Organizata LIBURNETIK, ditën e Premte, 25 Mars 2022, në ambientet e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë*, do të organizojë prezantimin e Projekt-Programit Re-Debate – Kampionati Kombëtar i Debatit, Edicioni V.
Me në fokus nxitjen e mendimit kritik, frymën e kulturës së debatit dhe zhvillimin e aftësive komunikuese, Re-Debate vjen për të pestin vit radhazi, në nivel kombëtar, duke u bërë projekti me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri.
Në partneritet me Kongresin Rinor Kombëtar dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR), Re-Debate Edicioni V do të përfshijë më shumë se 1000 gjimnazistë nga 100 shkolla të mesme në 61 Bashki të vendit.
Në panelin e prezantimit të projektit, i cili do të moderohet nga Drejtori Ekzekutiv i Organizatës LIBURNETIK Z. Ergys Gezka, do të jenë të pranishëm disa nga përfaqësuesit kryesorë që mundësojnë këtë projekt. Një fjalë përshëndetëse institucionale do të mbahet nga Znj. Bora Muzhaqi, Ministre, Ministri i Shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët; Znj. Kleina Kasanai, Drejtore e Përgjitshme, Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR); Z. Klodjan Seferaj, Menaxher Programi, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë; Znj. Dafina Peci, Drejtore Ekzekutive – Kongresi Rinor Kombëtar; Znj. Bleriana Bino, Drejtore Ekzekutive, SCiDEV.
Pjesë e panelit do të jenë edhe një grup të rinjsh dhe mësuesish, pjesëmarrës dhe fitues të edicionit të fundit, të cilët do të shprehen në lidhje me eksperiencën e përjetuar dhe sa u ka shërbyer gjatë këtyre viteve. Nuk do të mungojnë në këtë aktivitet edhe disa nga mësuesit mentor të grupeve të debatit.
Zbatimi i projektit Re-Debate Edicioni V ka nisur në muajin Shtator 2021 dhe ka përmbyllur fazën e trajnimeve gjatë të cilës nxënësve dhe mësuesve u janë dhënë informacione mbi metodologjinë dhe mbi formatin e debateve që do të zhvillohen në vijim. Debatet do të zhvillohen duke u bazuar në metodologjinë e njohur ndryshe si Formati IDEA.
Të gjitha debatet mes ekipeve përfaqësuese të shkollave do të zhvillohen fizikisht, në formën e një Kampionati (Tournament), në dy faza:
Faza I do të zhvillohet me debatet në rang rajoni;
Faza II do të zhvillohet me debatet në nivel kombëtar me skuadrat e kualifikuara përgjatë fazës së mëparshme.
Ndër vlerat që synon të përqafojë ky projekt është dhe mbetet nevoja e vazhdueshme për edukimin e brezave të rinj me kulturën e debatit dhe mendimit kritik, duke i distancuar nga larg modelet e munguara apo edhe të gabuara me të cilat ata përballen në shoqërinë shqiptare.
Organizata LIBURNETIK, si organizatë me fokus zhvillimin dhe promovimin e rinisë shqiptare fton përfaqësuesit e mediave të jenë pjesë e këtij aktiviteti.
*Për të respektuar masat anti-covid aktiviteti do të jetë i aksesueshëm vetëm për të ftuarit dhe mund të ndiqet në live streaming në faqen facebook të LIBURNETIK.