Hidhet shorteu për Fazën Pre-Eleminatore. Këto janë 16 Debatet!
21 Maj, 2021
Shoqëria aktive
1 Qershor, 2021

Ne na duhen ”kangjella”!

Vendi në të cilin jetojmë ka probleme të pafundme, ashtu siç ka dhe bekime të pafundme, të cilat na bëjnë të jemi krenarë. Por siç ka thënë edhe Shën Agustini, ishte krenaria ajo që I shndërroi ëngjëjt në djaj.

Unë mendoj se kam gjetur një zgjidhje për çdo problem që ka Shqipëria. Këtu duhen hekura, kangjella më saktë.

Duhen hekura që njerëzit të mos kalojnë semaforin me të kuqe, duhen hekura që makinat mos të parkojnë në korsinë e biçikletave, madje duhen hekura edhe që biçikletat të mos futen në rrugën e makinave. Këtu duhen hekura që njerëzve të mos ju shkrepet ti hidhen para motorrave e që motorrat të mos bëjnë çdo manovër nga MotoGp-ja për ta çuar picën e ngrohtë. Duhen kangjella, madje të fortë fare që motorrat që ecin sikur të jenë në autostradat gjermane të mos futen nëpër sheshet ku luajnë fëmijët.

Edhe për atë tipin që nxjerr pitbullin shëtitje rrugëve, pa asnjë maskë e asnjë litar të lidhur dhe që thotë “pa merak se nuk kafshon”, duhen kangjella. Kangjella do dhe ai tipi që vjen me vrap duke të zënë rradhën në market, ndërkohë që kë dy orë që pret, vetëm se ka parkuar makinën keq. Me pak fjalë, ky vend bëhet vetëm me kangjella.

Po ku ti gjejmë gjithë këto kangjella? Kush mund të prodhojë kaq shumë kangjella? Mbase dikush kujton se po kërkojmë kangjella me të vërtetë. Mbase dikush tjetër ofrohet të na I japë me çmim shumice. Jo, nuk na duhen. Nuk mund të krijojmë një kafaz të tillë për çdo njeri të papërgjegjshëm, për çdo njeri arrogant e për çdo njeri të pakujdesshëm. Nuk mund ti shkojmë nga pas çdo të rrituri, me mendje mikroskopike dhe me qytetari zero.

Ndërtoni sa të doni gradaçela, kur prap ai që do jetojë në katin e njëzet të pallatit do ti hedh plehrat nga dritarja, se mbase bën ndonjë kosh, ndërkohë që nga aq lartësi plehrat do bien si meteor. Ndërtoni sa të doni stadium, kur prap njerëzit do shkulin karriket se mbase kanë qejf të rrinë në këmbë. Ndërtoni sa të doni shkolla, kur punësoni mësues delirantë. Por, ka diçka që nuk e ndërtoni dot me para, por vetëm me shembull dhe kjo është qytetaria.

Ah, këtu ndalojmë pak, se shembull rrallë njerëz japin. E teksa kërkojmë dëshpërimisht për shembuj brezat kalojnë e kalojnë, duke krijuar pikërisht kulturën që nuk duam. Dëgjoj shumë njerëz që luajnë rolin e “të paditurit”, duke tentuar të pretendojnë se çdo gjë shkon mirë, por kjo në kuptimin e parë të fjalës po na shkatërron. Të pretendosh se je mirë, mund të të bëj të ndihesh më mirë me veten, por nuk e ndryshon gjithsesi realitetin. Dhe nëse vazhdojmë të fshehim këtë realitet jemi duke I refuzuar vetes mundësinë për tu përmirësuar.

A mendoni tani se të gjithë kanë nevojë për kangjella? Nuk është aspak e nevojshme, nëse të gjithë do kishin qytetari, por ne pa kuptuar kemi krijuar mitin e “më mirë do bëhet”. Po se kur do bëhet më mirë, një Zot e di!