Përfundon Faza e Debateve Pre-Eliminatore. Këto janë 8 debatet e Fazës Eliminatore!
28 Qershor, 2022
NEETs, fenomen problematik i së tashmes që cënon “të ardhmen”
28 Korrik, 2022

Përfundon edicioni i V-të i Re-Debate, Kampionatit Kombëtar të Debatit: Shkolla “Harry T. Fultz” fituese e vendit të parë!

Pas një rrugëtimi të gjatë në 61 Bashki dhe me pjesëmarrjen e 100 shkollave, Organizata LIBURNETIK ka përfunduar me sukses edicionin e pestë të Re-Debate, Kampionatit Kombëtar të Debatit të Enjten e 30 Qershorit.

Ky edicion shënoi dhe përfshirjen më të gjerë të shkollave të mesme nga i gjithë vendi i cili u zhvillua tërësisht në prezencë fizike, duke bërë së bashku në misionin e nxitjes së të menduarit kritik dhe kulturës së debatit afro 1500 të rinjë gjimnazistë dhe 100 mësues të shkollave të mesme duke shënuar kështu një tjetër sukses për këtë program tashmë të konsoliduar në shumë shkolla.

Faza e III-të e debateve u zhvillua tërësisht në Tiranë midis datave 27-30 Qershor.

Në datat 27 dhe 28 Qershor u zhvilluan 16 debatet e pre-eleminatoreve me pjesëmarrjen e 32 shkollave të kualifikuara, të cilat u zhvilluan në ambientet e Tirana European Youth Capital 2022. Data 29 Qershor solli në TEYC22 eleminatoret dhe çerekfinalet.

 

Katër shkollat e kualifikuara ishin Ibrahim Kodra nga Kamza, Protagonistët dhe Harry T. Fultz nga Tirana si dhe Naim Frashëri, Durrës, skuadrat e të cilave u bashkuan përsëri më 30 Qershor në ambientet e Hotel Tirana International për ditën e gjysmëfinaleve, finales së madhe dhe finales së vogël.

Përballjet e gjysmëfinaleve u zhvilluan mes shkollave “Protagonistët” (276 Pikë) dhe “Harry T. Fultz” (288 Pikë), Tiranë si edhe “Naim Frashëri”, Durrës (243 Pikë) dhe “Ibrahim Rugova”, Kamëz (235 Pikë).

Mbështetur në rezultatet e debateve të gjysmëfinaleve shkolla ‘Protagonistët’ debatoi përballë shkollës ‘Ibrahim Rugova’ në Finalen e Vogël (cmimi i IV dhe i III) dhe fituesi i Kampionatit u vendos nga Finalja e Madhe midis shkollës ‘Naim Frashëri’ dhe ‘Harry T. Fultz. ’
Në Finalen e Vogël të rinjtë debatues argumentuan në qëndrim afirmativ dhe negativ në nivel grupi mbi temën ‘Transformimi i menjëhershëm digjital në orfimin e shërbimeve publike është i dobishëm’. Më tej liderët e dy ekipeve përballën mendimet e tyre lidhur me cështjen ‘Angazhimi e të rinjve në politikbërjen lokale është e justifikuar’. Përmes këtyre dy temave të rinjtë përfaqësues të shkollave jo vetëm sollën argumente objektive dhe pikepamje origjinale, por edhe një herë vendosën në dukje rëndësinë e etikës në komunikim dhe kulturës së debatit e cila nu ki takon imazheve që serviren nga mediat apo diskurset e debateve politike. Nxënësit u përgëzuan për patosin e tyre dhe shembullin e mendimtarit kritik që përfaqësojnë. Nga vlerësimi i jurisë mbi këtë debat, shkolla ‘Protagonistët’ u shpall fituesja e vendit të III të këtij edicioni të Kampionatit, ndërkohë shkolla ‘Ibrahim Rugova’ u rendit e IV.

Në përmbyllje të ditës maraton të debateve mbërriti dhe momenti i Finales së Madhe, mes shkollës ‘Harry T. Fultz’ dhe shkollës ‘Naim Frashëri’.

Pjesë e finales ishin edhe mbështetësit e këtij projekti, pa të cilët një kampionat i përmasave të tilla nuk do të ishte i mundur, si Ministria e Rinisë dhe Sportit, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kombëtare e Rinisë, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, UNICEF Albania, KRK Tirana European Youth Capital 2022, One Telecommunication, Bukinist dhe Tibo.

Në fjalën e tyre përshëndetëse, mbështetësit e projektit vendosën fokusin në rëndësinë që angazhimi it ë rinjve në aktivitete të tilla ka, dhe në impaktin që mendimi kritik ka në një shoqëri demokratike. Duke vlerësuar punën e LIBURNETIK, ata u shprehën se tashmë është e nevojshme që një program i tillë jo vetëm të ndërkombëtarizohet, duke përfaqësuar Shqipërinë në Kampionate ndërkombëtare, por edhe të institucionalizohet duke u bërë pjesë e kurrikulës arsimore.

Pas fjalëve përshëndetëse startoi edhe momenti më kulminant i këtij rrugëtimi. Finalja pati në qendër të saj politikat e gjelbra dhe arsimin, pasi skuadrat debatuan mes njëra-tjetrës mbi temën ‘Axhenda e gjelbër, plan i domosdoshëm dhe kërkon zbatim të menjëhërshëm’, ndërkohë debati i liderave u përqendrua në temën ‘Arsimi Publik është forma më e mirë e edukimit’. Finalistët këmbyen argumenta, konstatime, ide dhe alternativa zgjidhjeje të cilat i drejtoheshin jo vetëm kundërshtarit, por edhe audiencës dhe politikbërësve, duke na rivendosur në vëmendje se të rinjtë kanë potencialin më të madh në shoqëri për të sjellë ndryshim.

Pas një debati të fortë, juria vlerësoi të gjithë konkurentët për angazhimin, përkushtimin dhe përgatitjen e tyre, e cila vendos standard për të gjithë të rinjtë e vendit që duhet të nxiten vazhdimisht të jenë kritik dhe të informuar mbi realitetin e tyre dhe më gjerë. Duke ricilësuar se në rrugëtimin e debatit dhe mendimit kritik nuk mund të ketë kurrësesi humbës, juria shpalli edhe shkollën fituese të edicionit V të Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit, shkollën ‘Harry T. Fultz’.

Në përmbyllje të këtij rrugëtimi kaq të gjatë LIBURNETIK falenderon të gjithë mbështëtësit e projektit ‘Re-Debate – Kampionati Kombëtar i Debatit’ të cilët mundësuan realizimin e projektit në përmasa të tilla, anëtarët e jurisë që na kanë shoqëruar përgjatë këtij rrugëtimi, mësuesit e shkollave të cilët përmes dedikimit dhe mentorimit të tyre kanë udhëhequr nxënësit dhe patjetër falenderojmë edhe të rinjtë pjesëmarrës, pa inteligjencën, objektivitetin dhe aftësitë analitike dhe kritike të të cilëve ky projekt nuk do të kishte kuptim.
Duke mbyllur një gjysmë-dekade, historia e Re-Debate do të vazhdojë të shkruhet në edicionin e ardhshëm. Deri atëherë shihemi!