojnë në qytete dhe jetojnë duke lypur e vjedhur. Në një këndvështrim më modern dhe gjerësisht të përdorur, këta fëmijë i shohim si individë që nuk kanë arritur moshën madhore për të cilët rruga është bërë një vendbanim i përhershëm dhe burim jetese dhe që nuk ka përkujdesjen e duhur nga një i rritur përgjegjës.
Gjendja në të cilën ata jetojnë është shumë e vështirë. Mundësitë e fëmijëve në situatë rruge për të patur ujë të pijshëm, ushqime të sigurta apo medikamente dhe tualete është shumë e ulët ose zero në shumë vende. Kanë mungesë mbrojtjeje dhe sigurie që vjen nga mungesa e një kujdestari, gjë që na lë të kuptojmë dhe mungesën e suportit moral e emocional. Shumica e tyre janë djem dhe punojnë si shërbyes apo bëhen pjesë e organizatave kriminale. Vajzat janë më të pakta si pasojë e frikës për abuzim. Ata janë më të prekur nga sëmundjet, sidomos SST. Ata gjithashtu formojnë grupe për të suportuar njëri-tjetrin. Ata janë të varfër dhe në shumë raste analfabetë. Janë vazhdimisht të diskriminuar dhe bien pre e dhunës dhe abuzimit, pa përmendur që me ata ndodh dhe dukuria e stigmatizimit. Ata kanë një të kaluar stresuese dhe një jetë tranzitore,mund të kenë problem mendore dhe të përdorin substanca narkotike.
Shkaqet se përse fëmijët mund të ndodhen në situatë rruge variojnë, duke nisur me faktin se ata abuzohen fizikisht ose në mënyrë psikologjike nga prindërit(ose kujdestarët ligjorë), personat tek të cilët ata duhet të kenë më shumë besim. Sipas fëmijëve ata dalin në rrugë për t’u bërë ndihmë për familjen ose sepse e shohin këtë si një mënyrë për t’u bërë të pavarur. Nuk duhet lënë pa përmendur edhe dinamika e jetës familjare, si psh., vdekja e njërit apo të dy prindërve. Sipas statistikave në Shqipëri, 164 fëmijë në situatë rruge kanë thënë se nuk e dinin se pse ishin në situatë rruge(Save the Children, 2014).
Fëmijët në situatë rruge diskriminohen, neglizhohen ose abuzohen. Është një fakt i njohur se një pjesë e tyre abuzohen edhe seksualisht. Këta fëmijë janë viktima e dëshmitarë të krimeve të ndryshme. Ka raste ku fëmija bëhet pjesë e ngjarjeve kriminale të vogla ose mund të bëhet tutor/e për vëllezërit e motrat e vogla, pa harruar që shpesh ata përdoren edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike, duke marrë parasysh që nuk kanë asnjë përgjegjësi penale nën moshën 14 vjeç. Mbrojtja për ta është shumë e vogël dhe parandalimi i situatave të rrezikshme ku mund të përfshihen nuk është gjithnjë i mundur. Kur një fëmijë ka konflikte me ligjin, sistemi është i prirur të veprojë kundër fëmijës.
Legjislacioni ndërkohë, për fëmijët në situatë rruge dhe jo vetëm është shumë i gjerë. Sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, një fëmijë e ka të ndaluar të punojë. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile thekson se çdo fëmijë duhet të ketë mbrojtje nga familja, shteti e shoqëria. Karta Sociale Europiane ndalon punën e natës për fëmijët dhe shton kontrollin e detyruar mjekësor për ata fëmijë që janë në pozicione të ligjshme pune.
Ndërkohë në Shqipëri, Kushtetuta e Republikës parashikon mbrojtje të veçantë të fëmijëve nga shteti. Në Kodin e Familjes, pavarësisht se theksohen të drejtat dhe detyrat e prindërimit, ligji nuk detyron respektimin e të drejtave të fëmijës, gjë që e kufizon atë në garantimin e mirëqenies emocionale, materiale dhe sociale. Kodi Penal nuk ka asnjë seksion të veçantë për krimin kundrejt fëmijëve, por është i zgjeruar thellësisht në krimet e kryera nga këta të fundit. Më vonë në këtë aspekt janë bërë disa shtesa. Ligji shqiptar ka për detyrë të përcaktojë ndihmën dhe shërbimet shoqërore për individët dhe grupet në nevojë që nuk mund të sigurojnë asgjë për jetën e tyre. Ai gjithashtu mbron Konventën e të Drejtave të Fëmijës.
Fëmijët në situatë rruge janë një kategori të cilës i mungojnë në të shumtën e rasteve kushtet më minimale për një jetesë të shëndetshme. Ata bien pre e krimit ose bëhen pjesë e tij nga nevoja për të siguruar jetesën. Shkaqet pse ata janë në rrugë variojnë që nga ndihma për familjen e deri në një formë të fitimit të pavarësisë. Ata janë të diskriminuar, të pambrojtur e të neglizhuar, pa përmendur që janë shpesh një objekt abuzimi nga shteti e nga shoqëria. Legjislacioni ndërkombëtar e kombëtar shqiptar kanë politika sociale shumë të mira për të ndihmuar këtë kategori, por shpesh vënia në veprim e ligjit nuk kryhet plotësisht. Fëmijët në situatë rruge shihen shpesh edhe si të jashtëligjshëm, duke rënë pre e stigmatizimit.
Kështu që mbase ka ardhur koha për një vëmendje më të shtuar. Ka patur ndryshime të cilat kanë treguar progress, por a është situata e tyre optimale? Të gjithë e dimë se jo.
Është koha për më shumë vëmendje.