Kur (nuk duhet) të mësohesh…
15 Mars, 2021
FAM(ë) do të thote “uri”
18 Mars, 2021

Përtej pandemisë…

17 Nëntor 2019 shënonte data në kartelën e pacientit që u paraqit në Spitalin Qendror Wuhan me simptoma në dukje të zakonshme, por analizë laboratorike të dyshimtë. U deshën studime ultramikroskopike, debate analizuese mes profesionistëve të fushës, akuza institucionale për shpifje, por PERTEJ tyre një e vërtetë e qartë: imuniteti njerëzor tashmë kërcënohej nga një virus me origjinë shtazore, tepër i rrezikshëm dhe lehtësisht i transmetueshëm, sëmundjen e shkaktuar prej të cilit për kujtim të vitit të fillesës, shkenca e mjekësisë e quajti COVID-19, frika e shoqërisë “murtaja moderne” ose “kolera e re”, ndërsa në histori la gjurmën e pandemisë. Përtej një rasti, sot vazhdon të shkruhet një histori e pambyllur. Po vet pandemia, çfarë solli përtej?!

Dyshimi i parë që dëgjimi i lajmit mbi kërcënimin e ri sillte ishte: “A mundet një provincë të infektoje një shtet?”. Aq më pak, “ A mundet një shtet të infektojë një botë?” Përgjigjja nuk vonoi për tu kuptuar. Transmetimi i parë lokal jashtë Kinës ndodhi në Vietnam, shkak i një takimi të ngrohtë, të shumë munguar bab’-bir. Ndërsa jo shumë më pas, një mbledhje biznesi e dërgoi virusin në Bavari. Rezultati ishte i qartë, më e thjeshta traditë e mirësisë dhe dashurisë njerëzore: duar shtrëngimi, përqafimi, puthja, tashmë përbenin rrezik. Rrezik për veten, rrezik për përballë qëndruesin, rrezik për gjithë kontaktet që do të kishe më pas, rrezik për jetën dhe më e frikshmja, pas tashmë një viti të munguara, rrezik nëse do të vazhdojmë t’i shohim e ndiejmë njëjtë në vazhdim. Përtej pandemisë, veç trokitja pak sekondëshe e grushtave dhe syqeshja do të vazhdojnë t’na i ngrohin zemrat kur fytyra të dashura të shohim përballë?!

Pas një virusi që penetron agresivisht membranat e qelizave tona dhe i shfaq luftë imunitetit, shfaqen simptoma, intensiteti i të cilave varion sipas organizmit. Por SARS-COV2 shpejt provoi se ishte shumë më i fortë se rezistenca e shumicës humane. Raportimet e OBSH-së në 14 shkurt 2021 numëronin 108 milion raste të prekur prej publikimit të fillimit të pandemisë në Janar 2020, dhe 2.49 milion vdekje, pjesa më e madhe e të cilave mbi moshën 60 vjeçare. Situata paraqet një rrezik prekje të frikshëm ku mundësinë e suksesit në betejën e shëndetit më të paktë e kanë të moshuarit dhe shëndet brishtët, ndërsa targeti përhapës më i lartë janë të rinjtë. Me të tillë tablo të qartë, ekspertët e fushës dhe kryesitë e shteteve, aplikuan dhe vazhdojnë mëshojnë në masat kufizuese publike, të cilat për të arritur rezultate kanë nevojë për bashkëpunimin qytetar individual të gjithë secilit. Detyrë minimale dhe përgjegjësi morale tashmë përbën mbajtja e maskës parandaluese të përhapjes nga të gjithë frekuentuesit e vendeve publike për të ndihmuar në uljen e maskave të oksigjenit që iu duhen rasteve të intubuara në spitale, si edhe respektimi i distancës sociale sot për t’i dhënë mundësi vetes ti përshëndesim shëndoshë gjithë të afërmit nesër. Por, përtej pandemisë, a na la COVID të kuptojmë sa e shtrenjtë është jeta dhe sa sakrifica vlen për të, apo të gëzuarit të çastit do të mbetet karakteristikë e shoqërisë njerëzore?!

