Sapo kishte dalë nga restoranti ku darkoi me kolegët e punës. Shëtiste i menduar në bulevard. Ishte ca i pirë, por për fatkeqësinë e tij, mendjen e kishte brisk! Ah sa ashpër po i lozte ajo mendje: “Jam vjetërsuar shumë në mendim. Do më zëvendësojnë! Po po, patjetër që do më zëvendësojnë; ka të rijnë shumë më të mirë se unë. Unë kam gjithë këto vite që nuk them asgjë të re; edhe sa do mundem ta shty duke u shtirur sikur i di të gjitha ç‘ndodhin?”– pyeste veten pa pushim, duke e lodhur akoma më shumë seç e lodhte plakja.
Të gjithë këto mendime të egra i kishin mbledhur rreth zemrës një lëmsh ankthi. Ndaj vendosi të kthehej në banesë, se si shpëtim të gjithëjetshëm kishte gruan e tij.
Kur arriti në shtëpi, i qau hallet me të; dhe ajo, si njeriu më i mirë mbi këtë tokë që ishte, e dëgjoi. U çua madje i gatiti dhe diçka për të ngrënë, dhe një çaj qetësues për të pirë. Qe pikërisht ai çaj që e solli në gjendjen e tij të mëparshme. Se që kur pa çajin, ndaloi së dyshuari veten.
E çuditshme si ndizet përnjëherë memoria e njeriut! Edhe pse kishte kaluar 6 orë që nuk jepte mend, ai çaj i kujtoi një njohuri të vogël në gjithologjinë gjigande që kishte në mendje. Aq mjaftoi që t’i kthehej zakonit që e kishte lartësuar në karrierë: Të mendonte se dinte gjithçka për çdo gjë.
Me zjarrm e duke kërcitur dhëmbët nga gëzimi, me një gjysmë-ulërimë të përmbajtur, se ishte dhe natë vonë, opinionisti i tha partneres së gjithëjetshme: “Leje grua atë që po gatit, po hajde mu ul këtu pranë, se dua të të flas mbi çajrat që lehtësojnë pankreasin dhe pasojat që solli në rendi botëror aneksimi i Krimesë”.