Jeta e një të riu në Shqipëri
17 Gusht, 2022
Zona Gri
23 Gusht, 2022

Fenomeni NEETs dhe Drop Out, këndëvështrimi i një të riu

Fenomeni NEETs është një fenomen jo shumë i njohur për nga emri por shumë i shpeshtë për nga realiteti dhe ky nuk është një fakt aspak i mirë për zhvillimin ekonomik dhe kulturorë të vendit.

Nga eksperienca ime kam parë raste nga rrethi im shoqëror dhe i miqve të mi të cilët nuk kanë asnjë qëllim për të ardhmen, dhe mbështetja e tyre e vetme është familja, nga ana financiare. Në këndvështrimin tim, ti bëhesh një NEET për një nga këto tri arsye: 1) nuk ke mundësi financiare për të studiuar, 2) nuk ke mundësi fizike, ose 3) ke zgjedhur vetë të mos japësh asnjë kontribut për njerëzit rreth e qark, por të jetosh me kontributet e “të tjerëve” dhe ti investosh vetëm për veten. Nuk mund të them asgjë për dy rastet e para, por ajo që vërtet vret është fakti se disa të rinj mbyllen gjithë ditën në dhomën e tyre, qiraja e së cilës nuk paguhet prej tyre, dërgojnë mesazhe me celularin i cili nuk është blerë prej tyre dhe janë të lidhur me internetin, fatura e të cilit përsëri nuk paguhet prej tyre.

Kjo është dërrmuese për familjarët dhe krijon një hendek mes shoqërisë dhe individit NEET në fjalë. Nga njëra anë duket sikur një NEET ka mundësi të njohë më shumë veten, por ndërkoh çdo gjë ndodh në një “kuti” të vogël. Unë,ti,ne apo kushdo qoftë duhet ti zgjasim dorën kësaj kategorie për ti nxjerrë jashtë nga kutija e tyre e vogël e për ti vendosur para pavarsisë individuale, zhvillimit dhe ndryshimit.

Flasim per fenomenin Drop Out ku mund të themi se është fenomeni më i aftërt me realitetin e rinisë shqiptare. Çdokush njeh të paktën një person i cili është dorëzuar në një farë pike dhe nuk e ka thyer akullin e të gjithë niveleve të arsimit. Mund të themi se të jesh “Drop Out” nuk komentohet pasi në këndvështrime të ndryshme ka efekte të ndryshme.

Personalisht, unë e shoh veten time në të ardhmen, në një punë pas përfundimit të studimeve të larta, por theksoj këtu se unë nuk kam një talent me zhvillimin e të cilit unë mund të siguroj jetesën, por nuk mendon kështu kushëriri im i cili nuk e vazhdoi gjimnazin, por ka talent në stilimin dhe modelimin e flokëve, dhe ka “marrë emër” në një qytet të një shteti të Europës. As një mikja ime nuk mendon kështu pasi ajo nuk vazhdoi studimet e larta por arriti të bëhej një “Nail Tech” edhe pse shkolla nuk i mësoi kurrë estetikën. Nga ana tjetër, kushërira ime nuk bir dakord me ta, pasi ajo vetë ka studiuar drejtësi dhe ka qenë gjithmonë nxënëse ekselente.

Por të jesh një “Drop Out” ndonjëherë ngel edhe “në dorë te fatit” pasi nuk ke shumë siguri nëse do t’ia dalësh apo jo. Po ashtu nuk e di nëse do të kthehesh në një NEET.

Arsimimi është zgjedhja më e mirë për vendin dhe njerëzit rreth teje por nëse ti nuk e gjen veten në formula shkencore dhe analizimin e vargjeve të Shekspirit? Zotëro një profesion dhe shkëlqe në mënyrën dhe rrugën tënde! Mund t’ia dalësh në qofsh ti një Drop Out apo një person që ëndërron të diplomohesh me shokët e tu!