Edukatë, kulturë, ndershmëri, karakter, komunikim, dije, përmirësim…
Shpesh herë kemi dëgjuar për këto e shumë të tjera, të cilat përmblidhen me fjalën VLERA.
Kur i lexon duken kaq të bukura dhe të lehta për t’u mbartur, por nuk janë dhe aq, JO!
“Nëse të gjithë do të ishin të veshur me integritet e vlera, në qoftë se çdo zemër do të ishte e drejtë, e sinqertë e me mirësi, ato nuk do të konsideroheshin kaq të rëndësishme” – thoshte Molieri.
Me pak fjalë, nëse nuk do të ekzistonte egoizmi, keqadashësia, padrejtësia, korrupsioni, nihilizmi e të tjera antivlera, nuk do të arrinim të evidentonim rëndësinë e vlerave.
Gjatë rritjes, kur ty të duhet të “zgjedhësh” se si do të jesh, kudo që të arrish e ç’rrugë do të ndjekësh, kjo është zgjedhja më e vështirë.
Jo ngaqë ke ndonjë problem me vlerat, por je rritur dhe arrin të kuptosh që antivlerat janë mazhorancë e për fat të keq, pothuajse gjithmonë mazhoranca fiton, ndonëse gabim.
Pse duhet të jesh vlerë, kur anti-vlera “dallohet”? Pse duhet të zgjerosh dijet, kur injoranca vlerësohet? Pse duhet të komunikosh me edukatë, kur nuk të dëgjojnë se janë të zënë duke bërtitur? Pse duhet të zgjedhësh të jesh njeri me integritet, në një vend ku antivlerat bëjnë «muuu»?
Përgjigjet janë të shumta, sigurisht, por unë kam një të thjeshtë!
Unë mendoj dhe jam e bindur që: Mirësia e lufton të keqen, dija e mbyt injorancën, karakteri fiton përballë servilizmit, aftësia qëndron mbi korrupsionin dhe Integriteti e vetëm forcimi i rrënjëve të tij kanë si fryte individë, familje e shoqëri më të lumtura!
A është e lehtë kjo? Sigurisht që jo!
Revolucioni nuk ka qenë kurrë i lehtë! Revolucioni, fjalë e madhe kjo, doja të thoja ndryshimi!
Pra, ndryshimi nuk ka qenë e nuk ka për të qenë i lehtë, por fillon ashtu, nga hallka më e vogël por ajo më e forta, fillon nga individi. Fillon nga unë, ti, nga ne, duke qenë mishërim i asaj çfarë duam të shohim në shoqëri!
Fundja në jetë kemi dy zgjdhje kryesore:
Të pranojmë kushtet ashtu siç janë, ose të marrim përgjegjësinë për t’i ndryshuar, nisur nga vetja, gjithmonë!
Youth Debate: A call to Integrity event, co-organized by Scidev and LIBURNETIK Organisation, supported by Embassy of the Netherlands in Albania, was part of the #WeekofIntegrity 2020, hosted by International Chamber of Commerce in Albania