Cilës kohë i përket rinia?
23 Gusht, 2022
A duhet të kthehemi? (pjesa II)
23 Gusht, 2022

A duhet të ikim? (pjesa I)

Sipas statistikave nga INSTAT në 8 vitet e fundit janë larguar nga Shqipëria rreth 180 mijë të rinj. Rreth 25% e maturantëve për çdo vit shkojnë për t’u arsimuar jashtë vendit. Ndërkohë, dëshirën për emigrim e kanë rreth 93% e të rinjve të pyetur nga një anketë e realizuar nga KRK. Shifrat janë padyshim shqetësuese. Ato tregojnë më së pari që ambienti ku shpaloset përditshmëria në vendit tonë është jofrymëzues. Më së dyti ato tregojnë se shoqërisë sonë i mungojnë mekanizmat që kultivojnë talentin e të rinjve.

Ky emigrim masiv jo rrallë herë është shtruar në terma moralistë. Fjala ‘largim’ zëvendësohet me ‘braktisje’ dhe i gjithë fenomeni ngjyroset me terma shpirtëror. Në vend se të sulmohen shkaqet që sjellin këtë problem, i gjithë kreativiteti shterohet duke e konturuar problemin si një rrjedhojë të mungesës së dashurisë së të rinjve për vendin e tyre.

Është mëse normale që ata të cilët kanë mundësinë, por qartazi dhe talentin edhe vullnetin, të largohen nga vendi i tyre për të gjetur tjetërkund alternativën e rritjes akademike dhe profesionale. Një jetë kemi dhe nuk mund ta kalojmë të tkurrur në pamundësi, sepse nuk ka asgjë më të trishtë në këtë botë sesa një potencial i pashfrytëzuar. Dhe sikurse u theksua që në fillim, pashfrytëzimi i talentit është kthyer në epitomën e një sistemi që prej vitesh i merr frymën Shqipërisë.

Ndërkohë sistemi perëndimor, edhe pse ruan disa mekanizma që gjenden dhe këtu, sikurse rëndësia e networkut, konkurrenca e egër dhe ‘brrylat’, ka diçka që në Shqipëri është endemike: Meritokracia. Duke shmangur definimet absolute, mund të thuhet me një farë sigurie, që e garanton shkalla e suksesit të kombeve perëndimore dhe standardi i tyre i jetesës, se vendet Evropiane janë laboratorë ku mund të rritet talenti i çdo individi që ka pak kurajo për ta elaboruar vetveten.

Shtuar këtu edhe rregullat e lojës që jashtë janë të konsoliduara, një standard jetese i mirë që fillon nga shteti social i fortë, tek urbanistika e rregulluar, tek një pagë e mirë që nuk të bën të mendosh më të keqen në 5 ditët e fundit të muajit; janë këto faktorë që e bëjnë atraktive ‘jashtshtetin’ në krahasim me vendin tonë, dhe jo mungesa e dashurisë për Shqipërinë. Në këtë sens, emigrimi vjen si zgjidhje, jo dhe aq si zgjedhje.

Por, sikurse çdo gjë tjetër në këtë jetë, kjo zgjidhje shkakton një tjetër problem, në të cilin ka vend për moralizëm dhe idealizëm, problem i cili mund të shtrohet në pyetjen: A duhet të kthehemi?

..vazhdon pt 2.