Masakra
29 Shtator, 2021
Panem et Circenses dhe Dhia e Komshiut
8 Tetor, 2021

Viktima të indiferentizmit

Përpara se një njëzet vjeçare bashkëjetuese e ndodhive të përditshmërisë të ndajë me ju opinionin personal mbi titullin që ju kuriozoi, do t’ju lutesha vetem pak minuta të bënit një kërkim të të dhënave të përditësuara të INSTAT në lidhje me përjetimin e dhunës prej vajzave dhe grave në Shqipëri.

Në mungesë të kohës, ose në rastin më të keq në prani të indiferentizmit, mundin po jua kurseje une dhe po citoj: “Më shumë se gjysma e vajzave dhe grave të moshës 15-74 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës (dhunë nga partneri intim, dhunë në një lidhje dashurie, dhunë nga jopartneri, ngacmim seksual dhe/ose përndjekje), gjatë gjithë jetës së tyre sipas një vrojtimi prej INSTAT në vitin 2018. 37% e tyre e kanë përjetuar këtë gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.”

Të frikshme si shifra, apo jo? Të frikshme po aq sa emrat konkret të viktimave të dëgjuara në kronikat e zeza të lajmeve, të listës së pasuruar më shpejt se ç’kjo shoqëri e priste dhe ata familjarë absolutisht nuk e meritonin.

Epo, rezultat pa shkak nuk ka! Dhe njejtë si një arkitekt përpara se të ndërtojë, studion gjeologjinë tokës; njejtë si një mjek përpara se të përcaktojë diagnozën, rekomandon kryerjen e analizave përkatëse; njejtë si një arkeolog përpara se të ngrejë rrjedhën e historisë, pluhuroset në mbetjet e rrënojave; kjo shoqëri, të ashtuquajturët ose të vetquajturët ‘intelektualë’ të saj dhe deri të çdo qytetar modest por krenar për punën e pastër të tij, duhet t’i kërkojë gjenezën problemit, më pas të aspirojë zgjidhjen!

Nëse është e vështirë që hallkat tashmë të ngatërruara t’i zgjidhim të veçuar, atëherë le t’i kthehemi retrospektivës së bashku. Prej ku nisim? Prej gjykatave?! Ato institucione të korruptuara që kemi vite që i shohim si ngrehina të errta ku mbrohet e paligjshmja nën petkun e kushtetutës, ku shumica pas disa fjalish jo etike të thëna nën zë por në një mendje, përfundojnë në shprehjen “Në dyert e tyre, fati mos të dergoftë!” Ta kenë ato fajin?!

Apo fillon problemi te komisariatet e policisë, ku me imagjinatë prej matanë rruge e marrim me mend që i prangosuri dhe polici luajnë letra në hapsirat mes hekurave e aty-këtu madje edhe shoqërizohen me njëri-tjetrin. Aty padyshim duhet të qëndrojë faji!

Por, të mos lodhemi! Të rrënojmë më thellë: te ngjarja e fundit e kësaj natyre që dëgjuam, që alarmoi median, që ngriti shoqërinë në tubime paqësore kundër dhunës, me të rinj e të reja që dukeshin bukur në një mendje, por që ato pankartat kishin mundësi t’i shkruanin edhe më bukur. Pikërisht ato pankarta duhet ta kenë fajin!

Fundja, faji jetim nuk mund të jetë. Mund të jetë biri yt që e gjete veten duke pohuar secilin nga vargjet e mësipërme, por kurrë nuk ndjeve të ndërhyje në një zënke banale me tone të ashpra mes dy bashkëshorteve, dëgjuar rastësisht teksa kaloje rrugën. Mund të jetë biri i fqinjit që nuk e prishi rehatinë për të trokitur derën kur përtej murit dëgjoi britma, të qara, të shara ose më keq, klithma. Mund të jete i vogli i koleges që nuk guxoi ta denoncojë eprorin e saj epsh-papërmbajtur teksa shfaqte të tjera synime ndaj punëtorëve, edhe po ta dinte se të nesërmen nuk do të kthehej më në punë. Ndoshta është edhe i birësuari i studentes që nuk doli nga salla kur një bashkëmoshatar (aq me keq, pedagog!) bëri një koment seksist; i vëllait që nuk këmbenguli që motren e vogël ta aftësonte të ishte e pavarur e t’i prezantohej kryelartë shoqërisë me një arsimim të denjë, jo stolitë e pavlera e “nderin” ndrydhës.

Ne thelb, jo thjeshtë “faji” por “akti precedent penal” është INDIFERENTIZMI dhe çdo fenomen viktimizues që shohim a dëgjojmë është asgjë më shumë sesa derivat i tij. Në një kohë kur empatia është përgjegjësi shoqërore, dhënia e një dore për kurimin e të tillë plage prej hipodermës duhet të bëhet detyrim moral. Në të kundërt analizimet, tubimet, pankartat do të mbeten vec ankerplasti që mbulon sërish për të panumërtën herë problemin. Nëse vazhdojmë me parimin egoist “Çfarë ndodh jashtë derës sime, nuk është punë e imja,” infeksioni i indiferentizmit do të vazhdojë të përhapet duke kërcënuar çdo derë dhe rreshtuar të tjera viktima!