LIBURNETIK Organisation ditën e Enjte, 4 Mars 2021, në ambientet e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë do të organizojë prezantimin e Projektit Re-Debate 5.1 – Kampionati Kombëtar i Debatit.
Me në fokus nxitjen e mendimit kritik, frymën e kulturës së debatit dhe zhvillimin e aftësive komunikuese, Re-Debate vjen për të katërtin vit radhazi për herë të parë në nivel kombëtar, duke u bërë projekti me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri.
Në partneritet me Kongresin Rinor Kombëtar dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Bashkisë Tiranë, United Nations Albania, UNFPA Albania, UNICEF Albania dhe Ambasadës Hollandeze në Shqipëri, Re-Debate 5.1 do të përfshijë më shumë se 1500 gjimnazistë nga 100 shkolla të mesme në 61 Bashki të vendit.
Në panelin e prezantimit të projektit, i cili do të moderohet nga Drejtori Ekzekutiv i Organizatës LIBURNETIK Z. Ergys Gezka, do të jenë të pranishëm disa nga përfaqësuesit kryesorë që mundësojnë këtë projekt. Një fjalë përshëndetëse institucionale do të mbahet nga Znj. Evis Kushi, Ministër, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Z. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë; Z. Roberto De Bernardi, UNICEF Albania; Z. Rogier Nouwen, Zv/Ambasador i Mbretërisë së Holandës (Video mesazh); Znj. Dorina Tocaj, Analiste e Programit të Shëndetit dhe Rinisë, UNFPA; Znj. Julinda Dhame, Bashkia Tiranë, Z. Kreshnik Loka Përfaqësues i Zyrës Lokale, Tiranë, RYCO, Znj. Dafina Peci, Drejtore Ekzekutive – Kongresi Rinor Kombëtar.
Pjesë e panelit do të jenë edhe një grup të rinjsh dhe mësuesish, pjesëmarrës dhe fitues të edicionit të fundit, të cilët do të shprehen në lidhje me eksperiencën e përjetuar dhe sa u ka shërbyer gjatë këtyre viteve. Nuk do të mungojnë në këtë aktivitet edhe disa nga mësuesit mentor të grupeve të debatit.
Zbatimi i projektit Re-Debate 5.1 ka nisur në muajin Shtator 2020 me fazën e parë, atë të trajnimeve: gjatë të cilës nxënësve dhe mësuesve u janë dhënë informacione mbi metodologjinë dhe mbi formatin e debateve që do të zhvillohen në vijim. Debatet do të zhvillohen duke u bazuar në metodologjinë e njohur ndryshe si Formati IDEA.
Të gjitha aktivitetet do të zhvillohen on-line në formën e një Kampionati (Tournament), në tre faza:
Ndër vlerat që synon të përqafojë ky projekt janë dhe mbetet nevoja e vazhdueshme edukuese në brezat e rinj përballë modeleve të munguara apo të gabuara në shoqërinë shqiptare.
Organizata LIBURNETIK, si organizatë me fokus zhvillimin dhe promovimin e rinisë shqiptare fton përfaqësuesit e mediave të jenë pjesë e këtij aktiviteti.
Aktiviteti do të zhvillohet duke respektuar protokollet anti Covid-19, on-line përmes platformës Zoom dhe pjesërisht në Sallën e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, kati I, Rruga e Durrësit Nr.23, Tiranë.