Dy janë mundësitë për një lypsar që qëndron në të ftohtë rrugëve. Ose ai do fajësohet vazhdimisht nga shoqëria për gjendjen ku e ka lënë veten, ose do të ndihmohet për të dalë nga e keqja ku është zhytur. Shoqëria e parë është një shoqëri e përbërë nga individë që fokusin më të madh kanë vetveten. Shoqëria e dytë është e përbërë nga individë që nuk e ndajnë në asnjë kohë veten nga komuniteti. Është pikërisht kjo shoqëri, e cila ka probabilitetin më të madh për të qenë aktive.
Duke e konceptuar veten si pjesën integrale e një komuniteti, atëherë vetvetiu, mendësia e individit priret që të investohet në krijimin dhe përdorimin e mekanizmave që përmirësojnë situatën e shoqërisë. “Sa më mirë shoqëria, aq më mirë dhe unë”.
Në të kundërt, individualisti shpesh herë ndjek kurs përplasjeje me shoqërinë, nga e cila kërkon vetëm të përfitojë, me meritë a pa meritë. Rrjedhimisht, qartazi shoqëria aktive është shoqëria e përbërë nga individë komunitarë.
Kjo lloj shoqërie është e përgjegjshme, llogari-kërkuese, respekton dhe kërkon të respektohet, proteston, avancon kauza, formulon qartazi norma, realizon vizione dhe vazhdimisht evoluon. Këtë e arrin sepse, duke qenë e përbërë nga pjesë të cilat kontribuojnë pozitivisht për të, atëherë ajo është e bashkuar në një rezultante që gjithmonë ecën përpara dhe lart.
Me fjalë të tjera pra, një shoqëri aktive e vendos veten në qendër të gjithçkaje, duke mos pritur pasivisht qe fati i saj të vendoset prej të tjerëve. Në këtë kontekst, shoqëria aktive është ajo që ka shanset më të mëdha për të gëzuar një të ardhme të pëlqyeshme. Në të kundërt, pasivja gëzon vetëm atë që i falet. Dhe fatkeqësisht, askush s’ka falur asnjëherë shumë…