FAM(ë) do të thote “uri”
18 Mars, 2021
Ku vdes Kiameti!
23 Mars, 2021

Pasoja e aktivizmit dhe pasoja e pasivizmit

Qartazi koha e jetuar ndahet në të shkuar, të tashme dhe të ardhme. E shkuara është me rëndësi pasi është një oqean i shkëlqyer njohurish dhe mësimesh. E tashmja përjetohet, e si rrjedhojë shërben në shumë dimensione, por përgjithësisht ajo prodhon rehati ose parehati karshi standardeve të jetesës. Rehatia kërkohet të mbahet, ndërsa parehatia kërkohet të eliminohet. Këtu hyn në funksion e ardhmja, pasi është ajo pika e referencës nga ku drejtohen aspiratat për qëndrueshmëri apo ndryshim.

Qoftë krijimi i një qëndrueshmërie që synon të riprodhojë kushtet e së tashmes në të ardhmen, qoftë ndryshimi që synon të prodhojë kushte më të mira në të ardhmen, në raport me të shkuarën, kërkon aktivizëm. Fjala aktivizëm në këtë kontekst kuptohet në një këndvështrim shumë të gjerë, si një njësi veprimtarish që shërbejnë si forca që mban ndezur motorin e përmirësimit.

Ndaj pra, pasoja kryesore e aktivizmit është mirë-shërbimi që ai i bën së ardhmes. Pasojë kjo që prodhon vetëm avantazhe. Në radhë të parë krijon një farë përgjegjësie tek individi dhe komuniteti që ai bën pjesë. Në radhë të dytë mundëson ditjen e faktit që e ardhmja e dëshiruar është e arritshme nga përbrenda dhe nuk jepet nga jashtë. Në radhë të tretë aktivizmi prodhon shpresë dhe optimizëm, ndjesi këto shumë jetike për një entitet që synon evoluim.

Përfundimisht, pasoja e aktivizmit qëndron në faktin se ai është i aftë të ngjizë përmirësimin e një individi dhe shoqërie duke i bërë këto të kuptojnë përgjegjësinë që kanë karshi lirisë së tyre për ta projektuar veten më mirë në të ardhmen. Si rrjedhojë, aktivizmi është detyrë, jo luks apo zgjedhje. Vetëm nëpërmjet tij ëndrrat bëhen qëllime dhe qëllimet realitet.

Nëse pranojmë se e ardhmja e dëshirueshme ndërtohet si rrjedhojë e mendimeve të paramenduara që ndihmojnë realizimin e qëllimeve të paracaktuara, atëherë doemos pranojmë se aktivizmi është mekanizmi që vë në lëvizje gjithë këtë.

Në të kundërt, pasivizmi është antiteza. Të jesh pasiv do të thotë t’i japësh lejen gjithçkaje dhe gjithkujt për të vendosur në emrin tënd, do të thotë t’i japësh mundësinë të ardhmes të formohet pa pasur ti vet ndikim në të. Më fjalë të tjera, pasivizëm do të thotë surprizë.

Kjo përbën dhe pasojën kryesore të pasivizmit. Ngaqë është mungesë, ky fenomen nuk ofron asgjë. Rri i vetmuar në një hapësirë të pafundme mundësish. Eventualisht, është i detyruar të pranojë mundësinë e parë që përplaset me të. Përfundimisht, pasiviteti është i detyruar të marrë formën e enës që i japin.

E kontekstualizuar për një shoqëri, kjo do të thotë se e ardhmja që i përket asaj do të formohet nga të tjerë dhe jo nga ajo vet. Duke u formuar nga të tjerë, e ardhmja do të resht së qeni e saja; do të jetë e atyre që e kanë formuar atë.

Kësisoj, një shoqëri pasive është e destinuar të vuajë pasojat e veprimeve të njerëzve që janë jashtë saj. Lehtësisht e kontrollueshme, e papërgjegjshme mbi ekzistencën e saj, në padëshirë për të njohur rëndësinë e vet, ajo i dorëzohet rrethanave, pa i ndikuar aspak ato. Sikurse një fëmijë pasiv që e pret ushqimin nga prindi, edhe kjo shoqëri e pret të ardhmen nga kontrollorët e saj. Fëmija është i vogël ama. Shoqëria çfarë justifikimi ka?