Nëse flasim për rëndësinë e shkollës dhe impaktin e edukimit mbi jetën e gjithsecilit, përshkrimi i Drop Out-it si fenomen nuk mund të niset ndryshe se sa duke prekur zhvillimin dhe efektet esenciale që sjell edukimi. Individualisht por edhe në shoqëri në tërësi edukimi hedh bazat për formimin e qytetarëve të së nesërmes, të profesionistëve të rinj të së ardhmes si dhe të përhapjes së vlerave themelore për një jetesë komode por dhe për një shoqëri vitale dhe në gjithpërfshirëse.
Por shpesh edhe pse këto avantazhe të edukimit të njohura dhe të promovuara në rang të gjerë, ekzistojnë faktorë të ndryshëm të cilët krijojnë një hapësirë për fenomenin e Drop Out. Në kategorinë e personave të cilësuar si Drop Outs hyjnë të gjithë femijët, nxënësit apo studentët të cilët e kanë braktisur shkollën dhe nuk kanë përfunduar studimet pasi i kanë nisur. Shumë fëmijë të background-eve të ndryshme familjare, ekonomike, etniko-kulturore detyrohen nga kushte të caktuara apo nga rrethana të tjera jashtë kontrollit të tyre që të braktisin shkollën apo studimet.
Nga të dhënat që paraqet INSTAT, për sa i përket numrit të të rinjve shqiptarë që vazhdojnë shkollën e mesme, rezulton se në nivel kombëtar të rinjtë që vazhdojnë arsimin e mesëm janë 83% e atyre që përfundojnë arsimin 9 vjeçar. Nga këto statistika del se diferenca prej 17% nuk ndjekin shkollën e mesme ose nuk e kanë vazhduar më dhe e kanë braktisur. Duke parë edhe situatën në Shqipëri dhe faktorët potencialë që mund të ndikojnë në nivelet e përhapjes së fenomenit Drop Out, mund të themi se gjendja ekonomike e rrënduar e familjes është një ndër shkaqet kryesore pse të rinjtë braktisin shkollën. Duke e parë si primare punën dhe fitimin e të ardhurave për të siguruar mjetet bazë për jetesën shkolla kalon në plan të dytë. Jo vetëm kaq por këta të rinj janë të predispozuar që të mos e vazhdojnë më shkollën pasi ndihen të përjashtuar dhe e shohin të vështirë integrimin e tyre në shkollë pas largimit.
Por përqëndrimi tek problem i këtij fenomeni nuk ndalet vetëm këtu. Është me vend të përmendet se braktisja e shkollës si një zgjidhje imediate për kushtet e vështira të jetesës dhe për të siguruar të ardhura për veten dhe familjen në terma afatgjatë krijon një problematikë edhe më alarmante. Këta të rinj të cilët nuk kanë marë edukimin e nevojshëm në shkolla, u mungon formimi profesional dhe informacioni i strukturuar për të qenë i informuar dhe aktiv në shoqëri janë të predispozuar që të përjashtohen dhe të diferencohen nga anëtarët e shoqërisë. Dhe ky diferencim është gradual. Në këtë kuptim ata duke mos patur një drejtim profesional të vetin, një formim bazë dhe një drejtim të caktuar për të ardhmen e tyre janë lehtë të ndikueshëm nga krizat, të predispozuar nga mungesa e të ardhurave si pasojë e mungesës së një profesioni dhe njohurish për t’i vendosur në shërbim të vetes dhe shoqërisë por gjithashtu të detyruar nga kushtet e vështira që mund të vendosen gjatë jetës të jenë edhe një rrezik potencial për të shkaktuar krime.
Në këtë kontekst zgjidhja më e mirë do të ishte evidentimi i rasteve të të rinjve, nxënësve apo fëmijëve që braktisin shkollën. Kjo do të ishte piknisja. Më pas pas evidentimit zgjidhja më e mirë është mbështetja e familjeve të tyre dhe ofrimi i mundësive për trajnime apo edukim të tyre nga shteti në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe komunitetin. Vetëm kështu do të arrihej të minimizohej fenomeni i Drop Out dhe të kontribuohej për një shoqëri të qëndrueshme, vitale dhe në zhvillim të vazhdueshëm përmes edukimit, bashkëpunimit shoqëror dhe promovimit të qytetarëve të mirinformuar dhe aktivë.