A duhet të ikim? (pjesa I)
23 Gusht, 2022
NEETs, grupet vulnerabël që pak njihen por janë pjesë e shoqërisë sonë
7 Shtator, 2022

A duhet të kthehemi? (pjesa II)

Duket sikur pyetja është shtruar gabim. Fjala ‘duhet’ është imperative dhe detyron. E detyrimi nuk është asnjëherë joshës. Në këtë sens, para se të vijmë tek përgjigja e ‘A duhet të kthehemi?’ duhet të merremi me ‘A mund të kthehemi?’

Në nivelin pragmatist, patjetër që po, mund të kthehemi për sa kohë që kufijtë janë të hapur dhe vendi nuk parashtron ndonjë rrezik për jetën. Megjithatë, për të kaluar në një nivel pak më të rrumbullakosur nga arsyeja, ndonëse jo në rrezik për jetën, në vendin tonë kushdo mund ta gjejë në rrezik cilësinë e jetës. Standardet jo në çdo fushë të jetës janë të kënaqshme, paga më e lartë këtu është mesatarja perëndimore, konkurrenca e drejtë dhe meritokracia janë të rralla, por mbi të gjitha qetësia mungon. Pabarazia ekonomike është në skaje. Për vitin 2019, statistikat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave tregojnë se 3% e shqiptarëve zotërojnë gjithsej rreth 4,1 miliardë euro në depozita bankare, ndërsa 97% e individëve zotërojnë rreth 3,2 miliardë euro. Sipas Eurostat, në 7 vitet e fundit, të ardhurat shqiptare për frymë janë rritur me 1,560 €, ndërsa e Malit të Zi është rritur pothuajse dyfishi i kësaj. Ndërsa raporti i DASH tregon se niveli i korrupsionit në Shqipëri është alarmant.

Të gjitha këto shifra, gjithsesi nuk e përjashtojnë mundësinë e rikthimit në Shqipëri. Por për sa kohë ato prezantojnë një rrezik për cilësinë e jetës të cilido që do të rikthehet, duket se është normale të thuhet që realiteti shqiptar e përjashton emigrantin nga rikthimi i përhershëm në vendin e vet. Në fakt nuk është kështu. Pikërisht se gjendja nuk është e mirë, vendi ka nevojë sot, ndoshta më shumë se kurrë, për qytetarë shqiptarë që janë rritur profesionalisht jashtë.

Ekzistenca e tyre do t’i jepte një frymë perëndimore çdo fushe të jetës në të cilin ato do të angazhoheshin. Ide të reja për ambientin shqiptar do të mundësonin edhe një mënyrë të re të të bërit të gjërave. Rëndësia e kryerjes së një pune të mirë do të triumfonte mbi nepotizmin dhe ‘rehatokracinë’. Respekti për veten do mposhte servilizmin dhe çdo pozicion vendimmarrës, nga oaz gabimesh do shndërrohej në një model saktësie. Të gjitha këto, njëherë si filiza të vegjël dhe pastaj si rrënjë të konsoliduara, do mund të krijonin një sistem më gjithëpërfshirës socio-ekonomiko-politik nga ku mund të lulëzonte në të ardhmen një vend më meritokrat dhe frymëzues. E vështirë, por jo e pamundur.

Për t’iu përgjigjur pyetjes “A duhet të kthehemi”: Po mirë do ishte! Vendi ka nevojë. Por çka është tjetër e rëndësishme, t’ia atrubosh profesionalizmin tënd përmirësimit të hapësirës ku ke lindur, që ata të cilët do lindin pas teje, mos t’i nënshtrohen të njëjtave vuajtjeve, është një kauzë që do t’i jepte kuptim çdo jete. Por duhet theksuar, kthimi është idealist. Kauza e kthimit është idealiste dhe veprimtaria që shoqëron kauzës po ashtu. Dhe në një vend ku shumica e shoqërisë do të ikë për shkak të mungesës së shpresës, idealizmi rrëzohet poshtë si naiviteti i radhës. Pra e vështirë shumë. Por jo e pamundur!