Përfundon edicioni i V-të i Re-Debate, Kampionatit Kombëtar të Debatit: Shkolla “Harry T. Fultz” fituese e vendit të parë!
1 Korrik, 2022
Braktisja e hershme e shkollës (Drop Out)
1 Gusht, 2022

NEETs, fenomen problematik i së tashmes që cënon “të ardhmen”

Për të kuptuar shkaqet dhe pasojat e këtij fenomeni së pari duhet të kuptojmë se çfarë do të thotë NEET si akronim dhe çfarë ai përmbledh. NEET është akronimi që përcakton të rinjtë të cilët nuk janë në punësim, arsim ose trajnim. Këta të rinj janë në një farë mënyre pa asnjë lloj perspektive për të ardhmen apo varen nga familja ose nga puna informale për të jetuar.

Sipas Bashkimit Evropian, janë theksuar gjashtë faktorë rreziku që rrisin probabilitetin që të rinjtë të bëhen NEET si: arsimi i ulët, jetesa në zona të largëta, aftësia e kufizuar, sfondi i imigracionit, mjedisi i vështirë familjar dhe të ardhurat e ulëta të familjes. Këta faktorë veç e veç ose të grupuar përcaktojnë gjendjen socio-ekonomike të një individi dhe te të rinjtë shpesh i kushtëzon duke krijuar shanset që të mos jenë aktivë në jetën e tyre profesionale apo të ndjekin nje lloj të edukimit formal ose joformal apo trajnimeve profesionale.

Përveç këtyre edhe politikat shtetërore në nivelin makro ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë sepse shpesh paracaktojnë kushtet e zhvillimit dhe përqendrimit të veprimtarive primare. E thënë ndryshe politikat shtetërore diktojnë potencialet dhe veprojnë në ato drejtime. Dhe, në shtete të cilat nuk investojnë në përcaktimin dhe zgjidhjet e këtij fenomeni ai vazhdon edhe përkeqësohet. Në vendet ku shpesh gjendja ekonomike është e vështirë në nivelin e popullsisë dhe përshtatja mes arsimit dhe punësimit është në nivele të ulëta tendenca dhe shanset e prezencës së personave të përcaktuar si NEET janë të larta.

Vështirësitë në shkollë janë një tregues serioz i pranisë së rrezikut tek të rinjtë dhe janë ndër shkaqet që kontribuojnë drejtpërdrejt në formimin e grupit NEET. Vetë shembujt ku pas mbarimit të studimeve studentët apo profesionistët e rinj e kanë të vështirë qasjen me tregun e punës, zbeh dëshirën dhe vullnetin e të përfituarit të njohurive konkrete për të qenë aktiv në tregun e punës, të mos ndjekurit një drejtim akademik, profesional dhe të synojnë punësimin informal, imigrimin apo drejtime të tjera ilegale në rastin më të keq.

Edhe në shtetin shqiptar gjendja e të rinjve të cilët kushtëzohen nga vendbanimi në zonat rurale me mungesë komunikimi, infrastrukture apo mundësish të tjera për të investuar tek vetja dhe për t’u orientuar i përcakton këta të rinj drejt kategorisë NEETs. Në momentin që politikat makro meren me përcaktimin e statistikave dhe analizimin e tyre, ndërhyjnë në politikat e arsimit dhe përshtatjen e tyre duke i bërë më praktike drejt punësimit apo ofrojnë kushte të financuara nga shteti apo marëveshjet me bizneset në trajnimin konkret të të rinjve dhe ofrimin e mundësive për t’u qasur me tregun e punës atëherë ky fenomen mund të luftohet. Sa më shumë indiferentizëm në këtë fenomen, aq më tepër rrezik dhe kosto potenciale rrëndon mbi të ardhmen e funksionimit të shtetit, shoqërisë dhe tregut.