Demokracia është pushtet i popullit mbi popullin vet. Kjo thuhet aq shpesh, e megjithatë, përjetohet kaq rrallë… Kryesisht sepse nuk kuptohet tërësisht, sidomos nga vendet që kanë në historikun e tyre njollat e kuqe të diktaturave të zeza. Për t’u përjetuar pra, fillimisht duhet kuptuar.
Shpjeguar thjeshtë dhe pa shumë inflacion fjalësh, pushteti i popullit realizohet nëpërmjet zgjedhjeve. Konkurrenca e kandidatëve në zgjedhje të lira dhe të ndershme krijon një farë përgjegjësie dhe ndjeshmërie karshi shoqërisë. Ngaqë çdo kandidat kërkon më shumë vota, atëherë rrjedhimisht ai tenton t’i përgjigjet sa më shumë nevojave të shoqërisë. Shoqëria nga ana tjetër, duke zgjedhur atë që do ketë pushtetin për ta kontrolluar, kontrollon veten e vet.
Nga kjo mund të arrihet në përfundimin se pushteti është i dykahshëm: ai vepron nga poshtë-lartë (proces nga ku legjitimohen pushtetarët) dhe nga lartë-poshtë (proces nga ku pushtetarët ushtrojnë veprimtarinë e tyre kontrolluese mbi shoqërinë). Dykahshmëria e pushtetit mundëson mbarëvajtjen e një shoqërie dhe evoluimin e përhershëm të saj; simbioza pra, jetëson përmirësimin.
Në të kundërt, parazitizmi në shoqëri jetëson, në versionin më optimist, stanacionin, ose në versionin më pesimist, shkatërrimin. Ky fenomen ndodh atëherë kur pushteti bëhet i njëkahshëm, vetëm nga lart-poshtë; kur pushtetarët ushtrojnë veprimtarinë e tyre kontrolluese mbi shoqërinë, pa këtë të fundit që e legjitimojnë apo dëshirojnë këtë veprimtari.
Këtu mund të bëhen dy dallime. Kur shoqëria e pranon konkretizimin e mosdëshirave të saj, dhe kur shoqëria nuk e pranon atë. Në rastin e parë, shoqëria është pasive, e zhytur në padëshirë, dhe pa vullnet për të ndryshuar realitetin. Kjo është një shoqëri që nuk e njeh përgjegjësinë e vet në demokraci, nuk e njeh detyrën për të qenë e vëmendshme karshi përdorimit të pushtetit që ia delegon pushtetarëve.
Në rastin e dytë, shoqërisë i është bërë një ‘puç’; asaj i është kërkuar të heshtë karshi abuzimit dhe të qorrohet për të mos parë se realiteti nuk po ecën përpara. Megjithatë, në këtë rast të dytë, shoqëria nuk pranon të bëjë kompromis me vetveten, ajo e ka njohur potencialin e saj si pushtet-dhënëse, dhe përpiqet të dalë prej qorrsokakut ku tentojnë ta fusin. Ajo rrit përgjegjësinë e vetes, duke rritur kështu ndjeshmërinë që kanë pushtetarët ndaj mbarëvajtjes së saj. Këtë ajo e realizon duke qenë aktive. Nëpërmjet aktivizmit në nivele të ndryshme, ajo siguron që edhe pushtetarët të ndjejnë atë që ajo ndjen: domosdoshmërinë për ta inovuar realitetin në një shkallë më të mirë.
E mira do ishte që gjithmonë pushteti të ishte i dykahshëm, dhe pushtetarët e shoqëria të kishin marrëdhënie simbiotike me njëri-tjetrin. Por ja që jo gjithmonë kanë. Kur nuk kanë, do të ishte më mirë që shoqëria të bëhej e përgjegjshme mbi të ardhmen e vet, duke i imponuar ndjeshmëri të zgjedhurve të saj. Kjo realizohet vetëm duke u aktivizuar. Pasiviteti është i destinuar që të prodhoj realitete të padëshiruara. Po nuk u more ti me diçka, do merret diçkaja me ty, dhe ti nuk do kesh mundësinë të vendosësh kushtet se si ajo diçkaja do të të përdorë.