Të gjithë ne me siguri pranojmë që korrupsioni është një plagë për mirëfunksionimin e shtetit ligjor. Për të ditur pse e luftojmë atë dhe cilat janë metodat, së pari sipas meje duhet të dimë origjinën e fenomenit. Korrupsioni është po aq i vjetër sa historia njerëzore. Ky fenomen datohet që kur Dinastia e Parë (3100-2700 P.K) e Egjiptit të lashtë vuri në dukje korrupsionin në “gjyqësorin e saj”. Përkufizimi klasik për të është: “Abuzimi me fuqinë e besuar për përfitime private”. Korrupsioni gërryen besimin, dobëson demokracinë, pengon zhvillimin ekonomik dhe përkeqëson pabarazinë, varfërinë, gjithashtu edhe ndarjen sociale. Korrupsioni mund të ndodhë kudo, në çdo kohë dhe përfshin këdo por, si po përpiqen qeveritë ta zvogëlojnë atë sa më shumë që të jetë e mundur? Përgjigja është me përdorimin e teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit (TIK) për të rritur transparencën dhe llogaridhënien.
Kohët moderne kërkojnë zgjidhje moderne dhe TIK ofrojnë një hap më të mirë se sistemet e tjera konvencionale të komunikimit dhe menaxhimit të informacionit në disa aspekte të rëndësishme.pai ato lejojnë:
1-Qasje më të madhe
2-Mbajtjen e të dhënave automatike
3-Klasifikimin sistematik dhe rikuperimin të të dhënave
4-Përgjithësisht menaxhim më të mirë të njohurive dhe ndarjen e informacionit.
-Këto karakteristika kanë fuqinë për të transformuar mënyrën e administrimit publik dhe marrëdhëniet midis qeverisë dhe qytetarëve. Kjo është arsyeja pse OECD kohët e fundit ka nisur një program të ri të punës mbi qeverisjen elektronike i cili parashikon se si qeveritë mund të shfrytëzojnë më mirë TIK të shekullit XXI për të promovuar më shumë efikasitetin dhe ofrimin e shërbimeve të përgjegjshme, me kosto efektive për qytetarët brenda kornizës së parimeve të mirëqeverisjes.
-Kjo do të thotë që qytetarët mund të përfshihen më plotësisht në të gjitha aspektet e qeverisjes, duke përforcuar krijimin e një kulture të besimit dhe interesit të ndërsjellë. Në të vërtetë, TIK tashmë po transformojnë marrëdhëniet midis qeverive dhe qytetarëve. Disa shembuj që vërtetojnë këtëe dhe pse kanë pak vite që janë inkorporuar në rastin tonë janë platformat si E-Albania, Shqiperia qe duam, pagesat e gjobave online dhe shumë më tepër raste që ulin pranishmërinë e qytetarëve në institucione publike ku shanset për korrupsion mund të ishin të pranishme..
-Të gjithë këta shembuj të përmendur aprovojnë që digjitalizimi është një nga format më të mira të mundshme, për të zvogëluar efektet negative që prodhon korrupsioni. Nga ana tjetër edhe vetë faza e shpalljes së kompanive informatike që do të mundësojnë shërbimet mund të bëhet burim korrupsioni dhe bëjmë sërish hapa pas. Gjithashtu një problem shqetësues mbetet shkelja e privatësisë pasi shumë të dhëna të aksessueshme nga e-platformat mund të jenë të rrezikshme nëse bien në dorën e gabuar. Krimi kibernetik gjithashtu nuk lihet pa u përmendur pasi rastet nuk kanë qenë sporadike dhe madje kanë ndodhur edhe në vende perëndimore edhe më të zhvilluara sidomos në raste zgjedhjesh me vjedhje dhe tjetërsim të dhënash. Mundësia e përdorimit dhe e qasjes të internetit është dhe do të jetë gjithmonë një problem mjaft i konsiderueshëm sidomos në vende si i yni,,por a duhet të ngecim në atë që na ngadalëson apo të bëjmë hapa të rinj për të përmirësuar situatën? Digjitalizimi ka problemet e tij dhe jo të pakta, por në raport me benefitet që eksperienca ka treguar duket se këto të fundit kanë qënë më të shumta. Para se të shohim boshllëqet mendoj se duhet të kemi parasysh që dixhitalizimi ka bërë hapa të shpejtë në:
1. Raportimin e ryshfetit dhe korrupsionit të vogël
2. Raportimin e mashtrimit zgjedhor
3. Monitorimin e buxhetit
4. Monitorimin e jetës politike
5. Monitorimin e shërbimeve sociale etj.
-Gjithashtu Përdorimi i TIK për të luftuar korrupsionin ka shërbyer gjithnjë e më shumë si një rrugë për të sjellë komunitetin e teknologjisë më pranë aktivistëve dhe shoqërisë civile, përmes fenomenit të ”hackathons”.
-Sigurisht që ka vend për përmirësime pasi ka edhe shumë probleme, por ky realitet në gjykimin tim duket si një mjedis pak më i shëndetshëm që nuk lejon që korrupsioni të rritet aq sa më parë. Vetëm me një klikim mund të kursehen minuta,orët e pritjes në institucionet që lodhin qytetarëte që mund të çonin në korrupsion për të përfunduar më shpejt. Ne studentët vetë duhet të kemi parasysh se edhe vlerësimi me platforma elektronike do të ishte mjaft efikas dhe transparent duke e zënë “mat” korrupsionin. Në këtë mënyrë llogaridhënia dhe transparenca bëhen kaq të prekshme e ndihmuese. Personalisht mendoj se aspekti më pozitiv që kanë mekanizmat e TIK janë ato të përfshirjes që ato ofrojnë për qytetarët. "Asnjë nga çështjet kryesore me të cilat përballet njerëzimi nuk do të zgjidhet pa qasje në informacion" thotë Christophe Deloire dhe cili mjet momentalisht më i mirë përveçse TIK e zgjidh këtë?
Youth Debate: A call to Integrity event, co-organized by Scidev and LIBURNETIK Organisation, supported by Embassy of the Netherlands in Albania, was part of the #WeekofIntegrity 2020, hosted by International Chamber of Commerce in Albania