Të Rinjtë NEETs në Shqipëri
8 Gusht, 2022
Jeta e një të riu në Shqipëri
17 Gusht, 2022

Drop Out dhe NEETs, dukuritë që duan ndërgjegjësim!

Për të nisur një artikull mbi këto dukuri apo nëse i cilësoj ndryshe, fenomene të ulura këmbëkryq në realitetin shqiptar, si Drop Out dhe NEETs , fillimisht do më duhet t’i bëj të njohura . Sa i përket NEEts, më duket mjaft interesant fakti që është përjashtues ndaj moshës së tretë që gëzojnë një pension pleqërie dhe e ka fokusin tek të rinjtë, në një kohë kur shoqëria shqiptare ka nevojë t’i kushtojë vëmendje kësaj kategorie. Ky fenomen, për të qënë më i kuptueshëm barazohet edhe me : “të rinj jo në arsimim, punësim apo trajnim”, me shembuj konkrret nga realiteti i vendit tonë zgjedh të përmend të rinjtë që jetojnë me të ardhurat e prindërve zakonisht dhe e shpenzojnë ditën duke iu drejtuar bareve dhe lokaleve. Një klasifikim i tillë, lindi për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në vitet ’90 dhe me kalimin e kohës u përhap në shkallë të ndryshme,deri në Japoninë e largët, tashmë është koha që dhe ne të njihemi me një klasifikim të tillë që ekziston në heshtje, që të gjithë e njohim, por nuk dimë ta emërtojmë. E ndoshta ngaqë nuk dimë ta emërtojmë, nuk ndërgjegjësohemi rreth këtij fenomeni, mbase e quajmë normale këtë dukuri që na e bën rininë dembele e të paaftë për t’i siguruar vendit e pikësëpari vetes një të ardhme të ekuilibruar.

Shpesh dëgjojmë të flitet se ka punë, por s’ka profesionistë, ka ardhur koha që këta profesionistë të mos mungojnë. Një i ri i papunësuar, i patrajnuar/ i pa arsimuar mund të bëjë pjesë në këtë kategori për shkaqe nga më të ndryshmet. Për ta zvogëluar grupin që përfshihet në klasifikimin e ketij fenomeni, rolin kryesor e kanë instancat përkatësë, rol që duhet ta kryejnë me përgjegjësi. Sipas mendimit tim atyre iu lind detyra si fillim të informojnë shoqërinë rreth fenomenit, të zgjerojnë informacionin dhe të mundësojnë një këshillim karriere kudo ku është e nevojshme, të organizojnë trajnime me pagesë minimale dhe të krijojnë një program mbështetjeje për ata të cilët nuk kanë mundësi të arsimohen. Hap tjetër që duhet të ndërrmarin institucionet duhet të jetë edhe identifikimi i atyre të rinjve që bëjnë pjesë në këtë kategori, t’i kontaktojnë ata, t’i informojnë për gjendjen aktuale të tyre me qëllim ndërgjegjësimin, të identifikojnë arsyet që i bëjnë ata pjesë të këtij grupi dhe të ndërmarrin politika për t’i nxjerrë nga ky grup.

Nga ana tjetër rol primar luan edhe vetë individi duke u përpjekur të arsimohet, trajnohet ose të paktën të punësohet pasi ka vende punë që nuk kërkojnë një arsimim apo trajnim specifik, në familjet shqiptare duhet të fryjë një erë e re që iu mëson të rinjve se duke bërë pjesë në grupin e NEETs nuk kanë asnjë përfitim. Ndërgjegjësimi për këtë fenomen përmirëson jetën e atyre që i përkasin kategorisë në fjalë, por ndikon ndjeshëm edhe gjendjen ekonomike, sociale dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare. Nësë tregohet vëmendja e duhur, dukuria merr zgjidhje, këtë e bën më të lehtë këshillimi me rrugën që kanë ndjekur vendet që e kanë pikasur më herët si dukuri dhe që kanë mundur me sukses të mos e lënë në vend numëro gjendjen aktuale të të rinjve.

