Rëndësia e debatit në shoqërinë tonë
18 Dhjetor, 2020
Votim mbi viktimën e emëruar INTEGRITET
19 Dhjetor, 2020

Të dish apo të dish shumë?

Nuk e ndjej se na duhet shumë të pyesim “të dish apo të kesh”, por e ndjej se duhet të pyesim “sa është e nevojshme të dish?” Ne do dimë gjithmonë pak, në krahasim me çfarë është e mundur të dihet, por të kërkosh të dish nuk është kurrë pak.

Kur debaton nuk po kërkon të bindësh askënd, e nëse e sheh kështu bën gabim. Kur debaton thjesht po kërkon të dish më shumë dhe po thua atë që ti di derisa të dëgjosh diçka të re e të ndryshosh mendim ose ta përdorësh këtë njohuri në favorin tënd. Në fund të ditës çdo njohuri vlen.

Nëse debati ka të bëjë me njohuritë dhe në fund të ditës është thjesht një përplasje informacionesh, atëherë nuk kemi asgjë më shumë sesa një përplasje kompjuterash. Ajo se çfarë i jep jetë një argumenti dhe se çfarë e bën atë të besueshëm është bindja, është besimi, është pasioni me të cilin e beson një kauzë e të gjitha këto e shndërrojnë këtë proçes në vlerë.

Ajo se çfarë po e kërkojmë si macja miun, mbase nga ata që na drejtojnë, mbase nga ata që na mbrojnë, mbase nga ata që i besojmë, është pak integritet, duke harruar që kjo gjendet vetëm brenda vetes. Nuk e shet dot e të bëhesh i pasur edhe pse po ta kesh ke padiskutim një pasuri. Nuk e huazon dot sa për një takim e pastaj s’të duhet më. As nuk e fal dot për dhuratë. Ne e gjejmë brenda vetes, nëse kemi, e ndjejmë nëse e kemi dhe jetojmë me këto vlera nëse i kemi.

Integriteti nuk bën magji, po le ta pranojmë që do ishim në kushte të tjera po ta kishim. A kemi sot etik? Në televizione nuk e kam parë, në parlament jo, e së fundmi çfarë mund të pres nga rruga? Pikërisht kjo mungesë etike, komunikimi, integriteti po bën që brezat të deformojnë kuptimin e vërtetë të vlerave. Vlerat po kthehen në anti-vlera dhe njerëzve iu duket normale përsa kohë kanë mjaftueshëm internet për të hyrë në Instagram dhe Facebook. Prandaj edhe ankohemi sot për shoqërinë kur ne vetë jemi pjesë. Mesa unë shoh shoqëria sot s’ka nevojë të ketë, por ka nevojë të dijë, madje të dijë shumë për gjërat që na bëjnë njerëz dhe na dallojnë nga kafsha. Për gjëra që na japin identitetin dhe nuk na marrin fytyrën. Për gjëra të cilat bëhemi krenarë dhe nuk ulim kokën. Doni ta dini ku jemi sot? Jo me kokë ulur, por ‘pa kokë fare’, sepse integritetin e kemi shitur për dy lek. Po edhe pse nëpërmjet atyre 2 lekëve sot kemi bërë 10 e 100 a mund ta blejmë integritetin mbrapshtë?!

Jo, nuk mundemi edhe pse na duhet aq shumë saqë nuk e kuptojmë derisa pasojat vijnë e çuditemi sesi u gjendëm në situata të tilla. Vlerat janë personale, nuk kanë nevojë të ruhen në kasafortë, nuk kanë nevojë ti mbështillni me shall se mos ftohen, as t’i lani e t’i shplani. Kjo i bën vlerat të jenë ekonomike. Kur nuk kanë asnjë çmim pse duam ti heqim e t’i hedhim në rrugë?

Të gjithë mund të behën të pasur, të gjithë mund të bëhen të suksesshëm, të gjithë mund të hapin Facebook e të bëjnë postime idealiste, të gjithë mund të bëjnë foto të bukura e t’i hedhin në Instagram, të gjithë mund të japin mësim në shkolla dhe shumë mund të mësojnë, po sa prej nesh e dinë çfarë janë, sa prej nesh e dinë çfarë përfaqësojnë dhe në fund të ditës sa prej nesh janë të gatshëm të flijojnë gjëra të rëndësishmë të jetës vetëm për vlerat dhe karakterin e tyre? Kjo nuk është ndonjë gjë e madhe, po duket si e tillë sepse është bërë aq e rrallë saqë vështirë ta gjesh. Nëse njerëzit nuk do të vlerësoheshin nga like-t në Instagram, por nga ajo se çfarë përfaqësojnë, më besoni shumë pak do ishin të famshëm.

Youth Debate: A call to Integrity event, co-organized by Scidev and LIBURNETIK Organisation, supported by Embassy of the Netherlands in Albania, was part of the #WeekofIntegrity 2020, hosted by International Chamber of Commerce in Albania