Në muajin e 13-të të luftës së përbotshme me të padukshmen jetëkërcënuese, ushtarët në frontin kryesor të saj, misionarët e shëndetit dhe të betuarit për të mbrojtur jetën, janë punonjësit e shërbimit shëndetësor. Mjekët, deri një vit më parë fatkeqësisht të pavlerësuar; infermierët e papërgëzuar dhe sanitarët (me dhimbje e thënë) jo rrallë të përbuzur. Ata të cilët ia përkushtojnë jetën e tyre të shpëtuarit të jetës së tjetrit, që sakrifikojnë orët e gjumit në shërbim të dijes me qëllim gjumin e qetë të familjarëve të pacientit nën idenë se i afërmi i tyre është në duar të sigurta, që e njohin dhe sfidojnë rrezikun e vdekjes më shumë se gjeneralët dhe në këmbim kërkojnë aspak grada, që për jetën luten më shumë se besimtarët dhe mbrapsht shpresojnë paqen e pacientit më shumë se të vetes, që shërbejnë jo rrallë më shumë se ç’shpërblehen. Përtej pandemisë, a do të vazhdojmë ta vlerësojmë njëjte dhe pastër përparësen e bardh me mund të fituar e mbajtur prej tyre?!

Ndërkohë që gjendja e pazakonte kërkon investime monetare të shumëfishuara në sferën e shërbimeve shëndetësore, pabarazia e të trajtuarit njësoj sektorët e ndryshëm të ekonomisë është e arsyetueshme, por pavarësisht rënduese. Organizata Botërore e Punës (ILO) raporton se në nëntë muajt e parë të pandemisë, puna në të gjithë botën kishte rënë me 10,7% ose 3,5 trilion dollarë. Turizmi pësoi uljen më të frikshme prej Luftës së Dytë Botërore, mbyllja ndërkufitare zeroi transportin duke drejtuar në falimentim shumë kompani, veçanërisht ajrore. Ndërprerja e investimeve të huaja uli prodhimin e brendshëm dhe zgjidhi kontrata punëmarrje që ishin baza e mbijetesës së jo pak familjeve. Ndërsa ndihmat ndërshtetërore nuk janë të premtuara për aq kohë sa ndërmarëdhënia nuk vlen më shumë se siguria e jetës së shtetasve. Kështu, bota edhe një herë kuptoi se bashkimet shumëkombëshe janë jo vetëm mundësi përparimi dhe zhvillimi, por themeli i tyre. E megjithatë, përtej pandemisë, a do të ndryshojnë ose përforcohen standardet, objektivat dhe kriteret e tyre?!

Ende, më e bukura, e veçanta dhe identifikuesja e shoqërisë sonë është kultura. Të gjeturit të mënyrës për të mbajtur në këmbë edukimin dhe arsimin me të mirat që teknologjia e kohës na ofron; të zhvilluarit trajnime, fushata e negocime ndërkufitare me vulë pasaporte vetëm password-in e një takimi online; të prodhuarit muzikë dhe ndeshje sportive; të pasqyruarit ekspozita vetëm me audiencë prej ekraneve LED, janë të gjitha “procesverbale aktivitetesh” të zhvilluara në kohë pandemie. Por, përtej pandemisë, a do të vazhdojmë ta vlerësojmë njësoj atë që për ne është përfitim njohurish dhe kënaqësie, por për organizuesit dhe ofruesit e saj në të tilla kushte, sakrificë?!
Koha për të kuptuar përgjigjen e të gjitha këtyre pyetjeve, me besimin në shkencë dhe shpresë, nuk do të jetë e largët. Natyra evoluon, por qeniet përshtaten! Mundësitë moderne që në vetëm 8 muaj arritën të lexojnë në çdo gen AND-në e një virusi të ri dhe ta përballin si kurrë më parë shkencën dhe mjekësinë me konkurrencën e dhjetëra kompanive për krijimin e vaksinave efektive të shumëpritura, e përshpejtojnë edhe më shumë këtë përshtatje. Me rëndësi është që mësimet në ditë vështirësish të mos harrohen në kohë lehtësirash.

Përtej pandemisë?! Përtej pandemisë do të kemi një botë që e vlerëson jetën më shumë se më parë, që e do aktivitetin dhe gjallërinë e munguar si rrallë më herët dhe që i kupton sakrificat e kufizimeve duke promovuar integrimin më tepër se në çdo epokë të kaluar.

“Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë!”- theksonte Fridrih Nice. Me këtë varg do të filloj kapitulli i PËRTEJ PANDEMISE…