Në një shoqëri konkuruese ku jo pak kush synon integrimin individual në pozicionet ndikim-ushtruese të saj, me një politikë ndërkufitare që nxit shtetet më pak të stabilizuara të integrohen në organizime shumë kombëshe, marrëse dhe dhënëse prej mundësive të njëri-tjetrit; në një ekonomi kapitaliste që udhëzon integrimin në ekonominë e tregut të lirë; në situatën kulm pandemike që qëllim parësor ka integrimin e kërkimit shkencor me ndryshimet mutuese të virusit gjunjëzues për të arritur një zgjidhje të shpejtë dhe rezultat dhënëse; duket sikur “integrimi” është në fakt kryefjala e gjithë vorbullës së ngjarjeve rreth nesh.
Në vetëm një këndvështrim sipërfaqësor kupton se ky proces përbën boshtin kryesor rreth të cilit rrotullohet realiteti i sotëm dhe rëndësia e dhënë ka çuar në përcaktimin dhe listimin e kritereve të qarta që duhen përmbushur në mënyrë që rrugëtimi integrues në proceset e më sipër përmendura të konsiderohet i realizuar. Por a mund të synojmë rezultate pozitive në secilin prej tyre pa qenë së pari të stabilizuar në vet parimet e integritetit?
Pyetja tingëllon retorike, por përgjigjja aq e lehtë nuk është, nëse fillimisht nuk kuptojmë çfarë integriteti nënkupton dhe si ndikon e ndikohemi prej tij. Përkufizimi më i shkurtër, megjithatë më lehtë i memorizueshëm jepet prej shkrimtarit anglez të shekullit të kaluar C.S.Lewis: “Integriteti është të vepruarit drejtë dhe kur askush nuk të sheh!”
Pra, integriteti nuk është thjeshtë normë, është vepër! Nuk është standard i krijuar rishtazi, është mësim i trashëguar ndërbreznor dhe si i tillë na lind përgjegjësinë e të kultivuarit, të aplikuarit dhe të trashëguarit! Nuk është dukje boshamane për të marrë lëvdata, është bindje vetjake për të qenë një qytetar i drejtë dhe i denjë!
Pavarësisht, në të perditshmen hap shpejtë, e zakonshme është të përballemi (qoftë dhe përciptas) me mënyra trajtimi jo të barabarta, të dëgjojmë kronika abuzimi me privilegjet e posteve, të lexojmë reportazhe për një shoqëri dhe ekonomi që kërrusen jo rrallë prej pasojave të ilegalitetit, të vuajmë korrupsionin – pandeminë më të ethshme qindra vjeçare, i cili është kundërshtari më pak i denjë i integritetit. Dhe në kushtet kur kjo listë është aspak më shumë se sa një përqindje piknotike e renditjes infinite që tabloja duhej të përfshinte, “A është integrimi në integritet një proces që premton rezultate në rast se ndërmerret”, do të ishtë një pyetje logjike dhe me vend.
Analiza e përgjigjes i përfshin të dyja anët e medaljes.
Së pari, është në natyrën e shoqërisë njerëzore ta ndiej të nevojshëm aplikimin e normave morale, rregullit dhe drejtësisë. “Në mungesë të tyre jeta do të ishte kaotike,”- theksonin stoikët që në shekullin e tretë të erës para kristiane. Megjithatë, përditshmëria fakton se lakmia dhe egoja individuale del jo rrallë mbi to.
Së dyti, mundësitë dhe lehtësirat që modernizimi teknologjik na ofron në ndarjen dhe mësimin prej tyre, janë të shumta; përfshirë këtu përdorimin e fushatave, rrjeteve sociale dhe trajnimeve. Por njëkohësisht, aksesi i palimituar në to e ka bërë të pamundur kalimin në sitën e filtrimit moral të gjithçka transmetohet, duke promovuar jo rrallë antivlerat që përcillen e përthithen me intesitet të frikshëm.
Së fundmi, përballë një grupi entuziast ndaj pozitivizmit, admirues të përmirësimit shoqëror dhe përkrahës të veprimtarive në dobi të së mirës së përbashkët, ndodhet një ansambël (herë i njëmendtë, por më shpesh në kontradita dhe mes vetes) për te cilët ndryshimi nis nga shoqëria, ndërsa parësia e interesave nga vetja.
Për sa më lartë, integrimi në integritet, megjithëse domosdoshmëri dhe hapi bazë i çdo rrugëtimi zhvillues dhe përmirësues shoqëror, mbetet sfidë. Por, sfidat janë të tejkalueshme, veçanërisht në bashkëpunim. Ndryshimi fillon nga vetja, ndërsa rezultatet arrihen në grup!
“Në mundsh…” e nis çdo varg të poezisë së tij me krye temë vlerat e integritetit, Rudyard Kipling. Me pak frymëzim prej tij, dëshirën e mirë në dobinë e përbashkët dhe synimin për një shoqëri më të vlerë, NE MUNDEMI t’i kthejmë sfidat në favorin tonë!