Urtësia e folklorit shqiptar nuk zhgënjen kurrë! Është në gjendje të rrëmbejë nga praktikat e përditshmërisë filozofi të ndërlikuara, për t’i transformuar ato në mësime të thjeshta. “Kur të vinë mendtë, s’t’i hanë as qentë” është një rast i atillë. Me shprehjen mund të kuptohet se veprimtaria njerëzore ngjeshet gjithnjë brenda një konteksti kohor, dhe gabimet që mund të bëhen në to janë të pandreqshme, fataliste dhe të kushtueshme.
Mirëpo, ky citat i folklorit shqiptar ofron dhe një nënkuptim. Nënkuptimin se, reflektimi gjithashtu vendoset brenda një konteksti kohor, dhe është i padëshirueshëm kur është i vonuar. E megjithatë, nuk duhet të jetë kështu! Reflektimi është mësim, e si i tillë, është i pandalshëm dhe kurdoherë i mirëpritur.
Si proces mendor, reflektimi kërkon kritikë, analizë, logjikë, dhe argumentim; është një debat që njeriu e bën me veten e tij. Nëse këtij debati i plotësohen kërkesat e mësipërme, përfundimi do të jetë gjithnjë pozitiv; çka sjell përmirësim në sjelljen e personit. Rrjedhimisht, e rëndësishme është që reflektimi të zhvillohet. Kur, ku, si, janë variabla triviale, të cilat i vendos secili individ vet, në përputhje me pritshmëritë e tij. Për më tepër që reflektimi është proces i vazhdueshëm, ngaqë ndikohet faktorë të jashtëm e të brendshëm jo të qëndrueshëm, që ndryshojnë gjithmonë nga mënyra se si interpretohet informacioni i thithur a i kuptuar. Si i tillë ai nuk mund të konturohet brenda një kufiri kohor.
Përfundimisht pra, edhe pse veprimtaria njerëzore është gjithnjë e vendosur në një kontekst kohor, mësimet e marra prej saj, nuk duhet të jenë! Gabimi është njerëzor dhe e rëndësishme është të mos përsëritet, që njeriu t’i dhurojë mundësinë vetes për të bërë gjithnjë gabime të reja nga të cilat mëson. Për këtë, thelbësor është reflektimi. A ndodh ai pas një veprimi të gabuar, apo para një veprimi të ri, është pa rëndësi. Mend le të vinë një herë, pa kë ushqejmë me to është diskutim tjetër!