A zgjedhin të rinjtë shqiptarë të përdorin mendimin kritik?
4 Shkurt, 2021
Përfundon faza e trajnimit të nxënësve për Re-Debate 5.1
8 Shkurt, 2021

Shhhht, fjala e lirë dëmton!!!

“Njeriu lind i lirë, por kudo është i prangosur”, thoshte Rusoi !
Kur e dëgjova për herë të parë këtë shprehje, ndonëse isha relativisht e rritur, nuk e analizova kaq thellësisht sa sot mundem!!
Dua të ndalem sot te liria e shprehjes, e cila është një e drejtë e patjetërsueshme ligjërisht dhe formalisht, po çfarë ndodh praktikisht?!
Unë mendoj që liria e shprehjes është e garantuar ligjërisht në vendin tonë, por praktikisht censurohet në një mënyrë të turpshme, si pasojë e një “sistemi” të ngritur prej kohësh tanimë!

Gjeneza e censurimit të fjalës së lirë, nuk lind me lindjen tonë, jo!
Ajo është më e hershme, nis që nga edukimi i  prindërve tanë, të cilët shpeshherë me apo pa dashje janë trashëgimtarë edhe të mësimeve të gabuara!
Mendoj se të gjithë ne kemi hasur shprehje të tipit “Shhht, mos e thuaj këtë”, “Kjo është gabim” etj, në ambiente të ndryshme,  ndërkohë që ajo që kemi thënë është një mendim apo opinion, i cili nuk kërcënon dinjitetin e askujt e për më tepër nuk shkel Kodin e Etikës.

Kur je në një moshë relativisht të vogël, nuk të bën përshtypje që të censurojnë, sepse naiviteti i një fëmije, nuk e di që FJALA, është “arma” më e fuqishme që ai ka në jetë, prandaj nuk duhet të lejojë askënd ta ndalojë të shprehet!

Mirëpo, kur rritesh dhe mundohen të të  censurojnë, pavarësisht kokëfortësisë së individit për të ngritur zërin për atë që ai e e konsideron të padrejtë, kjo lëndon, të bën të zhytesh në pesimizëm për forcën tënde e të ndihesh lilipute përballë një “sistemi” të ashpër!

Meqenëse jemi në “demokraci”, ky “sistem” nuk vepron në mënyrë të drejtpërdrejtë, nuk është një aparat shtrëngues, por përgjatë viteve si shoqëri post-komuniste, i ka injektuar njerëzve FRIKËN! Frikën se po të thuash atë që është e drejtë, të rrezikohet vendi i punës, që praktikisht është pika më e dobët e zinxhirit për çdo njeri që të ardhurat i siguron nga kjo punë (sidomos në administratën publike)!

E kështu, kjo Frikë bëhet si një “normë morale” e njeriut, e cila padyshim që sjell vetëm dëm në familje, shoqëri e kudo!
Por, kjo nuk është më e keqja!

Më e keqja qëndron tek fakti që kjo “normë”, duhet praktikuar në mënyrë kolektive! Pra, nuk duhet të ndrydhet vetëm personi i “kërcënuar” , por edhe nëna e babai, motra e  vëllai, vajza e djali, mundësisht dhe komshinjtë, por në rast të shpehjes së këtyre të fundit, ‘dënimi’ është më i lehtë sigurisht!

Liria e shprehjes, në dukje është shumë pak e rëndësishme krahasuar me miliona probleme të tjera që kanë shqiptarët, por unë jam e sigurt që:
Nëse shqiptarët do të kishin shfrytëzuar këtë të drejtë për të kërkuar të tjera, nëse nuk do të kishin ulur kokën përballë padrejtësisë, nëse do të kishin ngritur zërin fort për zgjidhjen e problemeve, nëse do të kishin luftuar për njëri-tjetrin dhe jo me njëri-tjetrin me forcën e fjalës, sot nuk do të ishim këtu! Nuk do të ishim në Shqipërinë, e cila “përzë” bijtë e saj, por në Shqipërinë ku të gjithë jetojnë me dëshirë e dinjitet!!