Për ta larguar pak vëmendjen nga NEETs, po kaloj te dukuria Drop Out, një fenomen po aq i rëndësishëm sa i pari e po aq i pranishëm në këtë shoqërinë tonë plot problematika. Drop Out ka kuptimin e plotë të braktisjes. Një dropout cilësohet një individ që nuk i ka shkuar deri në fund një projekti, programi e sidomos një faze arsimimi të nisur. Për shembull, nëse nuk vazhdojmë të ndjekim shkollën e mesme pa u diplomuar, meritojmë të quhemi ‘një dropout’. Nuk mund ta mohojmë se e hasim shpesh këtë braktisje apo se rrethohemi nga ‘dropout-sa’. Në realitetin shqiptar, braktisje të tilla kanë ekzistuar përherë, por tani kanë marrë një emërtim më përëndimor duke kërkuar një zgjidhje po kaq perëndimore. Arsyeja kryesore që ka fuqizuar fenomenin ka qënë pikërisht mungesa e mjeteve ekonomike në familje që i ka detyruar shpesh në moshë të mitur, të braktisin përgjithësisht shkollën dhe të përpiqen të sigurojnë të ardhura. Gjithashtu dramat sociale e familjare, mungesa e infrastukturës dhe po aq shpesh mungesa e përgjegjësisë prindërore apo vëmendja e duhur që i kushtohet arsimimit kanë qënë shtysa për të braktisur ende pa përfunduar, programin mësimor. Nësë do të më pyesnin mua, a është kjo një këmbanë alarmi që bie për mbarë shoqërinë tonë, do përgjigjesha pa u menduar dy herë se po, është. Një drop out, sipas ekspertëve, ka edhe probleme të ndryshme psikologjike që i ndikon braktisja, probleme sociale, diferencim zakonisht nga bashkëmoshatarët që ndjekin programin e lënë përgjysëm nga ta, një përzierje ndjesish shpirtërore e fizike që kërkon zgjidhje të ato anë të errëta që prodhojnë për shoqërinë një individ problematik. Ndodh shpesh që vajzat të ndërpresin shkollimin për të krijuar familje ende në moshë të mitur, të detyruara zakonisht nga prindërit dhe kushtet e vështira ekonomike.

Për të gjitha shkaqet dhe pasojat që kam përmendur mësipër, duhet një ndërgjegjësim së pari i institucioneve, që më pas të ndërgjegjësojnë masën e popullsisë dhe të minimizojnë braktisjet dhe pasojat e tyre. Mënyrat e ndërhyrjes në rastet që kanë premisa të cilësohen në një kohë të dytë si Drop Out, janë nga më të ndryshmet, si mbështetja sociale e atyre që kanë pamundësi ekonomike të vazhdojnë programin ku ndodhen aktualisht, marrjen e kujdestarisë së fëmijës nga prindër që nuk gëzojnë përgjegjësinë e duhur prindërore, zbatimin me përpikmëri të ligjeve që mbrojnë të miturit dhe ndalojnë martesat në moshë të hershme dhe pse jo, informimi i prindërve mbi rëndësinë e arsimimit, gjithashtu edhe mbështetja e të rinjve që nuk janë më në kujdesin prindëror dhe që ndjekin aktualisht një program. Drop Out mund të shkaktohet edhe nga bulizmi nëpër shkolla, që i detyron frekuentuesit e saj të mos gëzojnë më dëshirën për të vazhduar aty, ndaj vlen të theksohet edhe prania e ndihmës psikologjike në shkolla dhe institucione ku ndiqen programet e projektet.

Mendoj se si hap i parë për shoqërinë tonë është informimi e ndërgjegjësimi, por mbi të gjitha një vëmendje në nivelet e duhura nga ata që janë përgjegjës për zgjidhjen dhe shndërrimin e këtyre fenomeneve në sa më pak shqetësuës për shoqërinë shqiptare, pra barra më e madhe sipas meje bie mbi institucionet e më pas shpërndahet në nivel vetjak.

Si NEETs ashtu edhe Drop Out, pra si mospërfshirja në punësim, arsim apo trajnim e si mos- përfundimi/braktisja e tyre, janë fenomene që janë serioze në vende ku shoqëria njeh nivele më të larta zhvillimi se ne, e jo më në Shqipëri që është një vend në zhvillim. Por, padyshim që një justifikim i llojit të tillë për mosmarrjen e përgjegjësisë nga instancat apo individët, nuk duhet të bëhet pengesë për t’i shkuar deri në fund misionit për zvogëlimin e dukurive me gjithë pasojat e tyre. Parandalimi është më i lehtë së shërimi, edhe ndërgjegjësimi për mos u bërë pjesë në këto grupe është më i lehtë se përpjekjet për të dalë nga kategoria në të cilën tashmë bën pjesë.