Qeshu rini, pikërisht se bota nuk është e jotja!
23 Gusht, 2022
A duhet të ikim? (pjesa I)
23 Gusht, 2022

Cilës kohë i përket rinia?

Nuk është e panjohur dëshira e çdokujt për ta portretizuar rininë si një grup shoqëror që i përket së ardhmes. Politikanët kur bëjnë diçka për të referojnë se po bëjnë diçka për të ardhmen. Mësimdhënësit kur shprehen për pasionin e punës së tyre, tregojnë se u buron ngaqë i shërbejnë të ardhmes. Shoqëria civile krenohet se po gatuan brumin nga ku do ushqehet e ardhmja e kombit, kur punojnë me të rinjtë.

Padyshim që në sensin pragmatist të thuash që rinia i përket së ardhmes bën sens. Por kjo vetëm kur me shoqëri nënkupton një grumbull individësh që kanë gjetur veten e tyre në pozicione respektive pune dhe që kontribuojnë mbrapsht jo vetëm me fuqi punëtore por dhe me taksa. Madje edhe të thuash se rinia i përket së tashmes nuk është gabim, duke qenë se në këtë fragment kohor fundja jeton çdo qenie. Megjithatë, ndonëse jo e pasaktë, konturimi i rinisë brenda një strukture specifike kohore burgos potencialin që ky grup shoqëror përmban sa i përket ndryshimit të shoqërisë.

Rinia në thelb të ekzistencës së vet ka ndjenjat e idealizmit, anti-konformizmit, dhe risisë. Këto i shërbejnë të gjitha mosbindjes ndaj konstrukteve sociale. Një rebelim pozitiv i atillë është fuqia ku rinia mbështetet për të gjetur mënyra të reja për të bërë gjera të vjetra. Dhe pikërisht këtu qëndron funksioni më i rëndësishëm i rinisë në një shoqëri. Duke i qëndruar kritike realitetit, me ekzistencën e vet ajo arrin të prodhojë një risi të cilës shoqërisë i duhet për të rishpikur vetveten në forma gjithnjë e më të sakta.

Por prodhimi i risisë kërkon një parakusht të rëndësishëm: Qëndrimi jashtë kohës. Zhytur në rrjedhën e saj askush e asgjë s’mund të ketë fuqinë t’i ndryshojë drejtimin. Por duke qenë se shembujt historik theksojnë se rinia ka qenë ajo që i ka paraprirë shpesh herë ndryshimit, sidomos atij socio-kulturor, atëherë arrihet përfundimi se rinia e plotëson parakushtin që kërkon krijimi i risisë. Shembulli më elokuent vjen nga revolucioni kulturor i fund-viteve 60’, kur një masë e madhe të rinjsh, ashtu të konsideruar si ‘të çuditshëm’ nga koha e tyre, arritën të devijojnë përgjithmonë rrjedhën e kohës së re që pasoi.

Kështu që, për ta përfunduar, rinia nuk mund t’i përkasë së ardhmes, sepse do të binte në kundërshtim me atributet cilësore të saj. Rinia nuk mund t’i përkasë asgjëje tjetër veçse lirisë së pakushtëzuar shpirtërore për t’i sjellë realitetit ndryshimit që ai ka nevojë. Vetëm duke qëndruar jashtë kohës rinia mundet të luajë rolin e vet ekzistencial për ta tjetërsuar në një formë të re shoqërinë. Sepse fundja, çfarëdo mbetet shumë kohë pa u ndryshuar, shkatërron vetveten.