Ka diçka shumë familjare në filmin kryevepër, ‘Përrallë nga e Kaluara’ të Dhimitër Anagnostit. Shumë skena përjetohen apo sjellin kujtime të ndryshme për çdo njeri, lexues të këtij artikulli dashamirës, por besoj se momenti kur një dyzinë gra fillojnë të sillen si laraska duke u çjerrë e thirrur nën kaosin ku ajo odë gjendet, është më familjari ndër të tjerë. Kjo jo pa arsye. Ky fragment kinematografik është shembëlltyrë e një realiteti jo mjaft të ndryshëm, ndoshta jo kaq drastik nga ai që jetojmë, ku vlera si debati, etika, integriteti e komunikimi nuk zenë vendin e duhur në të.
Shembulli, analogjia e përmendur më lartë nuk ka asnjë synim diskriminues gjinor, por është sjellë vetëm për të treguar se sot, mbi një shekull pasi Çajupi ka shkruar subjektin e veprës, ne nuk kemi ndryshime të dukshme në lidhje me këto vlera. Personalisht, mendoj se rëndësia e tyre, parë në shumë prizma dhe këndvështrime, është aq e madhe saqë nuk mund të shprehet lehtësisht. Ato duhet të jenë lajtmotive personale të çdo njeriu që kërkon të vendosë marrëdhënie të shëndosha me veten dhe me të tjerët. Roli pozitiv i tyre është i padiskutueshëm dhe mjaft i rëndësishëm.
Etika dhe komunikimi i çdo fushe profesionale, por edhe i sferave miqësore e formale, është mjaft i rëndësishëm për një njeri. Si të thuash, e bën atë të jetë i dashur, me takt dhe mjaft i sjellshëm. Veti këto që na tërheqin tek cilido që i shfaq. Por për moralet e larta nuk mjaftojnë thjesht fjalët e bukura dhe gjuha e rrjedhshme. Për të mënjanuar hipokrizinë, në lojë futet integriteti. Ku ky person, përpos i sjellshëm dhe i mirë me të tjerët, është i tillë edhe me veten kur askush nuk sheh dhe kur muret janë të vetmit dëshmitarë. Njerëzit me integritet bëjnë gjithnjë atë që thonë se do të bëjnë, nuk tërhiqen dhe mbrojnë të drejtën edhe nëse dëmi i një situate rëndon mbi ta.
Nuk besoj të ketë njerëz të virtytshëm, pa këto të gjitha. Çdo njeri mund t’i përqafojë, të jetojë me to dhe të rrisi standartin e moralit dhe ndërgjegjes së tij, sado që mund të duket patetike. Për sa i përket debatit, perlës së kurorës dhe pikëtakimit të mendimeve të ndryshme, mund të them pa frikë se është një ndër mjetet me të cilin arrihet përmirësimi më i lartë i të menduarit, sjellurit dhe të shprehurit.
Pavarësisht të folurës subjektive me tone të larta humane, ngrihen dy pyetje të rëndësishmë. E para: A është e nevojshme realisht implementimi i Integritetit e Debatit në masë të gjerë kur ka edhe probleme më të ngutshme? E dyta: A është e mundur të arrihet një gjë e tillë kur vetë koha ka treguar që është e vështirë?
Pyetjet janë me vend dhe i duhet shfaqur interesi i duhur. Po, implementimi është i domosdoshëm. Sepse atje ku kemi të bëjmë me interesat e të ardhmes duhet të jemi jo neglizhentë dhe të duruar. Një fëmjë që rritet sot me kulturën e debatit dhe mendimin kritik, ka gjasa që kur të rritet të jetë një politikan i zhdërvjellët, apo një inxhinier shumë i saktë. Ndërsa integriteti mund të zhduk grykësinë dhe korrupsionin si me magji.
Për sa i përket pyetjes së dytë, mjetet dhe mundësistë që na ofron sot shkenca e bëjnë më të lehtë, atë që dikur është dukur e pamundur. Metodat interaktive, fushatat sensibilizuese, rrjetet sociale të gjitha shprehin aftësinë që kemi për popullarizimin e kulturave të duhura, si ato të debatit dhe integritetit. Kultura të cilat i shoh si mjete për të ndryshuar botën.
Dua që të kem sa më pak raste për të kujtuar skenën e hyrjes ose ta kujtoj vetëm për të qeshur me miqtë. Nuk është utopike të mendosh për jetën tënde dhe të shoqërisë, në këtë mënyrë, përkundrazi, mjaft shpresplotë. Tana që bërtet dhe Vangjeli që bën sehir, janë pjesë dhe duhet ti mbeten të kaluarës.
Youth Debate: A call to Integrity event, co-organized by Scidev and LIBURNETIK Organisation, supported by Embassy of the Netherlands in Albania, was part of the #WeekofIntegrity 2020, hosted by International Chamber of Commerce in Albania